1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE rrit presionin ndaj Bjellorusisë dhe Ukrainës

2 Tetor 2011

Krerët e BE-së kërkuan nga regjimi bjellorus që të respektojë të drejtat e njeriut dhe që të lirojë të burgosurit politikë. Ndërkaq pesë republikave të tjera ish-sovjetike iu hap një perspektivë e re evropiane.

https://p.dw.com/p/12k1u
Në foto, Barroso, Rompuy dhe Tusk
Në foto, Barroso, Rompuy dhe TuskFotografi: dapd

Një karrige mbeti bosh në Varshavë. Ambasadori bjellorus anulloi pjesëmarrjen e tij për shkak të siç u tha, "diskriminimit" të vendit të tij nga Bashkimi Evropian. Presidenti Aleksander Lukashenko gjithsesi e ka të ndaluar të udhëtojë për në Evropë. Bashkimi Evropian kërkon nga qeveria bjelloruse lirimin dhe rehabilitimin e të gjithë të burgosurve politikë, zgjedhje të lira dhe një dialog politik me opozitën. Kancelarja gjermane Angela Merkel u takua të enjten në mbrëmje me përfaqësuesit e opozitës bjelloruse. Para gazetarëve ajo u shpreh e deprimuar mbi gjendjen politike në Bjellorusi.

Angela Merkel gjatë takimit me opozitarët bjellorusë
Angela Merkel gjatë takimit me opozitarët bjellorusëFotografi: dapd

"Ne aktualisht shohim pak demokratizim. Pra nëse ndodh demokratizimi atëherë natyrisht që do të ketë përpjekje pastaj që të ndihmohet Bjellorusia por ajo çfarë kam dëgjuar dje më bën të mos jem shumë optimiste, këtë më duhet ta them shumë sinqerisht."

Opozita bjelloruse e vlerëson angazhimin gjerman

Merkel u përgjigj edhe ndaj pyetjes nëse Bashkimi Evropian duhet që në këto rrethana të bashkëpunojë ekonomikisht me Bjellorusinë.

"Gjithmonë është një shpatë me dy tehe. Një pjesë e opozitës së paku ka thënë se ne duhet të flasim edhe me ekonominë, sepse forcimi i bashkëpunimit ekonomik është parë nga ana e tyre në mënyrë kritike. Nga ana tjetër,  duhet të mirret gjithmonë parasysh se çfarë nënkupton kjo për njerëzitë, në qoftë se ekonomia shkon më tej drejt greminës. Por unë sigurisht që do të bisedojë edhe njëherë me ekonominë gjermane për situatën politike e cila  është krejtësisht e pakënaqshme. Nga ana tjetër, opozita bjelloruse e çmon shumë që ne po angazhohemi."

Në foto, Donald Tusk
Në foto, Donald TuskFotografi: DW

Në thumb të kritikave edhe Ukraina

Presidenti ukrainas Viktor Janukoviç, vendi i të cilit kritikohet po ashtu, mori pjesë megjithatë personalisht në samit. Atij iu desh të dëgjoj kryesisht kritikat për procesin gjyqësor kundër rivales së tij, ish kryeministres Julia Timoshenko, i cili për shumëkend është një proces politik. Nikoqiri i samitit, kryeministri i Polonisë Donald Tusk e bëri të qartë se Ukraina nuk duhet ta konsiderojë si çështje të vetkuptushme nënshkrimin e marrëveshjes së Asociimit dhe Tregtisë së Lirë me Bashkimin Evropian.

"Ne ia kemi bërë shumë të qartë qeverisë ukrainase se trajtimi i keq i opozitës dhe shkelja e të drejtave të njeriut dhe të drejtave qytetare i vështirësojnë aspiratat evropiane të Ukrainës dhe mund të lënë nën hije edhe përfundimin e negociatave. Ne shohim tek qeveria shenja të vullnetit të mirë por ne do të shohim me kujdes se si do të zhvillohet situata më tej."

Füle nuk e përjashton mundësinë e anëtarsimit në BE

Në foto, Stefan Füle
Në foto, Stefan FüleFotografi: AP

Ukraina shpreson që deri në fund të këtij viti të ketë nënshkruar marrëveshjen për tregti të lirë. Ndërkohë, ka spekulime se qeveria e Ukrainës eventualisht do të përfundojë procesin ndaj Timoshenkos me një dënim të lartë me të holla dhe do t'i hapë rrugë nënshkrimit të marrëveshjes.

Si do të mund të duket e ardhmja e largët e gjashtë shteteve të "Partneritetit Lindor"? Një anëtarsim në BE, siç është rregullar me Nenin 49 të Traktatit të Lisbonës deri tani nuk ka ardhur në shprehje për këto vende. Megjithatë komisioneri i zgjerimit Stefan Füle nuk e përjashtoi më as këtë mundësi në Varshavë.

"Ata që punojnë në vlerat dhe parimet e Partneritetit Lindor po i afrohen gjithnjë e më shumë BE-së më shumë dhe duke u mbështetur në një pikë të veçantë të nenit 49 mund të aplikojnë për anëtarësim. Nuk ka më mure të betonit."


Autor: Christoph Hasselbach / Esat Ahmeti

Redaktoi: Elert Ajazaj