1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Po investojmë në bashkimin e veriut me Serbinë!"

Bahri Cani28 Shtator 2013

Bashkëjetesa mes serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë ëshë në një nivel shumë të ulët. Shanset për përmirësim të gjendjes pas zgjedhjeve të ardhshme lokale nuk janë reale, thotë analisti Behlul Beqaj.

https://p.dw.com/p/19ppv
Fotografi: DW

Deutsche Welle: Zoti Beqaj, si e shihni ju perspektivën e bashkëjetesës shqiptaro - serbe në Kosovë? Ekziston një perspektivë e tillë, apo serbët dhe shqiptarët janë larguar kaq shumë mes vete, sa që është iluzore të flitet për këso gjërash?

Behlul Beqaj: Do të ishte irracionale të mendohet se nuk ekziston perspektiva e bashkëjetesës në Kosovë. Por nuk është reale të mendojmë se perspektiva mund të ndërtohet sot, aq më parë kur dihet se nuk janë eliminuar shkaqet e konfliktit shekullor mes serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës.

DW: Për cilat shkaqe historike e keni fjalën?

Behlul Beqaj: Po flas për aspektin historik dhe mundësinë e kompromisit, sepse tani po lansohet ideja e një gjoja kompromisi mes serbëve dhe shqiptarëve, i cili duhet të ndodhë për shkak të përparësisë historike të serbëve mbi trojet shqiptare dhe përkatësisë etnike shqiptare mbi këto troja. Pra një lloj komprimisi mes të drejtës historike të serbëve dhe entike të shqiptarëve. Por mendoj se kjo është e paqendrueshme, sepse historia e këtyre trevave nuk fillon me ardhjen e serbëve këtu. Ato kanë ekzistuar edhe para tyre. Domethënë, duhet të bëhet një rishikim historik nëse duam ta elliminojmë shkakun historik të konfliktit mes serbëve dhe shqiptarëve.

DW: Rishikimi historik me siguri që nuk mund të bëhet për një kohë të shkurtër. Kur e kemi parasysh këtë fakt, konfliktet e fundit të përgjakshme dhe realitetin e sotëm të ndarë, perspektiva e një bashkëjetese në Kosovë mes serbëve dhe shqiptarëve duket e zymtë?

Behlul Beqaj: Perspektiva ekziston, por nuk janë eliminuar shkaqet që atë e bëjnë të kapshme. Një, nuk është eliminuar shkaku i perceptimit historik dhe gjeostrategjik. Serbët mendojnë se çështja e Kosovës ka një karakter shpirtëror. Unë mendoj se ka shumë fakte që flasin se qëllimi i tyre nuk ka qenë realizimi i elementeve shpirtërore dhe miteve, por ka qenë dalja në detin Adriatik, që shihet edhe në planin e Garashaninit. Ndaj fillimisht duhet të bëhet një lustrim dhe pastrim i mentalitetit serb karshi trojeve shqiptare. Dy, në Serbi nuk ka një lidership me personalitete të forta si Charles de Gaulle, Adenaueri apo Willi Brandt, të cilët janë në gjendje të përkulen dhe të kërkojnë falje për krimet e bëra në Kosovë, sepse veprat e serbëve në Kosovë janë verifikuar prej botës si krime. Derisa në Serbi nuk gjendet një lidership i gatshëm të përballet me të kaluarën, nuk e besoj se mund të ketë perspektivë për një të nesërme më të mirë. Por kjo nuk do të thotë se pasnesër nuk do të dalë dikush që mund t'i pranojë gabimet që janë bërë në emër të serbëve gjatë historisë dhe të kërkojë dorën e pajtimit edhe me shqiptarët.

DW: Kur jemi tek raportet mes shqipatrëve dhe serbëve, në Kosovë flitet shpesh se ka dallime në raportet me serbët e veriut dhe atyre të pjesëve qendrore të vendit?

Behlul Beqaj: Dallimi është mjerisht produkt i qasjeve të pushtetit ndaj popullit. Pushteti serb ka luajtur me vite të tëra me serbët në veri. Por nuk mund të amnistohet as pushteti në Kosovë, sepse nga veriu janë shpërngulur shumë shqiptarë dhe për këtë nuk flet askush. Pra kemi një situatë paradokslale, sepse në Kosovë po kërkohet një zgjidhje për problemin etnik. Nga ana tjetër kërkohet respektimi i standardeve evropiane, e një prej tyre është ndërtimi i shoqërisë multietnike dhe multikulturore. Por pikërisht BE dhe diplomatët amerikanë që e mbështesin procesin e negociatave, por kërkojnë që në Kosovë të arrihet një zgjidhje etnike për një problem të karakterit multientik. Ky ëshë një paradoks i llojit të veçantë, i cili nuk i ndihmon perspektivës së pajtimit mes shqiparëve dhe serbëve. Përkundrazi, ndoshta tani mund të arrihet një zgjidhje, e cila përkohësisht e qetëson gjendjen në veri, por në shtigje më të gjata, ne po investojmë në destabilizimin e veriut. Aq më tepër kur dihet se serbët e jugut i kanë pranuar, kushtimisht thënë, institucionet e Kosovës. Zgjedhjet e tanishme lokale po bëhen vetëm pse pjesa veriore nuk do të integrohet, nuk e pranon shtetin e pavarur të Kosovës dhe nuk dëshiron të jetojë me shqiptarët. Serbia i ka indoktrinuar serbët për vite të tëra në drejtim të bashkimit me Serbinë dhe jo me Kosovën. Tani mund të ketë ndoshta një zgjidhje të përkohshme, por jo edhe një zgjidhje e cila do të ndryshonte mentalitetin dhe do të mundësonte bashkëjetesë mes serbëve dhe shqiptarëve në shtetit e pavarur të Kosoës.

DW: Mendoni Ju se serbët në veri do të marrin pjesë në zgjedhjet e Kosovës?

Behlul Beqaj: Serbët do të marrin pjesë në zgjedhje dhe kjo do të pranohet si fakt, sepse në Kushtetutën tonë nuk ka kufizime se sa duhet të jetë pjesëmarrja që zgjedhjet të jenë të vlefshme. Mendoj se me bashkimin e disa komunave do të krijohet një entitet i fortë, i cili pas një periudhe jo tepër të gjatë - besoj se ne do të jemi gjallë deri atëherë - do të kërkojë bashkimin me Serbinë, në vend se të bashkohen në institucionet e Kosovës. Pra ne po investojmë në destabilizimin e mëtutjeshëm të Kosovës. Mjerisht me këto zgjidhje paliative ne po investojmë në acarimin e raporteve në të ardhmen. Në vend të bashkëjetesës, shqiptarët dhe serbët do të largohen edhe më tepër mes vete, me fajin e politikës së tanishme, e cila vepron vetëm nga perspektiva e mbetjes në pushtet.

DW: Nëse ju kuptova mirë, Ju jeni të mendimit se zgjedhjet janë një përpjekje e palës serbe që të unifikohet, para se të kërkojë ndarjen e kësaj pjese, dhe jo një hap drejt integrimit në institucionet e Kosovës?

Behlul Beqaj: Prognozat dhe analizat e mia të deritanishme flasin se serbët pas zgjedhjeve do të shkojnë më afër Serbisë se sa që do t'i afrohen Kosovës.