1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

'Biblioteka gjermane' në Tiranë - e preferuar për dashamirësit e botës gjermanike

Arben Muka/ Tiranë22 Shtator 2008

Biblioteka gjermane në Tiranë është një nga stacionet më të frekuentuara për ata që shfrytëzojnë literaturën në gjuhën gjermane, por dhe ata që duan ta mësojnë ose konsolidojnë këtë gjuhë. Fondi i saj është i pasur.

https://p.dw.com/p/FMmo
Fotografi: AP
E veçanta e këtij ambjenti është se gjithë inventari eshte sistemuar në një mënyrë të tillë që të jetë i hapur dhe i prekshëm nga lexuesi, në përputhje me metodat moderne europiane të shërbimit të literaturës.

Salla Gëte (Goethe), ose siç thirret nga frekuentuesit e saj Biblioteka gjermane ndodhet në një nga ambjentet e rinovuara të Bibliotekës Kombëtare, në qendër të Tiranës. Frekuentuesit e saj nuk janë vetëm nxënësit, studentët, mësuesit dhe pedagogët e gjermanishtes, por dhe miq të tjerë të librit që njohin gjuhën, ta mësojnë ose konsolidojnë atë, dhe ata që duan të shfrytëzojnë literaturën.

Një nga të veçantat e strukturimit të ambjentit të bibliotekës është arredimi i pajisjeve dhe inventarit. Kjo është bërë në një mënyrë të tillë që fondi në pëdorim të jetë i hapur dhe i prekshëm direkt nga lexuesi, në përputhje me metodat moderne evropiane të shërbimit të literaturës.

I gjithë aktiviteti i saj është në bazë të një marrëveshjeje mes Bibliotekës Kombëtare dhe Institutit Gëte, dhe synon përhapjen e kulturës dhe gjuhës gjermane në Shqipëri. Fondi bazë në shërbim të lexuesve është i ndarë në dy pjesë kryesore. Së pari është literatura korente nga fusha të ndryshme si filozofi, ekonomi, art, gjuhë letërsi, histori gjeografi etj., ku janë më shumë 5 mijë ekzemplarë. Së dyti, një vizitor në këtë ambjent gjen dhe një fond botimesh të vjetra, kryesisht në alfabetin gotik, ku janë afro 2 mijë ekzemplarë.

Përgjegjësja e bibliotekës, Liljana Bushati, thotë për DW se

"në mënyrë të veçantë lexuesit interesohen për revistat në gjuhën gjermane, që janë pjesë e fondit, si Fokus, Geo, Kunst Forum, Kölner Zeitschrift fur Soziologie und Sozialpsychologie etj. të cilat janë të njohura jo vetëm në Gjermani, por dhe jashtë saj. Periodikisht në shërbim të lëxuesve është dhe gazeta e njohur Die Zeit"

Frekuentuesit e bibliotekës gjermane kanë mundësi të marrin një informacion të bollshëm edhe për aktivitetin e Institutit Gëte, për univesitetet dhe shkollat e larta ne Gjermani, për panairin e madh të librit në Leipzig etj. Ky ambjent është vazhdimisht gjatë vitit dhe qendër e veprimtarive të ndryshme që zhvillohen për kulturën dhe gjuhën gjermane, si hapje e ekspozitave, prezantim i botimeve të reja, simpoziume shkencore etj. Disa veprimtari nga kalendari i Tetorit Gjerman gjatë muajit tjetër priten të organizohen në ambjentet e kësaj biblioteke.