1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

--

13 Prill 2011

Ministrat e jashtëm të BE i shtuan të martën përpjekjet për një zgjidhje politike të konfliktit në Libi. Ata vendosën edhe ngrirjen e 26 xhirollogarive të tjera të regjimit të Gaddaffit.

https://p.dw.com/p/10s8n
Guido Westerwelle në Luksemburg
Guido Westerwelle në LuksemburgFotografi: picture-alliance/dpa

Shtetet e Bashkimit Evropian po i çojnë përpara planet për një angazhim të mundshëm ushtarak të BE, për sigurimin e ndihmave humanitare në Libi. Ministrat e jashtëm të BE diskutuan sipas së Ngarkuarës për Politikën e Jashtme të BE, Catherine Ashton, të martën (12.04.) në Luksemburg për një koncept angazhimi. Por për këtë koncept megjithatë nuk u mor ndonjë vendim. Catherine Ashton u bëri sërish thirrje mbështetësve të Gaddaffit, që të angazhohen për një tranzicion paqësor në demokraci:

"Regjimi libian duhet t'i japë fund dhunës kundër qytetarëve dhe të respektojë të drejtat e njeriut. Dhe ata që bashkëpunojnë me regjimin kanë një alternativë: ata mund të vazhdojnë të mbështesin represionin brutal të kolonel Gaddaffit ose mund të punojnë për një kalim të rregullt në demokraci. Midis të tjerash ne mbetemi shumë të shqetësuar për situatën humanitare në Libi"

Kjo situatë paraqitet e rëndë. Në takimin e ministrave të jashtëm të BE morën pjesë edhe përfaqësues të kryengritësve libianë. Dhe ata folën për një situatë dramatike. Ali al- Essawi nga Këshilli Tranzitor Nacional i Libisë:

"Ne kemi rreth 30 mijë të plagosur dhe 7000 të plagosur rëndë, jeta e të cilëve është në rrezik. Ne presim më tepër angazhim, për ta mbrojtur jetën e civilëve libianë kundër agresionit në vend."

Franca dhe Britania e Madhe i kërkuan NATO-s që t'i intensifikojë sulmet kundër trupave të pushtetmbajtësit Muammar el Gaddafi. Gjermania përsëriti pozicionin e saj: ajo nuk do të marrë pjesë në luftë, por do të ndihmojë për të pakësuar vuajtjet që janë krijuar si pasojë e luftës. Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle:

"Nëse Ocha - pra Organizata humanitare e Kombeve të Bashkuara - flet për një nevojë dhe thotë: neve na nevojitet një shoqërim ushtarak, për të arritur për shembull me rrugë detare një port, ne natyrisht që nuk do t'i shmangemi këtij detyrimi, me qëllim që ndihma mjekësore të arrijë në destinacion."

Por të jetë për ministrin e Jashtëm gjerman, situata nuk duhet të shkojë deri në këtë pikë. Westerwelleja shpreson që sanksionet e sapovendosura më të ashpra të bëjnë efekt, që Gaddaffit t'i mbyllet rubineti i parave dhe që konflikti të marë fund shpejt.

Evropianët janë të të njëjtit mendim se kriza në fund nuk do të zgjidhet ushtarakisht, por në rrugë politike. Ministrat e Jashtëm të Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe udhëtuan për këtë shkak sërish në Doha. Atje ata duan të diskutojnë me SHBA, Ligën Arabe dhe përfaqësuesit libianë për të ardhmen e Libisë.

Autor: Auron Dodi (DW, Kails, dpae)

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi