1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bashkësia ndërkombëtare kritikon bastisjen e zyrave të OJQ-ve në Egjipt

30 Dhjetor 2011

Policët erdhën me armë dhe kishin udhëzime të prera: asnjë nga punonjësit e OJQ-ve nuk lejohej të largohej nga zyra apo të telefononte gjatë bastisjeve. Evropa dhe SHBA reaguan me indinjatë.

https://p.dw.com/p/13bnA
Gjatë bastisjeve në zyrat e një Organizate Joqeveritare
Gjatë bastisjeve në zyrat e një Organizate JoqeveritareFotografi: dapd

Aktivistët egjiptianë për të drejtat e njeriut kanë kritikuar kontrollet e zyrave të 17 organizatave joqeveritare egjiptiane dhe të huaja në Kajro. Sipas të dhënave të agjencisë Reuters, 27 grupe në një deklaratë të përbashkët thanë se Këshilli Ushtarak që qeveris vendin, me këto kontrolle kërkon të hedhë baltë mbi grupet aktiviste për të drejtat e njeriut dhe forcat e revolucionit. Televizioni egjiptian njoftoi se hetuesit kanë kërkuar prova që këto organizata kanë marrë para nga jashtë pa lejen e autoriteteve.

Pamje ilustruese, Kairo 29.12.2011
Pamje ilustruese, Kajro 29.12.2011Fotografi: dapd

"Problemi është se ligji për OJQ-të është një ligj shumë represiv, dhe nuk kemi parë asnjë reformë të tij siç ka ndodhur me ligjin për sindikatat dhe atë për partitë politike", deklaroi për kanalin Al Xhazira Heba Morajef nga organizata "Human Rights Watch".

Përpjekje për të ndaluar zërat e pavarur

Pamje ilustruese, Kairo 29.12.2011
Pamje ilustruese, Kairo 29.12.2011Fotografi: dapd

"Kjo është një përpjekje për të ndaluar zërat e pavarur dhe në veçanti të organizatave për të drejtat humanitare, të cilat kanë kritikuar më fort dhe në mënyrë konsekuente regjimin ushtarak dhe abuzimet e tij muajt e kaluar" deklaroi më tej Heba Morajef.

Objekt i kontrolleve ishte edhe zyra e Fondacionit Konrad Adenauer në Kajro. Ministria e Jashtme në Berlin shprehu shqetësim. Një zëdhënëse e ministrisë tha se Gjermania pret që Fondacioni Adenauer të vazhdojë pa pengesë punën.

Edhe SHBA kritikoi aksionin e autoriteteve egjiptiane. "Ne i bëjmë thirrje qeverisë egjiptiane t'i japë menjëherë fund kërcënimit të OJQ-ve, stafit të tyre, të kthejë të gjitha pasuritë dhe ta zgjidhë pa vonesë këtë çështje", deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme amerikane, Victoria Nuland.

Autorë: Agjencitë e lajmeve / Eliana Xhani

Redaktoi: Esat Ahmeti