1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bashkimi Evropian ashpërson sanksionet kundër Sirisë

2 Gusht 2011

Bashkimi Evropian ka ashpërsuar sanksionet e saj kundër Damaskut. Të martën (02.08) hyn në fuqi vendimi për bllokimin e xhirollogarive dhe ndalimin e udhëtimeve ndaj përfaqësuesve të tjerë të regjimit sirianë.

https://p.dw.com/p/128lx
Një montazh flamujsh BE-Siri
Një montazh flamujsh BE-SiriFotografi: Montage DW/AP

Nisur nga veprimet e përgjakshme të forcave të sigurimit kundër rezistencës së popullit në Siri, vendosja e sanksioneve të tjera pritet së shpejti, tha një zedhënës i të ngarkuarës për politikë të jashtme në BE, Catherine Ashton. "Ne do të ushtrojmë edhe më tej presion politik dhe ekonomik ndaj regjimit në Damask", tha më tej ai. Deri tani vendimi për ngrirjen e xhirollogaritë bankare dhe ndalimin e hyrjes së tyre në vendet e BE-së ishte marrë kundër 30 biznesmenëve dhe njerëzve të afërt të pushtetmbajtësit Baschar el Assad. Lidhur me këtë u prononcua për BBC zëdhënësi i BE-së, Michael Mann.

Shtohet lista e njerëzve që preken nga saksionet kundër Sirisë

"Ne kishim vendosur tashmë sanksione kundër 30 njerëzve, anëtarëve të regjimit, të njerëzve që janë të lidhur me dhunën e ushtruar kundër popullsisë civile dhe sot (01.08) kemi marrë vendim që kësaj liste ti shtohen edhe pesë individë. Kjo do të thotë ngrirjen e xhirollagarive bankare dhe pasurive të tyre dhe ndalimi i udhëtimit të tyre, sepse ata kanë lidhje me dhunën që po zhvillohet në vend".

Catherine Ashton, e ngarkuara për politikë të jashtme në BE
Catherine Ashton, e ngarkuara për politikë të jashtme në BEFotografi: AP

Gjendja në Siri ditën e dielë kishte arritur kulmin kur ushtria me tanke kishte marshuar në qytetin bastion të protestave, Hama. Sipas aktivistëve për të drejtat e njeriut u qëlluan të paktën 100 njerëz. Në gjithë vendin të dielën janë vrarë 139 njerëz, tha shefi i qendrës vëzhguese siriane për të drejtat e njeriut, Rami Abdel Rahman. Sipas të dhënave të tij, ditën e hënë në Hama dhe Bukama në lindje të vendit vdiqën edhe tre civilë të tjerë.

Rusia dhe Kina kundër një rezolute të KS për Sirinë

Shefja e diplomacisë evropiane Catherine Ashton kërkoi nga Këshilli i Sigurimit që të marrë një "pozicion të qartë". Pikërisht të hënën pasidte u zhvillua një takim i posaçëm i Këshillit të Sigurimit. Krahas Gjermanisë, edhe Britania e Madhe, Franca, Portugalia dhe SHBA-ja prej javësh janë të angazhuara për një rezolutë për Sirinë. Por para së gjithash Rusia dhe Kina, si anëtare të përhershme në Këshillin e Sigurimit dhe që kanë të drejtën e vetos, janë shprehur kundër kësaj. I ngarkuari i qeverisë gjermane për të drejtat e njeriut, Markus Löning (FDP), në radion bavareze (Bayerischen Rundfunk) i bëri thirrje Rusisë dhe Kinës që të heqin dorë nga "qëndresa e tyre kundër një rezolute të qartë".

Kancelarja Angela Merkel
Kancelarja Angela MerkelFotografi: picture alliance/dpa

Moska u shpreh pas dhunës më të fundit vetëm me një "shqetësim serioz" të saj. Ministria e Jashtme ruse i bëri thirrje udhëheqjes në Damask që t'i japë fund menjëherë shtypjes së lëvizjes së protestave.

Kancelarja Angela Merkel (CDU) e dënoi sjelljen e qeverisë siriane si "shumë të ashpër". Zedhënësi i Ministrisë së Jashtme, Martin Schäfer foli për "një luftë kundër popullit të vet". Me ndërhyrjen në Hama u bë " shumë e qartë përdorimi i një metode të re të makinerisë së represionit të presidentit Assad kundër popullit të vet", tha Schäfer. Ministri Jashtëm britanik William Hague dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen u shprehën ndërkohë kundër një ndërhyrjeje ushtarake në Siri.

Autor: Mimoza Kelmendi/ dpa,afpd,ap

Redaktoi: Esat Ahmeti