1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Berlini shpreson të jetë arritur niveli zero i rënies ekonomike

23 Prill 2009

Shtypi gjerman komenton parashikimet mbi zhvillimin e gjendjes ekonomike, të bëra nga institutet kryesore ekonomike në vend. Sipas tyre kriza do të bëhet më e thellë. Produkti i brendshëm bruto do të bjerë me 6 për qind.

https://p.dw.com/p/HcQA
Takim i nivelit të lartë në zyrën e Kancelares në Berlin.
Duke patur parasysh parashikimet e zymta për ekonominë, qeveria gjermane po mban në zyrën e Kancelares një takim të nivelit të lartë me menaxherë, shoqata dhe sindikata.Fotografi: picture-alliance/ dpa

"Handelsblatt" (Düsseldorf)


Shifra e ditës është gjashtë. Kaq bien kapacitetet ekonomike në Gjermani në vitin 2009. Dramatika shprehet në shifra absolute. Produkti i brendshëm bruto tkurret me 150 miliardë euro, që po ta llogaritësh janë gjashtë milionë makina të standartit të mesëm. Megjithë këto shifra horrori të ekspertizës së pranverës, Berlini politik është shumë i qetë dhe shpreson të jetë arritur niveli zero i rënies ekonomike. Një paketë të tretë koniunkturore qeveria e refuzon në marrëveshje me institutet. Me të drejtë? E vërteta e hidhur është se edhe sikur qeveria të donte të bënte më shumë, nuk do t´i mbetej shumë hapësirë veprimi. Kështu mbetet shpresa që edhe kësaj rradhe institutet të kenë gabuar me prognozën e tyre.

"Mannheimer Morgen"


Mundet që në ekonomi të jetë kapërcyer niveli zero dhe që paketat e para të ndihmës të qeverisë, ta kenë bërë të vetën. Por politikisht kriza do të ketë efekt edhe për një kohë të gjatë. Në buxhetet publike, në tregun e punës, dhe në rradhë të parë në sigurimet sociale. Në katër, pesë vitet e ardhshme problemet do të thellohen shumë, nqs sigurimet shëndetësore dhe arkat e pensioneve do të duhet të bluajnë edhe problemin e transformimit demografik.



Kieler Nachrichten :

Ekonomia botërore në vitin 2010 do të fillojë të rritet ngadalë. Prej saj do të përfitojë Gjermania si vend eksportues, por ndoshta me vonesë disavjeçare. Politika koniunkturore nacionale nuk mund të bëjë asgjë, kundër ekonomisë globale të tregut. Qytetarëve nuk u mbetet gjë tjetër, veçse të ushtrojnë durim dhe modesti. Për një shoqëri, e cila për gjashtëdhjetë vjet ka jetuar vetëm rritje të mirëqënies, është një pervojë e vlefshme. Kjo vlen të thuhet edhe për qeverinë: Programi i ardhshëm koniunkturor duhej të mbante titullin shtet i hollë. (av/aca/dpa)