1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

140910 EU Asyl

20 Shtator 2010

Njësimi duhet ta bëjë më humane dhe efikase politikën evropiane të azilimit si dhe duhet të ndihmojë për të shmangur abuzimin me të.

https://p.dw.com/p/PGB8
Refugjatë, të cilët zbarkojnë me anije në Greqi
Refugjatë, të cilët zbarkojnë me anije në GreqiFotografi: dpa

Deri tani praktikisht çdo vend i BE-së ka një procedurë të vetën për azilimin. Procedurat kanë kohëzgjatje të ndryshme dhe të drejtat e azilkërkuesve dallojnë dukshëm në praktikë. Kryesisht dallime ka në kuotat e njohjes të së drejtës së azilimit në vende të veçanta. Këto dallime janë aq të mëdha sa refugjatët tentojnë drejt së ashtuquajturës "Asyl-Hopping", kjo do të thotë që ata lëvizin nga njëri vend i BE-së tek tjetri me shpresën, se diku do të pranohen.

Komisioni i BE-së përpara një viti propozoi harmonizimin e së drejtës së azilimit. Komisarja për Politikën e Brendëshme, Cecilia Malmström paraqiti (15.09.2010) përmbledhtas avantazhet e reformës: „Standarde dhe norma të përbashkëta e bëjnë më efikase politikën e azilimit, me më pak kosto, por edhe më humane, sepse njerëzit nuk duhet të presin gjatë dhe të vuajnë. Nëse azilkërkuesit marrin përgjigje pozitive, ata mund të integrohen më shpejt në vendin ku pranohen. Nëse ata marrin përgjigje negative, është më mirë që ata këtë ta dinë sa më shpejt të jetë e mundur. Si rrjedhojë do të ketë më pak njerëz, të cilët për vite të tëra transferohen nga njëri vend në tjetrin dhe presin të marrin një përgjigje. Gjithashtu do të ketë edhe më pak abuzim me këtë të drejtë."

Komisarja e BE-së duke folur në takimin e ministrave në Bruksel më 15.09. 2010
Komisarja e BE-së duke folur në takimin e ministrave në Bruksel më 15.09. 2010Fotografi: DW/Stefanescu

Vendet e Mesdheut kërkojnë solidaritet

Disa nga vendet anëtare të BE-së ndihen veçanërisht nën presion nga harmonizmi i së drejtës së drejtës së azilimit, vë në dukje presidenti i radhës i Këshillit të Ministrave sekretari belg i shtetit për Migracionin dhe Azilimin, Melchior Wathelet: "Greqia, Malta dhe Qiproja, janë vende, të cilat për shkak të pozitës së tyre gjeografike janë të prekura nga valët e emigracionit." Wathelet bëri thirrje për solidaritet me këto vende, sepse një vend i vetëm nuk mund ta përballojë barrën.

Qendra e pranimit të refugjatëve që zbarkojnë ilegalisht në Lampeduza të Italisë, pamje nga viti 2008
Qendra e pranimit të refugjatëve që zbarkojnë ilegalisht në Lampeduza të Italisë, pamje nga viti 2008Fotografi: dpa

Gjermania dhe Franca tërheqin vëmendjen nga rreziku i abuzimit

Se sa e ndryshme mund të jetë edhe cilësia e procedurave ekzistuese të azilimit, këtë e ka verifikuar një komision hetimor. Gjatë këtij hetimi janë pyetur gati njëmijë azilkërkues në vende të ndryshme të BE-së lidhur me përvojën që ato kanë pasur. Gjermania zë vendin e parë, sepse sipas azilkërkuesve, ata janë sqarohen në mënyrë të hollësishme mbi të drejtat dhe detyrimet e tyre, madje lënda është e përkthyer në 59 gjuhë.

Shumë më keq trajtohen azilkërkuesit p.sh. në Beligjikë dhe në Danimarkë, ndër të tjera edhe sepse informacionet përkatëse ekzistojnë të përkthyera në vetëm pak gjuhë të huaja. Në raportin e këtij komisioni kritikohen disa vende për mungesën e asistencës juridike. Gjithashtu afatet për dorëzimin e refuzimit në vendet e BE-së variojnë nga dhjetë ditë deri në dy muaj.

Në një dokument të përbashkët të Gjermanisë dhe të Francës paralajmërohet, që në harmonizimin e planifikuar të së drejtës së azilimit të vendosen standarde të forta të përbashkëta për mbrojtjen e kësaj të drejte nga abuzimet. „Qysh tani vërehen qartë hapësira për abuzim", thuhet në këtë dokument. Ministri francez i Emigracionit Eric Besson bëri fjalë shprehimisht për një "Supermerkato-Azili", që të dyja vendet duan ta shmangin.

Autor: Christoph Hasselbach / Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Eliana Xhani