1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Berlin- Paris! 55 vjet Marrëveshje Elysée

Andreas Noll
22 Janar 2018

Bundestagu në ofensivë. Në jubileun e Marrëveshjes së Elysée-së deputetët e dy vendeve si dhe Merkel dhe Macron duan të angazhohen për një reformim të saj.

https://p.dw.com/p/2rG5e
Geschichte Deutschland Frankreich Umarmung Kuss Elysée-Vertrag
Fotografi: Getty Images

Katër muaj pas zgjedhjeve të Bundestagut, deputetët në Berlin ende presin të fillojnë mirë punën. Për shkak se nuk ka qeveri rë re, puna parlamentare është si e paralizuar. Ndryshe në Francë. Aty 44 vjeçari François de Rugy punon me intensitet të lartë. Deputetët francezë kanë mbyllur një sërë reformash, mes tyre edhe atë të tregut të punës. Kur François de Rugy të marrë fjalën në Bundestag në paraditen e së hënës, presidenti i Asamblesë Kombëtare Franceze do të përpiqet të nxisë edhe gjermanët drejt një reforme. Reformën e marrëveshjes Elysée që sot (22.01) ka 55 vjetorin.

Marrëveshja historike u nënshkrua mes presidentit francez Charles de Gaulle dhe kancelarit gjerman, Konrad Adenauer më 22 janar 1963 e tani duhet t'i përshtatet shekullit të ri. Nuk bëhet fjalë për më shumë bashkëpunim, por për një "deklaratë të re politike" të bashkëpunimit gjermano-francez, siç thekson deputeti i CDU-së, Andreas Jung, drejtues i grupit parlamentar gjermano-francez që duhet të miratohet të hënën nga Bundestagu.

François de Rugy
François de Rugy, presidenti i Asamblesë Kombëtare franceze merr fjalën në Bundestag të hënënFotografi: picture alliance/dpa/A.Marchi

"Më mirë bashkë, se kushdo për vete"

Kjo rezolutë do të ishte edhe një sinjal për presidentin, Emmanuel Macron, pra që Gjermania e ndan dëshirën e Emmanuel Macron për reforma në Europë dhe një bashkëpunim më të mirë gjermano-francez. Ky dokument u kërkon qeverive të të dyja vendeve të nisin projektet e përbashkëta që janë prej vitesh në axhendë, si shkollat profesionale të përbashkëta, zgjerimin e klasave bilinguale apo bashkëpunim në fushën digjitale.

Andreas Jung vë shpresat tek bashkëpunimi ekonomik. "Për herë të parë ka një pohim të qartë për një hapësirë ekonomike gjermano-franceze. Jo vetëm me treg të përbashkët, por edhe me rregullore të përbashkëta në të drejtën ekonomike, të drejtën e insolvencës, etj, e me këtë thekson se së bashku jemi më mirë se sa secili për vete", thotë Jung.

Bilanci i deritanishëm jo edhe aq për duartrokitje

Nuk dihet nëse rezoluta e arrin efektin e saj. "Kemi hedhur një vështrim në disa nga deklaratat gjermano-franceze në të shkuarën. Aty mund të zhgënjehesh, sepse janë vënë shumë pak gjëra në jetë nga ato që janë shkruar", thotë Frank Baasner, drejtues i Institutit Gjermano-Francez në Ludwigsburg. Edhe disa nga projektet e tanishme kanë qenë të shenjuara në deklaratat e dikurshme. Angela Merkel e Nikolas Sarkozy kanë synuar një afrim të tatimit të bizneseve që në vitin 2011. Por edhe tani nuk ka ndonjë progres në këtë drejtim.

Deutschland Bundestag Debatte zum Thema Antisemitismus | Übersicht
Fotografi: imago/C. Ditsch

Megjithatë Frank Baasner e vlerëson impenjimin e deputetëve. Disa gjëra ndoshta duhen provuar disa herë! Si për shembull. "Shkolla e Lartë gjermano-franceze si ide është shumë e vjetër, por nuk ka funksionuar kurrë. Tani është krijuar një konstrukt interesant: një organizatë përmbi, nën të cilën universitetet si në Francë edhe në Gjermani punojnë me shumë sukses në të gjitha lëndët."

Ku mund të bashkëpunohet më thellë

Baasner identifikon tre fusha që përshtaten për një bashkëpunim më të ngushtë: Mbrojtja, Tatimi i Bizneseve dhe mobiliteti mes Gjermanisë dhe Francës. Veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe armatimit ka përparime pas ardhjes në pushtet të Donald Trump. 23 nga 28 vende, pra një shumicë e vendeve të BE është shprehur për bashkëpunim më të ngushtë. Gjermania dhe Franca mund të jenë vende avangardë në këtë drejtim.

Frankreich Nationalversammlung Premierminister Edouard Philippe
Asambleja kombëtare FrancezeFotografi: picture-alliance/abaca/C. Liewig

Por edhe këtu ka ngecje. Tradita e vjetër franceze që i dërgon ushtarët të luftojnë edhe jashtë vendit has në rezervimin gjerman. Por jo vetëm ushtarët, edhe parlamentarët do të afrohen më shumë- Edhe pse kanë nevojë për përkthyes, komisionet do të takohen më shpesh për të kërkuar zgjidhje të përbashkëta për çështjet europiane. E për këtë marrëveshje parlamentare gjermano-franceze, parlamentarët nuk kanë nevojë për miratimin e qeverive të tyre.