1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE i rezervuar në çështjen e Katalonjës

4 Tetor 2017

Zyrtarisht, Komisioni i BE nuk është pozicionuar për referendumin e pavarësisë në Katalonjë. Deputetë evropianë kërkojnë ndërmjetësim.

https://p.dw.com/p/2lA3c
Barcelonë - grevë për pavarësinë, 03.10.2017
Barcelonë - grevë për pavarësinë, 03.10.2017Fotografi: Getty Images/AFP/P.-P. Marcou

Disa politikanë katalanas, por jo qeveria e Katalonjës, si dhe Grupi Parlamentar i Gjelbër në Parlamentin Evropian kërkojnë nga Komisioni Evropian në Bruksel që të ndërmjetësojë në grindjen midis Madridit dhe Barcelonës. Vetë BE, pas përleshjeve në Katalonjë nuk pozicionohet. "Bëhet fjalë për procese dhe për ndërtimin e shtetit në shtetin anëtar të Spanjës, në të cilin BE nuk ndërhyn," kanë bërë të ditur javët e fundit herë pas herë zëdhënës të BE. Krahas kësaj pikëpamjeje juridike duhet pasur parasysh edhe që "dhuna nuk mund të jetë asnjëherë mjet i zgjidhjes së konflikteve politike", tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas. "Të dyja palët duhet ta kalojnë tani nga konfrontimi në dialog". Komisioni i BE ka besim në aftësinë e kryeministrit spanjoll Mariano Rajoy për ta menaxhuar situatën. Votimin e së dielës, Komisioni Evropian e konsideron të kundraligjshëm.

Të Gjelbrit në Parlamentin Evropian e shohin në rrezik sundimin e ligjit në Spanjë dhe kërkojnë nga Komisari përgjegjës i BE, Frans Timmermans, që të ndërmjetësojë midis qeverisë qendrore dhe lëvizjes katalanase të pavarësisë. Megjithatë, BE nuk mund të ndërmjetësojë kundër vullnetit të shtetit anëtar Spanjë, gjykatat më të larta të të cilit e shpallën të paligjshëm referendumin e së dielës. Një ndërmjetësues duhet të ftohet nga të dyja palët, thanë diplomatë të BE në Bruksel. Nga pikëpamja juridike, çdo shtet anëtar është vetë përgjegjës për ndërtimin e brendshëm të shtetit të tij.

Grevë për pavarësinë në Barcelonë
Grevë për pavarësinë në Barcelonë Fotografi: Getty Images/AFP/P.-P. Marcou

Një shtet "Katalonjë" do të ndodhej jashtë BE

Votimi në Skoci për një pavarësi të mundshme në vitin 2014 u krye sipas BE në kushte krejt të tjera, meqenëse qeveria qendrore në Londër ishte shprehur dakord me mbajtjen e një referendumi. Katalonja: Adiós Spanien! Adéu BE? Komisioni i BE bëri të qartë edhe njëherë para referendumit në Katalonjë, që një shtet i pavarur Katalonjë nuk do të ishte më pjesë e BE dhe duhet të kandidonte për t'u pranuar në BE. E njëjta procedurë do të kishte vlejtur edhe për Skocinë, po të kishin votuar pro pavarësisë skocezët.

Europarlamentarët kërkojnë ndërmjetësim

Të dyja grupet e mëdha parlamentare të Parlamentit Evropian, konservatorët dhe socialistët deri tani janë shprehur kundër që tema Katalonjë të vihet në rend të ditës. Në të dyja grupet parlamentare, deputetët spanjollë e kundërshtuan një plan përkatës të Grupit Parlamentar të vogël Të Gjelbër. Kryetari i Grupit Parlamentar në Parlamentin Evropian, Guy Verhofstadt nuk dëshiron të përzihet në punët e brendshme, por e dënoi në Bruksel përdorimin e dhunës nga të dyja palët si "absolutisht të papranueshëm". Është koha më e përshtatshme për deeskalim. "Vetëm një zgjidhje politike, në të cilën të përfshihen të gjitha palët, edhe opozita në parlamentin katalanas, me respekt për kushtetutën dhe rendin juridik do të na çojë përpara", tha Verhofstadt.

 

Bernd Riegert' Korrespondent nga Brukseli, me fokus te njerëzit, ngjarjet dhe politikat në BE