1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Biçikleta mundëson integrim më të mirë

2 Maj 2009

Ngarja e biçikletës nuk është e zakonshme për femrat e fesë islame. Për gratë që jetojnë në Turqi, në vendet arabe apo afrikane, biçikleta mbetet vetëm ëndërr, por jo kur vijnë në Gjermani.

https://p.dw.com/p/HidR
Fotografi: AP

"Unë madje di t'i bie edhe ziles, e sheh ti?", thotë Hatixhja me krenari dhe qesh me zë. Ajo është ulur në një biçikletë të vogël për fëmijë dhe me këmbë i jep biçikletës. Shamia e saj e zezë valon në ajër. Së bashku me dhjetë gra të tjera, ka ardhur në një kurs katër ditor për të mësuar se si i jepet biçikletës.

Frau schiebt ein Mountainbike
Biçikleta ndihmon shëndetinFotografi: Bilderbox


Feja dhe biçikleta

Të gjitha ato janë me shami në kokë. Ato janë mbledhur në një oborr të shkollës në Buhholc, në afërsi të Hamburgut dhe së bashku mësojnë t'i japin biçikletës. Bëjnë shaka me njëra tjetrën dhe qeshin me të madhe. Kursin e ka organizuar përfaqësuesja për barazinë e gjinive në këtë qytet, Martha Vogelsang.

"Mjafton të kalosh dhe të shikosh nëpër qytetin Buhholc, e besoj se situatë e ngjashme është edhe në të gjitha qytetet tjera të mëdha, ku shumica e të huajve shoqërohen vetëm mes vete. Përkundër angazhimeve tona kjo traditë ka ndryshuar shumë pak. Projektin tonë e kemi quajtur "Femrat me biçikleta në kohën e lirë“. Ngarja e biçikletës u mundëson grave me prejardhje të huaj që të kenë më shumë kohë, por edhe të shoqërohen dhe të ndërmarrin diçka së bashku me femrat gjermane", thotë ajo.

Biçikleta u mundëson grave më shumë liri lëvizjeje, ua forcon vetëbesimin dhe u jep më shumë siguri, ndërkohë që ajo është e mirë edhe për shëndetin, thotë Martha Vogelsang. Shumica e këtyre grave e njohin vetëm një pjesë të vogël të qytetit ku jetojnë. Ndërsa me biçikletë mund të shkojnë edhe më larg dhe ta njohin më mirë vendlindjen e re të tyre, mendon Heidrun Asmus. Ajo është anëtare e takimeve ndërkombëtare të grave dhe e para që ka paraqitur idenë për organizimin e kurseve për biçikleta.

"Tek femrat myslimane nuk është e lejuar ngarja e biçikletës, sepse mund të shihet një pjesë e këmbës. Nga një iraniane kam dëgjuar se me babain e saj kanë shkuar të dieleve në një park të mbyllur dhe kanë ushtruar ta nisin biçikletën. Prandaj në fëmijëri nuk kanë mësuar si duhet ta ngajnë biçikletën, sepse nuk kanë pasur kushte ta bëjnë këtë", pohon Asmus.

Një përvojë të tillë ka pasur edhe Nadia nga Maroku. 35-vjeçarja jeton që prej dy vitesh në Gjermani. "Edhe në Marok ka mysliman. Mysliman të vërtetë, që thonë se gruaja nuk guxon të ecë me biçikletë. Vetëm djemtë i kanë këto të drejta dhe mund të bëjnë të gjitha. Femrat nuk mund t'i realizojnë ëndërrat e tyre. Kjo është e keqe, është gabim", thekson Nadia.


Nënat i japin biçikletës


Gjithnjë e më shumë bashki dhe qytete u ndihmojnë migranteve që të mësojnë ngarjen e biçikletës. Shoqata e sportit në Hamburg ka vendosur t'i mbështetë këto kurse me projektin "Sporti kundër racizmit dhe kundër armiqësisë ndaj të huajve".

Frau in Peru mit Fahrrad
Fotografi: AP

Në Krojcberg të Berlinit, ku pjesa më e madhe e banorëve janë të huaj, ekziston projekti "Nënat mësojnë t'i japin biçikletës", i organizuar nga Shkolla e lartë publike dhe policia. Dhjetë javë me radhë, femrat shkojnë në kursin e gjuhës gjermane, ndërsa tre herë në javë mësojnë edhe t'i jepin biçikletës. Rotraut Wiedemann, nga policia e komunikacionit shpjegon se në këtë mënyrë ato fillojnë menjëherë të përdorin edhe gjërat që i mësojnë në kursin e gjuhës.

"Mund të shikoje se si krijohej një atmosferë më e relaksuar, ndërsa gjatë një shëtitje të përbashkët në fund të kursit, ato ishin shumë të vetdijshme. Edhe gjuhën e kanë mësuar shumë më mirë dhe kanë përparuar. Ato ishin të interesuara në fund të bisedojnë për përshtypjet e tyre. Përderisa në fillim ishte shumë vështirë, në fund ato komunikonin mes vete shumë mirë", shpjegon Wiedemann.

Në kursin e parë janë paraqitur 64 nëna. 47 prej tyre tani i japin biçikletës. Në fund të kursit me krenari i tregojnë diplomat e tyre. Por me këtë kurs ato kanë mësuar edhe më shumë, thotë Wiedemann. Disa prej tyre kanë marrë guximin madje që kësaj police t'i tregojnë për dhunën që ushtrohet ndaj tyre në familje, ku ajo mund t'ju ndihmojë me masa shumë konkrete.


Çmime për kurse


Qyteti i Berlinit është nderuar me një çmim special për këtë kurs. Wiedemann pohon se vlerë edhe më të madhe se vet çmimi ka fakti që këto gra kanë mësuar t'i japin biçikletës. Disa prej tyre janë lajmëruar tani edhe për kurse të notit, që për migrantet me fe islame, është e jashtazakonshme. Ky është edhe një hap tjetër në rrugën drejt intergrimit më të mirë.

Autor: Bettina Ritter

Redaktor: Bahri Cani