1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Krise Italien

14 Nëntor 2010

Kriza qeveritare në Itali ka arritur një kulm të ri. Silvio Berlusconi është nën presion prej të gjitha palëve, si nga e majta edhe nga e djathta. A po merr fund era e Berlusconit?

https://p.dw.com/p/Q8Q6
Silvio BerlusconiFotografi: AP

Opozita synon ta rrëzojë kryeminstrin me një mocion mosbesimi. Po ashtu sot (15.11.) Gianfranco Fini pritet të tërheqë nga qeveria e Berlusconit pasuesit e vet, ministrin për Evropën, Andrea Ronchi, një zëvendësministër dhe dy sekretarë shteti.

Ai nuk do të japë kurrë dorëheqjen - kjo ishte deklarata e fundit e ende kryeministrit italian Silvio Berlusconi, të cilit i janë prerë krahët dhe është vetëm shef i një qeverie pakice. Në këtë mes është e qartë se qëkurse aleati i dikurshëm i Berlusconi Fini nuk e mbështet më atë dhe i ka bërë thirrje të japë dorëheqjen, gjithçka rrotullohet rreth pyetjes se kur do të shuhen dritat në pallatin e qeverisë dhe para së gjithash, kush do t'i shuajë ato.

Fini është për momentin në një gjendje shumë komode: ai mund ta sjellë rrotull Berlusconin. Pa miratimin e tij qeveria nuk miraton dot asnjë lloj projekti në parlament. Mosdëshira e Berlusconit për të dhënë dorëheqjen ka të bëjë para së gjithash me atë çfarë mund të ndodhë pas dorëheqjes. Në këtë mes përfytyrimet janë shumë të ndryshme.

Përmbysja e qeverisë nuk do të thotë automatikisht zgjedhje të reja. E mundshme është që presidenti italian të emërojë një qeveri trazitore, në rast se arrihen shumicat për një konstrukt të tillë. Kjo nuk është e pamundur dhe Berlusconi ka frikë prej këtij varianti si djalli nga temiani.

Një qeveri e tillë e përbërë nga forca të qendrës përreth Gianfranco Finit, e toleruar prej së majtës, mund të vinte në vijë brenda një afati të caktuar disa projekte të caktuara, përpara se të zhvillohen zgjedhjet e reja. Një ndër to mund të ishte ndryshimi i ligjit elektoral, i cili përbën disavantazh për partitë e vogla dhe preferon alenca të mëdha elektorale duke i mundësuar në këtë mënyrë Berlusconit zgjedhjen e vazhdueshme. Pikërisht për këtë ky ndryshim është një ndër kërkesat qendrore të kundërshtarit të Berlusconit Gianfranco Fini.

Berlusconi nga ana e vet e konsideron veten si viktimë të një intrige dhe kërkon organizimin e menjëhershëm të zgjedhjeve të reja, duke e ditur, se do të kishte shanse të mira për t'i fituar ato. Ajo që mbetet e hapur është se çdo të ndodhë vërtet dhe para së gjithash kur. Silvio Berlusconi e ka përçarë thellë vendin. Aq thellë sa para tij vetëm ndoshta diktatori Benito Mussolini. Njerëzit janë pro ose kundër tij - diçka të mesme nuk ka.

Fakti që imazhi i Berlusconit në botën e jashtme është mizerabël, për shkak të deklaratave të tij fashistoide apo raciste si dhe për shkak të sjelljeve të tij të afektuara prej macho-je dhe aferave me të mitura, apo që për shkak të mendjemadhësisë dhe të qëndrimit të tij sipërfaqësor vendi i tij është bërë qesharak, nuk luan ndonjë rol në Itali.

Ajo që dihet e sigurt është se në rast se do të organizohen vërtet zgjedhje të reja, multimiliarderi Berlusconi do të hyjë sërish në garë dhe do ta përmbysë vendin me një fushatë mediatike të paparë ndonjëherë deri më sot. Kjo do të thotë se kësaj periudhe qeverisjeje të Berlusconit do t'i vijë së shpejti fundi, por erës së Berlusconit në asnjë mënyrë ende jo. Edhe pse në fakt vërtet që është krejtësisht e pakuptueshme se përse ky njeri është në pushtet.

Autor: Stephan Tröndle
Redaktor: Pandeli Pani