1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE Shfrytezimi

Kristof Plas3 Shkurt 2009

Në Parlamentin Evropian ditën e mërkurë (03.02) zhvillohen konsultime për një direktivë të re mbarëevropiane. Sipas saj do të dënohen më ashpër, ata punëdhënës dhe ato firma të punonjësve sezonalë që punësojnë në të zezë

https://p.dw.com/p/GmDF
Lufta kundër punësimit në të zezë: hija e një bojaxhiu që punon me pagë minimale në Frankfurt mbi Main
Lufta kundër punësimit në të zezë: hija e një bojaxhiu që punon me pagë minimale në Frankfurt mbi MainFotografi: dpa ZB - Fotoreport

Në odisenë e tyre për punë dhe para ata janë viktima të mirëpritura. Njerëz që janë futur ilegalisht në BE dhe që shfrytëzohen në punët e thjeshta që bëjnë, qoftë në serat e nxehta spanjolle, qoftë në kantieret e ndërtimit në Evropë. Numri i imigrantëve ilegalë në Evropë llogaritet përafërsisht 5 deri në 8 milionë vetë.

Punëdhënësve që e peshkojnë pikërisht tek ky grup fuqinë e lirë punëtore, me direktivën e re të BE do t'u priten mundësitë. Në të gjithë BE-në do të vendosen sanksione, gjoba dhe dënime që do t'i paguajë punëdhënësi dhe jo refugjati i pambrojtur. Sipas Zëvendëssekretarit të Përgjithshëm të Sindikatave Evropiane, Rainer Hoffmann:

"Nuk mund të mbyllësh sytë dhe të mos kuptosh se këtu bëhet fjalë për energji kriminale. Kjo është tregti me njerëzit në kushtet më diskriminuese njerëzore. Njërëz që trafikohen në Evropë dhe shfrytëzohen si krah i lirë pune."

Me direktivën e re do të ndalohet në përgjithësi punësimi i atyre që qëndrojnë ilegalisht në BE. Ndërmarrjet do të detyrohen që para punësimit të kontrollojnë dokumentat e punëkërkuesve. hteteve anëtare u kërkohet të shtojnë inspektimet. Një firmë mban përgjegjësi edhe për filiale të saj, kur ajo e di se aty punojnë ilegalisht të huaj pa letra.

Kontroll i dokumentave të një punëtori bullgar në Dresden
Kontroll i dokumentave të një punëtori bullgar në DresdenFotografi: AP

Por punëdhënësit do të japin llogari edhe financiarisht. Kujt i dëshmohet se punëson punëtorë ilegalë do të paguajë si pasdhënie edhe ato tatime dhe sigurime shoqëore që donte t'i kursente me një rrugë të tillë. Madje do të kthejë edhe subvencionet publike, në rast se ka qenë i favorizuar në këtë drejtim, dhe do të përjashtohet nga tenderat publikë për vite të tëra. Krahas këtyre restriksioneve, direktiva e re parasheh që punëdhënësit jo vetëm të paguajnë në kushte të caktuara gjobat, por mund të ndiqen edhe penalisht. Se sa e lartë do të jetë masa e dënimit, kjo do të mbetet çështje e vetë shteteve të BE-së:

"Kjo ka të bëjë me faktin, se BE në këtë drejtim ka kompetenca të kufizuara dhe ne duhet të kemi kujdes se si do t'i implementojnë shtetet anëtare të BE-së në fund të fundit në kodet e tyre ligjore sanksione të tilla, të detyrueshme, por para së gjithash të efektshme."

Në ligjin gjerman parashihen ndërkohë dënime me burgim për të luftuar punën në të zezë. Direktivat e reja të Parlamentit Evropian do të prekin drejtpërsëdrejti punëdhënësit. Punëmarrësi pa leje qëndrimi gëzon mburojë të caktuar ligjore, po qe se ai denoncohet nga të tjerët. Kështu ai mund të marrë një leje të kufizuar qëndrimi, për sa kohë që zhvillohet procesi kundër punëdhënësit të tij. Përveç kësaj, direktiva e re synon që punëmarrësi, edhe kur konsiderohet ilegal, të marrë pagën që i takon. Por në fund të fundit kjo nuk e mbron atë nga dëbimi.