1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bavaria zvogëlon kufizimet për kujdestarë të huaj të kualifikuar për azilet

Christian Ignatzi / Eliana Xhani25 Maj 2013

Punonjësit e kualifikuar mund të punojnë në azilet e Bavarisë edhe nëse kanë vetëm njohuri bazë të gjermanishtes. Vetëm pas një viti duhet të japin provimin përfundimtar të gjuhës.

https://p.dw.com/p/18dom
Fotografi: picture alliance / dpa

Në shtëpinë Bodelschwingh në Erlangen mund të dëgjosh shumë gjuhë. Një e treta e 110 kujdestarëve për të moshuarit është me origjinë migracioni. Azili i të moshuarve pasqyron plotësisht tendencat aktuale. Diçka e mirë, thotë drejtoresha e azilit, Friederike Leuthe, në bisedë me DW: "Gjithnjë e më shumë njerëz, për të cilët duhet të kujdesemi, janë të huaj. Ata përfitojnë nga fakti që këtu kemi kujdestarë nga vende të ndryshme, që njohin gjuhën e tyre amtare." Por edhe pse disa banorë të azileve mund të përfitojnë nga kujdestarët e huaj, një gjë nuk duhet harruar: "Kujdestarët duhet të jenë të gatshëm të plotësojnë mungesën e njohurive të gjuhës", thotë Leuthe, "dhe këtë duhet ta bëjnë brenda një kohe të shkurtër."

Komunikimi dhe gjuha si kushte bazë

Këtë kohë të shkurtër, Ministria e Punëve Sociale në Bavari e ka përcaktuar në gjashtë muaj. Deri tani forcat e huaja të kualifikuara punëtore mund të punonin në institute përkujdesi edhe nëse niveli i kërkuar i zotërimit të gjuhës B2, pra komunikim i rrjedhshëm, nuk ishte arritur, por vetëm si ndihmës.

Nuk mund të ketë përkujdesje të mirë pa njohuri të mjaftueshme gjuhe
Nuk mund të ketë përkujdesje të mirë pa njohuri të mjaftueshme gjuheFotografi: picture alliance / dpa

"Ne u kemi ofruar punonjësve të kualifikuar mundësinë të punojnë përkohësisht, nëse zotërojnë nivelin B1, pra njohuri baze gjuhe", thotë zëdhënësi i ministrisë Maximilian Griebl për Deutsche Welle: "Me rregullat e reja u mundësojmë punonjësve të kualifikuar të përkujdesjes, që vijnë me kualifikim të lartë nga jashtë, të kryejnë që në fillim një punë të përshtatshme." Qeveria e landit informoi shoqata dhe institucione javën e kaluar për rregullat e reja. Megjithatë kushtet e hyrjes për fuqinë e kualifikuar punëtore Ministria e Punëve Sociale nuk do t'i zbusë, thotë Griebl: "Komunikimi dhe gjuha janë kushte bazë për një përkujdesje të mirë, dhe këtu duhet marrë parasysh edhe numri në rritje i personave me nevojë për përkujdesje, me sfond migracioni."

Kritikë ndaj kujdestarëve në internet

Jo të gjithë janë të kënaqur me rregullat e reja. Në platformën sociale Facebook diskutojnë kujdestarë të të moshuarve dhe janë në një mendje: nuk mund të punohet në një azil nëse nuk je në gjendje të kuptohesh si duhet me të moshuarit. "Përfytyro, ti ke nevojë për përkujdesje dhe askush nuk të kupton", shkruan dikush. Edhe për Friederike Leuthe nga azili Bodelschwingh është e qartë: "Unë nuk mund të pres nga një i moshuar që të dijë anglisht apo greqisht, italisht apo spanjisht." Kai A. Kasri, kryetari i shoqatës së landit të ofruesve privatë të shërbimeve sociale "bpa", është përkundrazi i kënaqur me vendimin e ministrisë: "Deri tani nuk kemi pasur hapësirë pasi niveli i zotërimit të gjuhës B2 është shumë i lartë", thotë ai në bisedë me DW. "Me kushtet të cilat mund t'u ofronim deri tani punonjësve të kualifikuar mirë, ata natyrisht nuk donin të punonin."

Deri tani kujdestarët e kualifikuar që vinin nga jashtë në Bavari mësonin gjermanisht paralelisht me punën. Pasi kalonin testin e gjuhës B2 mund të ushtronin profesionin si kujdestarë të kontrolluar dhe mund të kalonin në një nivel më të lartë rroge. Ajo që shqetëson Kasrin është koha prej gjashtë muajsh deri në provimin e gjermanishtes. "Gjashtë muaj janë një objektiv shumë ambicioz kur dikush nuk ka asnjë njohuri të gjermanishtes."

Kujdestarët duhet të tregojnë dëshirë për të mësuar gjuhën

Që sistemi i ri të japë fryte duhet që edhe kujdestarët të kenë dëshirë të mësojnë gjermanisht. Këtu Friederike Leuthe sheh një problem: "Kur sigurojnë vendin e punës, angazhimi për të mësuar gjuhën gjermane bie." Sipas "bpa" probleme të tjera mund të sjellë edhe testi i gjuhës i institutit Goethe, i cili nuk pyet kualifikimet e nevojshme për kujdestarët. "Në Hessen ekziston një rregull më i mirë", thotë Kai A. Kasri nga "bpa". Atje punonjësit e kualifikuar nuk janë të detyruar të fillojnë punë si ndihmës. Ata mund të punojnë edhe me nivelin B1 të gjuhës në profesionin e tyre në institucione. "Që puna të jetë e mundur përfshihet edhe një program mësimor me terma të profesionit, dhe kolegëve u mësohen terma specifikë që janë të nevojshëm në punën e tyre të përditshme", shpjegon Kasri. Kështu Hesseni është bërë një land pararojë. "Kjo është një zgjidhje vërtet e mirë", thotë Kasri.

Kujdestarë nga Spanja në Gjermani
Kujdestarë nga Spanja në GjermaniFotografi: picture alliance / dpa

Alternativa të papërshtatshme

Një rritje pagash për të rekrutuar fuqi të kualifikuar nga Gjermania, për Leuthe nuk është e nevojshme. "Tek ne ata që ndodhen në fazën e aftësimit profesional marrin vitin e parë 900 euro në muaj bruto, dhe me përfundimin e aftësimit rreth 2500 euro", thotë ajo. Perspektivë mjaft tërheqëse për të rinjtë, thotë Leuthe. Kujdesi për të moshuarit duhe të paraqitet pozitivisht nga jashtë, thotë drejtoresha e azilit Bodelschwingh në Erlangen. "Ne duhet të tregojmë se punojmë në një profesion tërheqës, pasi ai është sigurisht i tillë", thotë ajo. Nëse për të rinjtë do të bëhet më e qartë se sa interesante është puna në përkujdesje, vitet e ardhshme do të kemi më shumë punonjës të kualifikuar.