1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Berlini e Parisi - shqetësim për nismën e Gjykatës Speciale

Bekim Shehu''
11 Janar 2018

Dy emisarë nga ministritë e jashtme të Gjermanisë e Francës Dr. Christian Hellbach dhe Thomas Bertin janë në Prishtinë. Vizita zhvillohet në sfondin e shqetësimeve për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale.

https://p.dw.com/p/2qfRH
Kosovo Christian Hellbach bei Hashim Thaci
Fotografi: Kosovo presidency

Presioni ndërkombëtar ndaj udhëheqësve të institucioneve të Kosovës që mos ta zhbëjnë ligjin për Gjykatën Speciale për Krime Lufte nuk ka të ndalur. Dy emisarë, njëri nga Gjermania dhe një nga Franca erdhën të merkurën në mbrëmje në Prishtinë për, siç thuhet, t'i bindin udhëheqësit politik kosovarë që të heqin dorë nga synimet për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale.

Takim me presidentin Thaçi

Dr. Christian Hellbach, i dërguari i posaçëm për Evropën Juglindore, Turqinë dhe shtetet e EFTA-s në Ministrinë Gjermane të Punëve të Jashtme, dhe Shefi i Departamentit të Ballkanit Perëndimor të Ministrisë Franceze të Punëve të Jashtme dhe Evropiane, z. Thomas Bertin, të merkurën në mbrëmje takuan Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe udhëheqësit e lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurtin dhe Glauk Konjufcën.

Gjatë ditës së enjte të dy emisarët Christian Hellbach dhe Thomas Bertin takojnë edhe përfaqësues të shoqërisë civile. Takimet e ndara u zhvilluan larg syrit të medias. Ambasada gjermane, sapo emisarët gjerman dhe francez erdhën në Prishtinë bëri të ditur nëpërmjet një komunikate për medie se vizita zhvillohet në spondin e shqetësimeve rreth Gjykatës Speciale. "Vizita zhvillohet në sfondin e shqetësimeve në Berlin dhe Paris lidhur me përpjekjet e fundit për të shfuqizuar ligjin mbi Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e prokurorit të specializuar. Tema të tjera për t'u diskutuar përfshijnë domosdoshmërinë e vazhdimit të reformave, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, demokracisë dhe qeverisjes së mirë, të cilat janë thelbësore për afrimin e mëtejshëm të Kosovës drejt Bashkimit Evropian”, thuhet në komunikatën me shkrim të ambasadës gjermane në Prishtinë.

Kosovo Parlament in Pristina
Fotografi: Reuters/H. Reka

Nisma ende në fuqi

Deputetët e parlamentit të Kosovës janë në pushim deri me 15 janar, mirëpo, nisma për thirrjen e një seance të jashtzakonshme për ta shfuqizuar ligjin për Gjykatën Speciale akoma nuk është shuar. Ishin 43 deputetë të kuvendit të Kosovës që bënë përpjekje për ta shfuqizuar ligjin për këtë gjykatë, mirëpo, reagimet nga komuniteti ndërkombëtar dhe vendet e QUINT, ishin të ashpra.

Ambasadorët e këtyre shteteve të akredituar në Prishtinë u shprehen ”të dëshpëruar nga një nismë që doli nga asgjëkundi, pa debat publik për një çështje me interes thelbësorë për qytetarët e Kosovës”. "Këto përpjekje, nëse kanë sukses, do të kenë ndikime të thella negative për të ardhmen e Kosovës si pjesë e Evropës” u tha ndër të tjera në reagimet e ambasadorëve të QUINT.

Për Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, zhurma dhe shqetësimi i komunitetit ndërkombëtar rreth nismës së deputetëve për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale,  janë të ekzagjeruara. "Vendimi për ngritjen e Gjykatës Speciale është në fuqi, ndërsa janë të panevojshme teprimet rreth kësaj çështjeje duke krijuar një panik tek qytetarët e vendit”, tha Presidenti Thaçi për mediet në Prishtinë. Presidenti Thaçi, tha se nëse kuvendi i Kosovës e shfuqizon ligjin për Gjykatën Speciale, ai do ta nënshkruaj atë ligj, sepse në të kundërtën siç shprehet ai do të bënte shkelje kushtetuese nëse nuk do ta nënshkruante ligjin. "E kam obligim kushtetues e ligjor dhe nuk mund të mohoj apo kthej vullnetin e deputetëve”, u shpreh Presidenti Thaçi.