1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE-ja shpëtimtare nga nevoja? Komenti i DW-së mbi "samitin" e degës evropiane të automobilëve në Bruksel

Henrik Böhme30 Tetor 2008

Në një takim të nivelit të lartë të përfaqësuesve të industrisë evropiane të automobilëve Komisioneri i BE-së për Industrinë, Gynter Verhojgen të mërkurën (29.10.) sugjeroi vënien në dispozicion të 40 milionë eurove.

https://p.dw.com/p/Fk3J

Në fakt shtatori është një muaj i mirë për tregtuesit evropianë të automobilëve. Normalisht ai konsiderohet si muaji i shitjeve më të mëdha. Por ndërkohë asgjë nuk është normale. Kësisoj shtatori që lamë pas ishte më i keqi qysh prej dhjetë vjetësh. Një minus prej 8% në tregtimin e automobilëve, kjo shifër duket se ndezi sirenat e alarmit për Komisionerin e Industrisë në BE, Gynter Verhojgen (Günter Verheugen). Si rrjedhojë takimi i planifikuar prej muajsh mes shefave të koncerneve, sindikatave dhe përfaqësuesve qeveritarë nga vendet kryesore eksportuese të automobilëve në Evropë u cilësua si "samiti i atumobilëve" duke i dhënë atij pompozitet për mediet.

Qysh në vigjilje të këtij takimi të tërhiqte vëmendjen një dukuri e njohur: Nëse bizneset shkojnë mirë, atëherë çdo direktivë që vjen nga Brukseli damkoset si normë e mallkuar. Kur vijnë kohë të vështira, atëherë industria thërret për ndihma nga shteti. 40 miliardë euro duhet të jetë volumi i ndihmave, kështu e përcaktoi atë lidhja e prodhuesve evropianë të automobilëve. Tek e fundit konkurrenca në SHBA gjithashtu do të marrë kredi me interesa të favorshme në vlerën e miliarda dollarëve, në mënyrë që të prodhohen automjete ekologjike. E vërtetë Komisioni i BE-së u prek në zemër dhe siç premtoi presidenti i komisionit, Barroso, do të mbështetet industria për të zhvilluar automjete të favorshme për mjedisin.

Kommentarbild Henrik Böhme Bonn Deutsch
Henrik Böhme

Më së voni në këtë pikë nuk mund t´i shpëtosh habisë. Si mund të arrihet kjo? Nga njëra anë Brukseli u kërkon prodhuesve të automjeteve, që deri në vitin 2012 të ulin dukshëm emisionet e dioksidit të karbonit. Në radhë të parë kundërvihen prodhuesit gjermanë, që fitojnë kryesisht para me veturat e klasit të lartë me shumë kuajfuqi. Ndërsa tani papritur do të jepen para nga portofolet evropiane për të realizuar normën e emisioneve të dioksidit të karbonit? Kush do ta ndalë këtë marrëzi?

Ndihmat shtetërore për industrinë e automobilëve në Evropë janë absurde. Krahasuar me gjendjen e konkurrencës në SHBA evropianët ende janë në gjendje të mirë. Problemet e Daimler-it, Volvo-s, Fiat-it dhe të tjerëve janë probleme të krijuara së brendshmi. Zhvillimi i automjeteve që kursejnë karburant për vite të tëra është nxitur me gjysmë zemre dhe në plan të dytë. Rënia e kërkesës nuk është pasojë e krizës financiare. Në tregun gjerman p.sh. industria gjermane e automobilëve ka mbetur në vend numëro prej vitesh. Duhet vlerësuar fakti, që thirrja për subvencione nuk erdhi nga radhët e industrisë.

Kjo degë në nivel mbarëevropian ndodhet në një fazë të vështirë. Tani ajo nuk po përjeton ndonjë krizë shkatërrimtare, por vetëm një rënie normale koniukturore. Askush nuk mund të parashikojë tani, se sa vende pune do të humbasin. Megjithatë muajt e ardhshëm do të kenë efektin e centrifuges. Kush do të nxjerrë i pari në treg teknologjitë me kursim karburanti, më të favorshme në kosto dhe më të sigurta për të ardhmen, do të jetë më i fituari.

Natyrisht francezët ngrenë dorën tani me vetëdije dhe thonë: Bëni kështu si ne. Fqinjët e Gjermanisë nxisin me mjetet e shtetit prodhimin e veturave të vogla dhe favorizuese për mjedisin. Rezultati mund të shihet konkretisht: shtatori nuk ishte muaj krize për prodhuesit francezë të automobilëve. Ata kanë shitur 8% më shumë makina. Por sidoqoftë duhet t´i vihet gishti kokës, dhe sa më shpejt t´i jepet fund idesë së presidentit të Francës Sarkozi, që koncernet e automobilëve dhe të tjera degë të rëndësishme të industrisë që rezikohen të shtetëzohen pjesërisht. Askush nuk e dëshiron seriozisht "një shtet socialist të Evropës".