1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE kundër proteksionizmit - Konsultime në Bruksel për krizën financiare

Auron Dodi2 Mars 2009

Nuk mbështetet propozimi i Hungarisë, që Evropa Lindore të marrë mbështetje financiare miliardëshe

https://p.dw.com/p/H3vX
Takimi joformal i Brukselit, 1 mars 2009Fotografi: AP

Shefat e shteteve dhe të qeverive të BE zhvilluan të dielën (01.03.) në Bruksel konsultime për krizën e rëndë financiare dhe ekonomike globale. Ata u shprehën kundër masave proteksioniste dhe për një mbikqyrje më të mirë të tregjeve. Propozimi i kryeministrit të Hungarisë, Gyurcsany, për ta ndihmuar Evropën Lindore me një paketë miliardëshe masash nuk u mbështet në takim.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, u bëri thirrje kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të 27 vendeve të BE, që të ndërmarrin hapa të vendosur kundër krizës ekonomike dhe globale. Në kuadër të takimit të nivelit të lartë, që përfundoi të dielën (01.03) në mbrëmje në Bruksel, Barroso kërkoi "një përgjigje shumë të fortë të koordinuar, e cila merr parasysh gjendjen shumë të ndryshme, që kemi në 27 shtetet anëtare të BE". Barroso u shpreh për hapa të përbashkët kundër proteksionizmit:

"Konvergjencë, përsa i përket nevojës për t'i ruajtur rregullat dhe parimet tona, përsa i përket tregut të brendshëm, për stabilitetin financiar, përsa i përket qëndrimit të përbashkët ndaj mbikqyrjes globale dhe rregullimit dhe përsa u përket ekonomive të hapura, pikërisht nevojën për të luftuar proteksionizmin."

Vorbereitung für den G20-Weltfinanzgipfel
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, në një konferencë për shtyp pas samitit, 1 marsFotografi: AP

BE kundër proteksionizmit pro rregullave të përbashkëta

Shefat e shteteve dhe të qeverive thanë se tregu i brendshëm i BE garanton lirinë e caktimit të vendit se ku do të kryhet aktiviteti ekonomik, i mallrave dhe kapitaleve. Ndaj zgjidhjet duhet të kryhen së bashku në kuadër të këtij tregu dhe të bashkimit ekonomik dhe monetar. Spanja dhe Franca qenë kritikuar para takimit se kanë vepruar në kurriz të vendeve të tjera evropiane. Kryeministri i Britanisë së Madhe, Gordon Brown, e quajti proteksionizmin shkatërrim:

"E gjithë bota duhet të bierë dakord, siç bëri Evropa sot, për nevojën për të refuzuar proteksionizmin, i cili është rruga drejt rrënimit dhe rruga për një recesion më të thellë."

Takimi i nivelit të lartë theksoi rëndësinë e funksionimit të marrjes dhe dhënies së kredive, rrjedhë e cila nuk është rivendosur, megjithë ndihmat prej miliarda eurosh të dhëna bankave. Pjesëmarrësit thanë se do të shtojnë presionin dhe që bankat të deklarojnë kreditë e pambuluara, që fshihen në bilancet e tyre.

Kontroll i bankave dhe tregjeve financiare përmes komisioneve të BE

Përsa i përket përmirësimit të mbikqyrjes financiare në takim u përshëndet propozimi i një grupi ekspertësh të BE, nën drejtimin e ekspertit francez të financave, Jasques de Larosiere. Ky grup kërkon jo një mbikqyrje të njësuar për bankat, por vetëm forcimin e komisioneve ekzistuese të BE për bankat, sigurimet dhe tregjet financiare. Vendimet e para për këtë, ministrat e financave do t'i marrin në qershor.

Vorbereitung für den G20-Weltfinanzgipfel
Kryeministri hungarez, Ferenc Gyurcsany, majtas, me homologun çek, Mirek Topolanek, me 1 mars në BrukselFotografi: AP

Në takimin e shefave të shteteve dhe të qeverive të BE u refuzua në mënyrë të qartë një transferim i ri miliardash nga Perëndimi në Lindje, për të ndihmuar vendet e Evropës Lindore. Si shkak u dhanë ndër të tjera "ndryshimet e konsiderueshme", që ekzistojnë midis këtyre vendeve. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e kundërshtoi me të mbërritur në Bruksel propozimin për transferim miliardash të kryeministrit të Hungarisë, Ferencz Gyurcsany. Merkeli tha:

"...që ne ngjashëm si në Amerikë duhet të themi që tani, se duhet të kthehemi sërish në një drejtim solid të buxheteve".

Kryeministri i Hungarisë, Guyrcsany, e kishte argumentuar më parë me këto fjalë nevojën e ndihmës për Evropën Lindore :

"Ne nuk duhet të lejojmë që një perde e re e hekurt të vendoset dhe ta ndajë në dy pjesë Evropën."

Por hartimin e një programi të përgjithshëm ndihmash për Evropën Lindore e refuzuan edhe vende të rajonit, si kryesuesja e radhës e BE, Çekia. Pjesëmarrësit thanë se rregullat e lojës nuk duhet të ndryshojnë tani, as me një anëtarësim më të shpejtë të vendeve evropianolindore në Eurozonë. Në rast emergjence, thanë shefat e shteteve dhe të qeverive , BE do të përdorë "të gjithë instrumentat në dispozicion" për të mbështetur një vend në vështirësi financiare.