1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tregti e lirë nga Lisbona në Vladivostok?

la/vfb (SZ, dpa, afp, rtr)24 Janar 2015

Qeveria gjermane i ka ofruar Rusisë një ofertë të rëndësishme për të zhbllokuar ngrirjen e konfliktit në Ukrainë. Sipas mediave gjermane, Berlini i ofron Moskës kooperim të ngushtë ekonomik, shkruan Süddeutsche Zeitung.

https://p.dw.com/p/1EPta
Merkel in Davos
Fotografi: WEF

Qeveria gjermane i ka ofruar Rusisë kooperim të ngushtë ekonomik madje me perspektivë krijimin e një zone të tregtisë së lirë, sipas informacioneve që zotëron gazeta e njohur „Süddeutsche Zeitung“ nga Mynihu. Qëllimi është dalja nga qorrsokaku i konfliktit në Ukrainë.

Merkel për zonë të mundshme tregtie me Rusinë

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka bërë fjalë për këtë ofertë në Forumin Botëror Ekonomik në Davos. Ajo përmendi opcionin e bisedimeve mes Bashkimit Europian dhe Unionit Euroaziatik të dominuar nga Moska „për mundësitë e një kooperimi në një zonë të përbashkët tregtie“. Si kusht Merkel vuri zgjidhjen paqësore të konfliktit në Ukrainë, njoftojnë mediat gjermane.

WWF 22.01.2015
Sigmar Gabriel në DavosFotografi: Reuters/R. Sprich

Kremlinit i ofrohet rrugëdalje

Ministri gjerman i Ekonomisë, Sigmar Gabriel ka iniciuar një debat në Bashkimin Europian, se çfarë mund t'i ofrohet Rusisë për periudhën e pas luftës në Ukrainë. Hapi tjetër është një diskutim për një zonë të tregtisë së lirë, këtë e ka përmendur edhe Gabriel në Davos. „Ne duhet t'i ofrojmë Rusisë një rrugëdalje“, ka thënë kreu i socialdemokratëve, i cituar nga Süddeutsche Zeitung. Kancelarja dhe zëvendëskancelari kanë përdorur formulën e përmendur disa vite më parë nga presidenti rus për një zonë të tregtisë nga „Lisbona në Vladivostok“.

Zbatimi i armëpushimit!

Si Merkel edhe Gabriel kanë bërë të qartë se me këtë iniciativë lidhet një perspektivë afatgjatë. Por fillimisht Rusia duhet t'i përmbahet marrëveshjes së Minskut. Në marrëveshjen e arritur në shtator, si Rusia, ashtu edhe Ukraina e separtistët prorusë kanë rënë dakord për një armëpushim, i cili praktikisht nuk zbatohet.

01.04.2014 DW Made in Germany Dr. Eckhard Cordes, Ost-Ausschuss der Deutschen Wirtschaft
Fotografi: Eckhard Cordes / Ost-Ausschuss der Deutschen Wirtschaft

Merkel sërish e ka dënuar aneksimin e Krimesë nga ana e Putinit. Prandaj ajo i cilësoi si të pashmangshme sanksionet ekonomike kundër Rusisë. Ato do të hiqen, vetem po qe se përmbushen kushtet. „Po këtë nuk e kemi në dorë ne“, ka thënë Merkel.

Eksportet drejt Rusisë bien

Sipas deklaratave të kryetarit të Dhomës Lindore të Ekonomisë Gjermane, Eckhard Cordes, eksportet gjermane drejt Rusisë kanë rënë në vitin 2014 me 18%. Kjo është një humbje prej rreth 6 miliardë eurosh, i ka thënë Cordes gazetës “'Rheinische Post“ në Dyseldorf. Ndërsa për 2015-n priten zhvillime edhe më pesimiste, nëse nuk ka një zgjidhje për konfliktin në Ukrainë.

Rrezikohen vende pune

Sipas Cordes konflikti bën të rrezikohen vende pune edhe në Gjermani. „Po qe se marrim si të dhënë që rreth 300.000 vende pune në Gjermani varen vetëm nga eksportet me partnerët rusë, mundet që një rënie e pandërprerë e eksporteve me 20% të sjellë humbjen e 60.000 vendeve të punës“, ka thënë menaxheri gjerman Cordes.