1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

280610 EU USA SWIFT-Abkommen

29 Qershor 2010

Një përfaqësues i presidencës spanjolle të BE-së dhe një përfaqësues i qeverisë së SHBA-së nënshkruan në Bruksel marrëveshjen SWIFT. Hetuesit amerikanë mund të kontrollojnë të dhënat e transfertave bankare nga Evropa.

https://p.dw.com/p/O5mJ
Logoja e Qendres nderkombetare per transaksionet financiare SWIFT
Fotografi: picture-alliance/ dpa

"Ne shpresojmë që parlamentarët javën e ardhshme në Strasburg të votojnë pro marrëveshjes. Jam e sigurt se ata i kanë kuptuar përmirësimet e qarta që ofron kjo marrëveshje."

Këtë e deklaroi të hënën (28.06.) komisionerja e BE-së për politikën e brendshme, Cecilia Malmström.

Parlamenti pati hedhur poshtë në muajin shkurt një projekt-marrëveshje përkatëse. Parlamentarët shprehën shqetësime të shumta lidhur me mbrojtjen e të dhënave personale. Por këtë herë punët duken më mirë. Pro marrëveshjes pritet të votojë një shumicë e përbërë nga kristiandemokratë, socialdemokratë dhe liberalë. Europarlamentarja socialdemokrate, Birgit Sippel thotë:


"Në territorin evropian do të ketë edhe një kontroll të kërkesës amerikane, pra për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë vërtet me dyshim për terrorizëm; do të ngrihet një autoritet evropian, një person i cili do të shqyrtojë edhe njëherë në SHBA nxjerrjen e këtyre të dhënave. E rëndësishme është sigurisht që përcjellja e të dhënave shteteve të treta bëhet vetëm me miratimin e vendeve të veçanta anëtare, sa kohë bëhet fjalë për shtetas evropianë."

Përcillen të dhëna bankare edhe të personave të padyshuar

Veç kësaj në pesë vitet e ardhshme evropianët synojnë të krijojnë një autoritet të tyre, i cili do të shqyrtojë kampione të veçanta të dhënash nga moria e të dhënave mbi transfertat bankare. Këtë ofruesi i shërbimeve financiare SWIFT nuk mund ta bëjë. Kompania belge administron sistemin ndërkombëtar të pagesave për 8300 banka në të gjithë botën dhe duhet t'u përcjellë hetuesve të aktiviteteve terroriste sasi gjithnjë e më të mëdha të dhënash, të cilat analizohen më pas nga policia dhe shërbimet sekrete. Shqetësimi i mbrojtësve të të dhënave personale është se kështu përcillen edhe informacione për individë të padyshuar. Argumenti i dytë për analizën në Evropë është se vlen e drejta evropiane, që për konsumatorët është një fitore. Por marrëveshja lë hapur se kush duhet ta kryejë këtë detyrë.

"Europoli mund të përfshihej me punonjësit e tij, sepse si autoritet hetimor mund të shqyrtojë fare mirë nëse ekziston një dyshim i përligjur. Se sa mbrojtës të të dhënave apo gjykatës të tjerë do të jenë të nevojshëm, kjo mbetet të sqarohet. Por unë mund të përfytyroj një përzierje zyrtarësh të ndryshëm."

Nëse kjo detyrë do t'i ngarkohej vetëm Europolit, shumë eurodeputetëve do t'u mungonte elementi i drejtësisë. Polemikat për mënyrën se si duhet të punojë autoriteti i ri evropian pritet të vazhdojnë.

Marrëveshja e re ka një afat prej gjashtë muajsh për njoftimin e përfundimit dhe do të hyjë në fuqi më 1 gusht. Arritja e kompromisit u realizua edhe falë presidencës spanjolle të BE-së, e cila negocioi në vend të Komisionit. Për spanjollët ishte e qartë se kundërshtimi i parlamentit mund të ishte shumë i madh dhe për këtë arsye negociuan edhe njëherë me eurodeputetët.

Autor: Christoph Prössl/Eliana Xhani

Redaktoi: Auron Dodi