1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE: Zgjedhjet në Kosovë u zhvilluan në mënyrë të rregullt

Bekim Shehu9 Qershor 2014

E ngarkuara e BE-sё pёr Politikёn e Jashtme dhe tё Sigurisё, baronesha Catherine Ashton, vlerësoi se zgjedhjet e 8 qershorit në Kosovë janë një hap përpara në konsolidimin e demokracisë.

https://p.dw.com/p/1CF4d
Wahl im Kosovo 08.06.2016
Fotografi: DW/B. Shehu

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikëne Jashtme dhe të Sigurisё, baronesha Catherine Ashton, vlerësoi se zgjedhjet e 8 qershorit janë një hap përpara në konsolidimin e demokracisë së Kosovës. Nëpërmjet një deklarate për media e lëshuar nga zyra e përfaqësuesit të saj në Kosovë, Ashton thotë: "Tani presim me padurim krijimin sa më të shpejtë të qeverisë, e cila do të vazhdojë punën në të gjitha sfidat kryesore, përfshirë reformat ekonomike, përpjekjet për të përmirësuar sundimin e ligjit si dhe vazhdimin e zbatimit të Marrëveshjes së prillit 2013, e cila rrjedh nga dialogu për normalizimin e raporteve me Serbinë. Bashkimi Evropian mbetet plotësisht i angazhuar në perspektivën evropiane të Kosovës dhe do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e saj në këtë drejtim", thotë Catherine Ashton.

Ajo përgëzon vëzhguesit e BE-së për punën e tyre në Kosovë. E këta të fundit konfirmuan të hënën (09.06.2014)se zgjedhjet në Kosovë janë mbajtur në mënyrë të rregullt.

Edhe forcat paqerujatëse të KFOR-it, të cilat ishin të angazhuara kryesisht në veri të Kosovës, vlerёsuan atmosferёn e qetё, në të cilën u mbajtën zgjedhjet. "Atmosfera e qetë, në të cilën u zhvilluan zgjedhjet tregon edhe një herë pjekurinë demokratike dhe ndjenjën e detyrimit qytetar tek të gjithë njerëzit e Kosovës, si dhe tregon shkallën e lartë të efikasitetit dhe profesionalizmit të Policisë së Kosovës. Pjesëmarrja e lartë e qytetarëve të grupeve të ndryshme etnike dhe minoriteteve është një manifestim i qartë i shpirtit demokratik, i cili i karakterizon qytetarët e kësaj pjese të Ballkanit", tha komandanti i KFOR-it, gjeneral Salvatore Farina, nëpërmjet një deklarate për media.

Komandanti i KFOR-it, këto zgjedhje i konsideron "një histori suksesi për Kosovën", një arritje për procesin e normalizimit të raporteve midis Prishtinës dhe Beogradit, një shembull i demokracisë dhe pluralizmit.

Sidoqoftë, pas përfundimit të zgjedhjeve dhe fitores së shënuar nga PDK-ja, me rreth 31 %, sipas analistëve të pavarur, sfidë për Hashim Thacin do të jetë krijimi i koalicionit të ardhshëm qeveritar. Pas certifikimit të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, PDK-ja është e detyruar të gjej një apo dy parti politike, partnere për krijimin e koalicionit qeveritar.