1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE kërkon objektiva të rrepta për klimën deri 2030

28 Mars 2013

Megjithëse bilanci jopërfundimtar i Komisionit Evropian për zbatimin e objektivave për klimën është përgjithësisht pozitiv, ambiciet deri në vitin 2030 janë edhe më të mëdha. Por për kritikët ato nuk mjaftojnë.

https://p.dw.com/p/185GG
Fotografi: picture-alliance/dpa

Duhet të kalojnë akoma shtatë vjet deri në vitin 2020. Për vitin 2020 BE i ka vënë vetes tri objektiva të mëdha, përsa i përket politikës ndaj klimës dhe energjisë. Por që tani Komisioni po vret mendjen për vitin 2030. Po pse që tani? Komisioneri i BE për Energjinë, Günther Oettinger, deklaron se përsa u përket objektivave të vitit 2020, BE është në pjesën më të madhe në rrugë të mbarë: Evropa do të arrijë me siguri që deri atëherë të nxjerrë 20 përqind më pak dioksiod karboni dhe që të prodhojë 20 përqind energji nga burime të ripërtëritshme. Vetëm përsa i përket objektivit për të konsumuar 20 përqind më pak energji, ka ende për të bërë. Por edhe këtë synim ai e konsideron të arritshëm. Po KE nuk dëshiron të mjaftohet me kaq. "Mbrojtja e klimës dhe politika energjitike kanë nevojë për një perspektivë afatgjatë. Madje mund të thuash se 2020 është për investimet e djeshme dhe 2030 është për investimet e nesërme." Investuesve KE dëshiron t'u tregojë sa më herët, që është e mundur të shihet se ku vazhdon rruga.

Energjia e erës do të futet në rrjet evropian

Që do të ndiqen edhe më tej të tri objektivat është e qartë. Por Oettingerit i duket shumë herët që  të kërkohet që tani për vitin 2030 një përcaktim p.sh. i kufizimit të sasive të CO2. Por kursimi me siguri do të jetë më shumë se 30 përqind.

E rëndësishme për Komisionerin gjerman është që energjia të mbetet e pagueshme për konsumatorët privatë dhe për sipërmarrjet e industrisë në Evropë. Oettingeri mbështetet për të tria objektivat e vitit 2020 para së gjithash në tregun e brendshëm evropian. Politika energjitike, në dëm të gjithë Evropës, vazhdon të orientohet në kufijtë nacionalë, thotë ai. Ndaj ai kërkon që energjia, që fitohet nga era, të shtrihet në një rrjet evropian. Sepse diku erë do të fryjë, mendojnë në KE.

Park me turbina me erë në Kinë
Park me turbina me erë në KinëFotografi: ddp images/AP Photo

Komisarja për Energjinë e BE, Connie Hedegaard, u kujtoi atyre, që kritikojnë se energjia "e gjelbër" kushton shumë, se ndenjia me duar kryq në fushën e energjisë dhe në politikën ndaj klimës kushton të paktën po kaq shumë. Ajo kujtoi se varësia e BE nga importet energjitike është rritur. Dhe nga ana tjetër, edhe shtete si Kina, që kanë qenë frenuese për shumë vite në politikën energjitike, në planin e saj pesëvjeçar i vendosi vetes objektiva të ngjashme me BE.

Komisioni e sheh prezantimin, që bëri, si një mbështetje për një diskutim publik. Qytetarë, sipërmarrje dhe instanca shtetërore janë të ftuara të marrin pjesë në formulimin e objektivave për vitin 2030.

Autor: Christoph Hasselbach/ Auron Dodi

Redaktoi: Angjelina Verbica