1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

260710 Afghanistan Berliner Reax

27 Korrik 2010

Në faqen e internetit Wikileaks këtë të hënë u botuan mijëra dokumente sekrete për misionin ushtarak ndërkombëtar në Afganistan. Ministria gjermane e Mbrojtjes e ka quajtur të dyshimtë bërjen publike të këtyre të dhënave

https://p.dw.com/p/OVbN
Ministria gjermane e Mbrojtjes verifikon dokumentat e publikuara për Afganistanin
Ministria gjermane e Mbrojtjes verifikon dokumentat e publikuara për AfganistaninFotografi: AP

Me një përmbajtje demonstrative reagoi Ministria e Mbrojtjes ndaj bërjes publike të dokumenteve sekrete në këtë faqe interneti, lidhur me misionin ushtarak në Afganistan. Në bazë të raporteve të mediave deri tani nuk mund të jepet ndonjë vlerësim i ri për këto dokumente, deklaroi zëdhënësi Christian Dienst. Dokumente të shumta janë vlerësuar në kuadër të punës së përditshme, për të parë nëse preken interesat gjermane të sigurisë.

"Për momentin ne duhet të nisemi nga fakti se kështu është apo kështu mund të jetë dhe në bazë të këtyre të dhënave duhet të shikojmë masat që duhet ndërmarrë. Sa i përket misionit dhe veprimeve tona në Afganistan, për momentin nuk ka ndryshuar asgjë."

Lidhur me ndjekjen e udhëheqësve të talibanëve, të cilët janë në një listë sekrete të trupave ndërkombëtare, zëdhënësi Dienst tha se për këtë është informuar edhe Bundestagu gjerman para se të fillojnë pushimet verore.

"Ne informojmë rregullisht Parlamentin lidhur me angazhimet e forcave speciale dhe të aksioneve ,sipas listës me prioritet (Joint Prioritized Effects List). Kjo listë e kryengritësve është miratuar në kuadër të konsultimeve të NATO-s dhe ISAF-it, ndërsa forcat tona speciale bashkëpunojnë me autoritetet vendore në Afganistan për kapjen e tyre. "

Gjahu i njerëzve - moskuptim në Gjermani

Në dokumentet e ushtrisë amerikane poashtu thuhet, siç informon revista gjermane "Der Spiegel", se pjesëtarët e forcave speciale US-Task Force 373 mund të arrestojnë, por edhe të vrasin personat nga lista. Për këtë shkak, shefja e ekologjistëve, Claudia Roth kritikon qeverinë gjermane.

"Në qoftë se këto dokumente janë të vërteta, që forcat amerikane ndërmarrin masa jashtëzakonisht ofensive ushtarake, ku përfshihet edhe vrasja e talibanëve, që do të thotë gjah i njerëzve, atëherë këto masa nuk mund t'i kuptoj fare. Kjo nuk paraqet një ndryshim strategjie drejt një perspektive civile."

Sipas revistës "Spiegel", rreth 300 gjahtarë amerikanë të talibanëve janë të stacionuar në bazën gjermane në Masar-i-Scharif. Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Dienst tha se me amerikanët bëhet një koordinim i rregullt lidhur me veprimet e tyre në sektorin gjerman. Marrëveshjet janë sekrete, por ajo që është prezantuar në media "me siguri që nuk është gabim".


Autor: Bernd Gräßler/Bahri Cani

Redaktoi: Auron Dodi