1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bernd Posselt tregon për gjermano- sudetët

18 Dhjetor 2010

Kryeministri i Bavarisë Horst Seehofer fillon të dielën, 19 dhjetor, një vizitë dyditore në Pragë. Në se dikush mendon se ky këmbim mes landit gjermano-jugor dhe fqinjit të tij lindor është i zakonshëm, gabohet.

https://p.dw.com/p/QfE7

Është hera e parë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore që një kryeministër i Bavarisë shkon në Çeki. Shkak për këto marrëdhënie të akullta deri tani ishin mosmarrëveshjet në lidhje me gjermanët sudetë, të cilët mbas luftës u dëbuan nga Çekia. Ndër ta ishte edhe familja e eurodeputetit Bernd Posselt, i cili si përfaqësues i sudetëve gjermanë do ta shoqërojë kryeministrin bavarez në këtë udhëtim historik.

Deutsche Welle: Zoti Possselt, Bavaria dhe Çekia kanë 360 kilometra kufi të përbashkët. Nuk është pak e çuditshme kur dëgjon që kryeministri bavarez ka pritur 65 vjet për të vizituar zyrtarisht një kryeqytet që s'është as dy orë larg kufirit?

Bernd Posselt
Bernd PosseltFotografi: picture-alliance/ dpa

Bernd Posselt: Në historinë e marrëdhënieve çeko-bavareze pas Luftës së Dytë Botërore ka pasur tri faza: E para është periudha 1945-1948, ajo e përndjekjes nga Bohemia milionë sudetëve gjermanë, shumica e të cilëve sot jetojnë në Bavari. Pastaj ra Perdja e Hekurt dhe zyrtarisht rrugët u mbyllën. Ndërsa gjatë njëzet vjetëve më të fundit pala çeke i shmangej vazhdimisht përballjes me të kaluarën e saj. Nuk duhet harruar se ishin dy të tretat e popullsisë që u përndoqën. Meqenëse qeveria bavareze është zyrtarisht mbrojtëse e të drejtave të sudetëve, deri tani nuk ka arritur të shkonte asnjë kryeministër bavarez në Çeki.

Cilat janë pikat kryesore të mosmarrëveshjeve mes sudetëve dhe Çekisë?

Një pikë shumë e rëndësishme ka të bëjë me të ashtuquajturat 'Dekretet e Beneshit'*) të vitit 1945 e të cilat përbëjnë bazën ligjore për përndjekjen e sudetëve gjermanë nga Çekia, e të cilat pjesërisht vazhdojnë të jenë në fuqi. Aty për shembull konsiderohen si tradhtarë të gjithë ata persona që gjatë regjistrimit të popullsisë mbas vitit 1930 kanë deklaruar gjermanishten ose hungarishten si gjuhë amtare. Pra ishin me miliona njerëz që u shpallën tradhtarë vetëm për shkak të gjuhës. Kjo bëri që ata të humbnin pasurinë, vendlindjen, dhe shumë syresh u vranë. Edhe një ligj që i shpallte të pafajshëm vrasësit e tyre vazhdon të jetë në fuqi.

Kryeministri çek Petr Neças është shprehur se dëshiron të orientohet nga e ardhmja dhe jo nga e kaluara

Këto janë formula që nuk i hyjnë në punë askujt. Franz Josef Strauss, siç dihet një mik i madh i Shqipërisë, ka thënë: Kush nuk e di se nga vjen, nuk e di as ku po shkon. Me fjalë të tjera: E kaluar dhe e ardhmja janë bashkë. Kohët e fundit çekët kanë filluar të merren me të kaluarën e tyre, ashtu siç e bëjnë edhe popujt e tjerë. Kanë filluar të zbulohen varre masive, dhe të zbardhen vrasjet që kanë ndodhur gjatë përndjekjeve. Janë sidomos të rinjtë ata që po e shtyjnë përpara këtë proces.

Çfarë kërkojnë sudetët nga Çekia e sot?

Sudetët gjermanë sot janë një popull prej afro 4,5 milionë njerëzish. Dëshirat e tyre janë të ndryshme. Por e pakta që ata kërkojnë është që të njihen dhe të dënohen padrejtësitë e bëra. Dhe që sudetët gjermanë të kenë të drejtë të jetojnë në Çeki me të drejtat që i takojnë një pakice. Që të ruhet kultura e përbashkët dhe që historia të dokumentohet me vërtetësi

Sa janë marrë sudetët gjermanë me krimet që kanë bërë ata ndaj çekëve gjatë kohës së nazizmit?

Ne jemi marrë shumë intensivisht me to. Qysh në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore folësi i atëhershëm i sudetëve gjermanë është distancuar haptas. Edhe unë në vitin 2002 në një emision televiziv në Çeki kam kërkuar të falur për krimet e nazizmit dhe kontributin e sudetëve gjermanë në këto krime. Për këtë pata edhe disa ankesa nga ana sudetëve, por unë këtë e bëra me vetëdije të plotë.

Sa përqind e sudetëve gjermanë nuk pranojnë t'i njohin këto krime?

Janë më së shumti pesë përqind. Por shumë të tjerë kanë frikë, se mos po t'i pranojnë gabimet dhe krimet e tyre, atëherë kjo gjë do të keqpërdorej nga pala kundërshtare. Kjo frikë duhet të tejkalohet nëpërmjet mirëbesimit. Sa më qartë që ta shikosh që kaluarën, aq më i lirë je. Ish-presidenti çek Vaclav Havel ka thënë dikur: Vetëm e vërteta na jep lirinë.

*) Dekretet e Beneshit janë 143 'Dekrete të presidentit të republikës', të nxjerra nga qeveria çekosllovake në ekzilin londinez në vitet 1940-1945 gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pushtimit të Çekisë nga Gjermania. Mbas çlirimit të Çekosllovakisë ato u miratuan nga Asambleja e Përgjithshme më 28 mars1946. Ato kanë marrë emrin e Presidentit të atëhershëm Edvard Benes edhe pse shumë syresh nuk janë nxjerrë prej tij, por prej qeverisë.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Aida Cama