1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE: Qëndrime të ndryshme në lidhje me zhvillimet në vendet e Magrebit dhe refugjatët

22 Shkurt 2011

MPJ të BE-së e dënuan qëndrimin brutal të forcave libiane të rendit kundër demonstruesve. Por qëndrimet e tyre në lidhje me zhvillimet në vendet e Magrebit dhe përreth si dhe në çështjen e refugjatëve janë të ndryshme.

https://p.dw.com/p/10LUV
Emigrantë nga vendet e MagrebitFotografi: picture alliance/dpa

Në lidhje me përmbysjet paqësore në Tunizi dhe Egjipt BE reagoi me vonesë dhe kujdes. Tani në rastin e dhunës në Libi, Evropa nuk di si të sillet dhe është e përçarë. Përfaqësuesja e jashtme e BE-së Catherine Ashton u shpreh plot zemërim me fjalët:

"Ne e dënojmë shtypjen e vazhdueshme të demonstruesve në Libi dhe dhunën dhe vrasjen e personave civilë".

Por në rastin e Libisë BE rrezikon shumë. Fjala është për interesa biznesi si dhe për problemin e refugjatëve. Qeveria e Libisë kërcënoi se në rast se BE-ja do të vazhdojë të mbështesë demonstratat, do të anulojë marrëveshjen që ka me BE për sigurimin e kufijve. Werner Hoyer, ministër shteti pranë MPJ gjermane u shpreh: „Ky është një devijim i pabesueshëm. BE nuk duhet të lejojë t'i bëjnë shantazh.“

Por vendet e BE-së që janë të prekura drejtpërdrejt prej refugjatëve mendojnë disi ndryshe. Tonio Borg, MPJ i Maltës tha: "Ky nuk është kërcënim, kjo është e vërteta. Aty ku ka rajone të paqëndrueshme, krijohet presion në kufij, sikurse e pamë në rastin e Tunizisë.“

Franco Frattini
Franco FrattiniFotografi: picture-alliance /dpa

Shumica e refugjatëve nga Afrika Veriore zbarkojnë fillimisht në Itali dhe prandaj qeveria italiane është tepër e interesuar për raporte të qëndrueshme. Për këtë MPJ i Italisë Franco Frattini tha, se duhet ruajtur patjetër njësia e shtetit të Libisë:

"Jam mjaft i shqetësuar për vetëshpalljen e të ashtuquajturit Emirati islamik Bengazi. A mund ta përfytyroni një emirat islamik në kufijtë e Evropës? Ky do të ishte një kërcënim shumë serioz.“

Frattini kërkoi një „plan Marshall“ për Afrikën Veriore, për të përmirësuar raportet ekonomike të atjeshme dhe shtoi një fjali të çuditshme: "ne nuk duhet të krijojmë përshtypjen e gabuar se duam të eksportojmë demokracinë tonë atje".

MPJ i Suedisë Carl Bildt, u shpreh: "Nuk është fjala vetëm për të mbështetur tani Tunizinë dhe Egjiptin, - kjo është tepër e rëndësishme – apo për të parë se ç'mund të bëjmë në Libi. Fjala është për t'i ndihmuar ekonomitë dhe shoqëritë e këtyre vendeve që të hapen në një perspektivë afatgjatë. Ndryshe trazirat do të përsëriten vit pas viti.“

MPJ e dënuan në deklaratën e tyre dhunën për motive fetare. Ndërkohë që autoritetet egjiptiane kanë kërkuar që Evropa të ngrijë pasuritë e ish-presidentit Hosni Mubarak dhe disa ish-figurave të tjera drejtuese. Kjo pritet që të ndodhë tani, sepse shumë qeveri të BE-së, ndër to edhe qeveria gjermane, janë treguar të gatshme ta bëjnë këtë në rast se kjo kërkohet prej Egjiptit.

Autor: Christoph Hasselbach / Pandeli Pani

Redaktoi: Elert Ajazaj