1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

FDP-Basis stimmt für Euro-Rettung

17 Dhjetor 2011

Përpjekja për të përcaktuar në partinë liberale (FDP) një kurs kundër ndihmave gjermane për shtetet në krizë të eurozonës, dështoi në bazën e liberalëvë. Kryetari Rösler del kështu më i fortë nga një situatë e vështirë.

https://p.dw.com/p/13Uhc
Kryetari i liberalëve gjermanë Rösler.
Kryetari i liberalëve gjermanë Rösler.Fotografi: DW

Deputeti liberal në parlamentin federal Frank Schäffler, ka pësuar një dështim të dyfishtë. Referendumi i anëtarëve të partisë kundër politikës së qeverisë gjermane për shpëtimin e euros, i iniciuar prej tij nuk solli rezultatin e shpresuar: vetëm 44,2 për qind e votave të vlefshme përkrahën kërkesën e tij, 54,4 për qind e votave shkuan në favor të kërkesës së kryesisë së partisë, e cila mbështet linjën e qeverisë. Pjesa tjetër ishin abstenime.

Disfatë e dyfishtë - deputeti liberal Frank Schäffler
Disfatë e dyfishtë - deputeti liberal Frank SchäfflerFotografi: www.frank-schaeffler.de /studio kohlmeier

Veç kësaj pjesëmarrja në referendum nuk arriti një të tretën e numrit të anëtarëve të FDP-së, çka do ta bënte rezultatin një vendim obligues për partinë. Vetëm 32 për qind e anëtarëve dhanë votat e tyre.

Kryetati i partisë liberale (FDP) Philipp Rösler, deklaroi lidhur me rezultatin e referendumit se "FDP është dhe mbetet një parti me drejtim të qartë pro evropian me logjikën e nevojshme politike".

Ditët e fundit ka pasur spekulime të shumta nëse një rezultat i referendumit kundër ombrellës së shpëtimit për euron mund t'i kushtonte Röslerit postin e kryetarit të partisë. Këto zëra u forcuan me dorëheqjen të mërkurën (14.12.2011) të sekretarit të përgjithshëm të demokratëve të lirë, Christian Lindner.

Ish-sekretari i përgjithshëm i FDP-së, Christian Lindner.
Ish-sekretari i përgjithshëm i FDP-së, Christian Lindner.Fotografi: dapd

Pasojat për qeverinë

Një rezultat negativ për Röslerin do të kishte rënduar edhe koalicionin qeveritar të liberalëve me kristiandemokratët. Por edhe kështu referendumi nuk do të jetë pa pasoja për strategjinë gjermane të shpëtimit të euros, pasi në të triumfoi kërkesa e kryesisë së partisë liberale. FDP mbështet vërtet paketat e shpëtimit për Greqinë nga pranvera në verë, por refuzon përdorimin e levës financiare për kreditë dhe euro-obligacionet.

Leva financiare, pra përdorimi i parave publike si siguri e pjesshme për investuesit, të cilët blejnë obligacione shtetërore, është vendosur tashmë në nivel evropian. Euro-obligacionet edhe pse nuk janë aktualisht pjesë e strategjisë për shpëtimin e euros, vazhdojnë të kërkohen nga shumë shtete të Eurozonës dhe nga opozita gjermane.

Liberalët do të përpiqen tani më me forcë ta obligojnë kancelaren gjermane në një linjë kundër eurobondeve. Një pasojë e referendumit të anëtarëve të FDP-së mund të jetë që pozicioni i Gjermanisë në çështjen e eurobondeve të bëhet edhe më i ngurtë.

Autor: Peter Stützle / E. Xhani

Redaktoi: Aida Cama