1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bersani kërkon të zbusë reformat

26 Shkurt 2013

Sipas anketimeve, Lista Mes-I Majtë do të jetë forca kryesore politike në Dhomën e Deputetëve në Itali. Kështu, Bersani mund të bëhet kryeministër. Ish-komunisti nuk i ka qejf daljet e bujshme dhe preferon thjeshtësinë.

https://p.dw.com/p/17lgL
Pier Luigi Bersani në fushatë elektorale
Pier Luigi Bersani në fushatë elektoraleFotografi: Reuters

Në fushatën elektorale në Itali u fol me nota mjaft personale. Në një fjalim televiziv, 61 vjeçari Pier Luigi Bersani tha se ai është krenar për tullën e tij, e cila ende rrethohet nga një tufë flokësh të zeza. Foli dhe tregoi me dorë tullën. Kjo e dallon atë në mënyrë fundamentale nga kundërshtari i tij, Silvio Berlusconi, i cili nuk i fsheh operacionet plastike që u ka bërë lëkurës rreth syve dhe implantimet e flokëve në kokën e tij dikur me flokë të rrallë. Përkundrazi: 76 vjeçari përkëdhelet me moshën e tij dhe përpjekjet për rinim. "Më parë unë dukesha më i ri. Kush i ka hequr pasqyrat, që e tregonin këtë?", bënte shaka Berlusconi në fushatën elektorale. Këto fjalë Pier Luigi Bersani nuk do t'i shqiptonte kurrë. Në fushatën elektorale, ai tha se me truke magjistarësh dhe me "shprehje idiote" nuk do të luftohej dot kriza ekonomike.

Në dallim nga Berlusconi, Bersani do ta vazhdojë më tej kursin reformues të qeverisë teknokrate që dha dorëheqjen, por do ta zbusë atë në pika kryesore, siç është reforma e tregut të punës. "Italia nuk duhet të kursejë deri në shkatërrim," thotë ai. Modeli i Bersanit në shpëtimin e euros është presidenti i shtetit francez, Francois Hollande. Ai erdhi në pushtet vitin e kaluar, edhe ai është socialist. Në nivelin evropian ai do të ishte një aleat i natyrshëm i Bersanit. Rezistenca kundër kursit të kursimeve të qeverisë gjermane, që perceptohet si i ashpër, do të rritej.

Nga komunist në socialdemokrat

Biri i një punonjësi të një pompe karburanti prej një fshati të vogël pranë Piacenzas në Italinë e Veriut shfaqet modest, thuajse pa u vënë re. Si burrë shteti ai thekson se për të ka rëndësi në radhë të parë Italia, pastaj partia e tij socialdemokrate dhe fare në fund politika e personelit ose gjëra personale. Vetëm kur e përçmon dikush për shkak të së kaluarës së tij mikroborgjeze, siç ndodhi në fushatën elektorale, atëherë ai nxehet. Nuk mund të jenë të gjithë miliarderë ose bij të tyre, e ktheu helmin Bersani duke pasur parasysh Silvio Berlusconin, i cili është njëri nga njerëzit më të pasur të Italisë.

Bersani - njeri i familjes
Bersani - njeri i familjesFotografi: Reuters

Deri në vitin 1991, Bersani me profesion mësues punonte si funksionar i Partisë Komuniste të Italisë. Pas rënies së Murit dhe fundit të Bashkimit Sovjetik erdhi kthesa e shpejtë politike. Komunistët u bënë socialistë dhe më vonë një parti socialdemokrate me drejtim më tepër qytetar. Funksionari Bersani u përshtat dhe bëri karrierë. Ai fitoi zgjedhjet rajonale në rajonin federal të Italisë së Veriut, Emilia Romana dhe u bë në mes të viteve '90 kryetar i qeverisë rajonale. Kursin e rreptë të majtë ai e la pas vetes dhe u zgjodh në një zgjedhje me vota të drejtpërdrejta kryetar i "Partisë Demokratike", që e kish ndërruar emrin disa herë. Bersani thekson gjithmonë një lidhje të ngushtë me sindikatat. Nën kryeministrin e fundit socialist, Romano Prodi, Bersani u bë në vitin 2006 ministër i Zhvillimit Ekonomik. Në atë kohë ai nisi reformat e para, për ta decentralizuar ekonominë e ngurtësuar të Italisë. Në këto përvoja do të bazohet tani, bëri të ditur Bersani.

Pa të tjerët nuk bëhet

Kryetari i partisë u tregua i hapur për të formuar një koalicion me listën qytetare të kryeministrit të dorëhequr, Mario Monti. Por Monti nuk dëshiron të bashkëpunojë me komunistët e vjetër, të cilët bëjnë pjesë gjithashtu në aleancën Mes-I Majtë të Bersanit. Një koalicion me anarkistin Beppe Grillo ose me Silvio Berlusconin, Bersani e refuzoi para zgjedhjeve.

Edhe në jetën private dallohen Bersani e Berlusconi. Bersani është i martuar që prej 30 vjetësh me të njëjtën grua, në një kohë kur tjetri ka pas vetes një beteje për ndarjen nga bashkëshortja dhe një jetë private që del në media. Shpesh Bersani heq në publik xhaketën dhe përvesh mëngët, sikur kërkon të demonstrojë gatishmëri për t'iu përveshur punës.

Autor: Bernd Riegert/ Auron Dodi

Redaktoi: E. Xhani