1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Berlini nuk arrin ta kuptojë refuzimin irlandez

Betina Marx14 Qershor 2008

Berlini nuk është në gjendje të kuptojë "Jo-në" e irlandezëve për paktin reformues evropian. Në kryeqytetin gjerman u shpresua deri në minutën e fundit që irlandëzët të shprehnin aprovimin e tyre për Paktin e Lisbonës.

https://p.dw.com/p/EJmg
Fotografi: AP

Duke shprehur reagimet e tij me shkrim, ministri i jashtëm gjerman Frank Walter Steinmeier, që ndodhet për një vizitë në Kinë tha se rezultati i referendumit në Irlandë është një goditje e rëndë. Procesi i ratifikimit duhet të vazhdojë, pavarësisht ngha ky rezultat.

Zëvendëskryetari i fraksionit të Të gjelbërve, Jürgen Trittin, tha: "BE është e shokuar dhe e zhgënjyer. Ne i bashkohemi këtij shoku dhe zhgënjimi. Ajo që ndodhi aktualisht në Irlandë ëshët fitore e forcave nacionaliste në Evropë. Prandaj është për të ardhur shumë keq, sepse Irlanda është vendi që ka përfituar më shumë nga vendet e tjera prej pranimit në Bashkimin Evropian."

Trittin i kërkoi kancelares gjermane Angela Merkel, të japë një deklaratë qeveritare ku t`i shpjegojë popullit se çfarë do të ndodhë më tej. BE-ja nuk mund të heqë dorë nga Pakti i Lisbonës: "Me Paktin e Lisbonës, Evropa kërkon të arrijë më shumë demokraci, më shumë të drejta qytetarë dhe më shumë politikë të përbashkët. Nëse prej jo-së irlandeze ky pakt nuk hyn në fuqi, atëherë kjo do të thotë për shembull se Karta Evropiane e të drejtave të njeriut nuk ështe e detyrueshme me ligj për të gjithë, dhe që politika e përbashkët në sektorin e brendshëm dhe atë të jashtëm të mos kontrollohet mjuaftueshëm nga parlamenti. Kjo do të thotë që Evropa të mos ketë politikë të përbashkët në sektorin e jashtëm. E thënë ndryshe, Evropa do të ishte më pak demokraike, më pak e aftë për të vepruar në botën që po globalizohet gjithnjë e më shumë."

Zëdhënësi i politikës së jashtme të fraksionit liberal në Parlament, Werner Hoyer (FDP) kërkon që megjithë refuzimin irlandez procesi i ratifikimit të vazhdojë. Është e drejta e irlandezëve të mos duan të bëjnë me të tjerët rrugën e thellimit të Bashkimit Evropian. Por edhe shtetet e tjera kanë të drejtë të vazhdojnë së bashku rrugën e tyre.

Wolfgang Reinhard, ministër për çështjet evropiane në Landin e Baden Vyrtembergut ( Baden-Württemberg) tregohet i sigurt se BE do të vazhdojë rrugën përpara me gjithë Jo-në irlandeze: "Jacques Delors, pati thënë një herë, Evropa është si një biçikletë, që ose ecën përpara ose rrëzohet. Evropa do të ecë gjithnjë përpara. Ne nuk duhet ta shohim tani Irlandën, sikur të ishte shkaktare për paralizimin e Evropës."