1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Betejë propagandistike ruse në Ballkan

1 Dhjetor 2016

Parlamenti Europian paralajmëron nga dezinformimet e propagandës ruse. Por një nga vatrat e nxehta të Moskës është Ballkani. Edhe Turqia përpiqet të fitojë influencë, por besnikët e Putinit kanë ditur të dalin në krye.

https://p.dw.com/p/2TYok
Symbolbild russische Propaganda
Fotografi: picture alliance/Bildagentur-online

Parlamenti Europian miratoi së fundmi (23.11) një rezolutë kundër propagandës mediatike ruse të dezinformimit duke akuzuar Rusinë se ajo kërkon të përçajë BE. Rusia reagoi ashpër përmes zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme duke u shprehur se Moska do të veprojë njësoj nëse puna e mediave ruse kufizohet në BE.

Në një analizë të dpa-së pas rezolutës së PE-së, vihet në fokus ofensiva propagandistike e Moskës prej vitesh në Ballkan, një rajon i rëndësishëm për Rusinë. "Gati të gjitha vendet e rajonit juglindor janë më së shumti vende kandidate në BE ose vende anëtare të BE-së. Por shumë prej tyre, si Greqia, Maqedonia, Bullgaria, Serbia kanë tradicionalisht lidhje miqësore me Rusinë. Baza është feja e përbashkët ortodoske dhe përkatësia në familjen e madhe të popujsve sllavë".

Anadolu më pak e suksesshme

Sipas dpa-së, mjetet kryesore të propagandës ruse janë agjencia e lajmeve "Sputnik", e cila transmenton edhe serbisht, si edhe radiotelevizioni RT, më parë Russia Today. Për shkak se materialet ofrohen pa pagesë dhe arkat e rajonit janë bosh, lajmet e "Sputnik" gjejnë jehonë të gjerë. Ndërkohë mbështeten edhe partitë miqësore ndaj Rusisë si edhe lidhjet kulturore.

Edhe Anadolu, agjencia turke e lajmeve kërkon të gjejë vend në Ballkan, por ajo është më pak e angazhuar krahasuar me ofensivën ruse, shkruan dpa. Analisti i saj, Thomas Brey përmend Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën si vende ku dyert janë më të hapura për Anadolu. Në rastin e puçit ushtarak ky medium ia doli  të ofronte variantin zyrtar të pafiltruar në mediat e Ballkanit, sipas tij.

Por dpa thekson se propaganda ruse është më e avancuar. Raportimet nga Moska rijepen me besnikëri të plotë në media ballkanike edhe për temat e brendshme- Shpesh në këto raportime pretendohet se armët ruse janë superiore krahasuar me ato të NATO-s, apo se Moska në ndryshim nga perëndimi i lëkundur angazhohet në krizat botërore, se Putini është i vendosur dhe garantues i së drejtës ndërkombëtare. Mediat serbe citojnë këtë muaj "Sputnik" pa verifikuar pretendimin e tij se "nëse Krimeja nuk do të ishte bërë pjesë e Rusisë, do të kishim një gjenocid të ri." Ndërsa vetë "Sputnik" për shembull i jep hapësirë kryetares së Shoqatës së Gazetarëve Serbë, UNS, Ljiljana Smajlovic e cila e quan rezolutën e Parlamentit Europian si "proces të histerisë së një lufte të ftohtë."

Në analizën e dpa-së, theksohet se BE ka filluar të mbrohet kundër dezinformimit nga Rusia, por mbetet me pikëpyetje, nëse ajo arrin me këtë shumicën e njerëzve në Europën Juglindore. Moska ia doli ditët e fundit të vendoste në shumë media ballkanike me shpatulla pas murit, Kroacinë, anëtaren më të re të BE-së. Arsyeja: Kreu i qeverisë kroate, Andrej Plenkovic gjatë një vizitë në Ukrainë kishte ofruar përvojën kroate në ribashkimin e pjesëve të shkëputura si Krimeja. Gazeta kroate e "Vecernji list" e vendos tani Kroacinë "në front të parë" për "mbrojtjen e perëndimit."