1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dhjetë vjet nga zgjerimi i madh i BE-së

Bernd Riegert / exh1 Maj 2014

Të gjithë janë të kënaqur me zgjerimin e BE-së në 2004. Përçarja e Evropës u eliminua, ekonomia shënoi rritje. Po tani? E ka vënë kriza e Ukrainës në pikëpyetje kursin e zgjerimit të BE-së?

https://p.dw.com/p/1Brve
Stefan Füle 10 Jahre Erweiterung PK 30.04.2014
Fotografi: picture-alliance/dpa

Çeku Stefan Füle është sot përgjegjës në Komisionin e BE-së për zgjerimin dhe politikën e fqinjësisë të Unionit. Vendi i tij para dhjetë vjetësh bënte pjesë në grupin e atyre vendeve që hynë njëherësh në BE. Për Fülen, i cili në 2004 ka qenë ambasador i Çekisë në Britaninë e Madhe, kujtimi i anëtarësimit është një "moment i veçantë", siç tha në Bruksel. "Mendoni: unë jam sot këtu në sajë të asaj që ka ndodhur dhjetë vjet më parë."

Integrimi i ish shteteve me qeverisje komuniste në Evropën Lindore dhe i dy ishujve të Mesdheut, Maltës dhe Qipros në BE, në retrospektivë rezulton një sukses i plotë, si politikisht ashtu edhe ekonomikisht, thotë Stefan Füle.

"Obligimi historik është përmbushur"

Ish komisioneri për zgjerimin Günter Verheugen, i cili përgatiti pranimin e dhjetë vendeve njëherësh në BE, thotë sot se nuk ishte aspak e lehtë të bindeshin shtetet e vjetra anëtare për politikën e zgjerimit. Veçanërisht Franca kishte shumë rezerva, Parisi druante se bilanci i pushtetit brenda BE-së do të zhvendosej në favor të Gjermanisë, thotë Verheugen në bisedë me Deutsche Welle. Por pranimi i shpejtë i vendeve evropianolindore ishte i domosdoshëm për kapërcimin e ndarjes së Evropës. "Unë nuk e kam përjetuar si një lutje në dyert e BE-së të demokracive të reja nga Evropa Lindore dhe Qendrore, por si një obligim që buronte nga historia. Nuk ishte fjala për një dobi ekonomike por shumë saktësisht për një çështje të drejtësisë historike, pasi ato vende nuk kishin mbetur me dëshirë prapa perdes së hekurt, thotë Günter Verheugen, i cili sot jep mësim në Universitetin e Viadrinës në Frankfurt Oder.

Ish komisioneri i zgjerimit të BE-së, Günter Verheugen
Ish komisioneri i zgjerimit të BE-së, Günter VerheugenFotografi: DW/R. Bosen

Polonia përfiton më shumë

Rumania dhe Bullgaria mundën të anëtarësoheshin vetëm në vitin 2007, pasi kishin probleme shumë të mëdha me zbatimin e reformave të shtetit ligjor dhe luftimin e korrupsionit. Nëse bën një bilanc, të gjitha shtetet anëtare të BE-së kanë përfituar, si të rinjtë ashtu edhe më të vjetrit, beson Janis Emmanouilidis nga instituti "European Policy Centre" në Bruksel: "Por një vend ka përfituar në mënyrë të veçantë, qoftë në aspektin ekonomik, qoftë në pozicionin politik në BE, dhe ky është Polonia. Polonia është fuqia lider në rajon dhe me një peshë që po rritet vazhdimisht në Bashkimin Evropian në përgjithësi."

Natyrisht me njohuritë që disponon sot, disa gjëra ai do t'i kishte bërë ndryshe, thotë ish komisioneri për zgjerimin Günter Verheugen (SPD). Do t'i ishte kushtuar më shumë rëndësi reformave të shtetit ligjor dhe një mbrojtjeje më të mirë për pakicat si romët, thotë Verheugen për DW.

Festimet në Vilnius për anëtarësimin në BE. 2014
Festimet në Vilnius për anëtarësimin në BE. 2014Fotografi: picture-alliance/dpa/dpaweb

Dyshimet ruse nuk janë të reja

Që atëherë Rusia ishte e pakënaqur, thotë Verheugen, veçanërisht pasi me shtetet balltike, në BE hynë ish republika sovjetike. Por në thelb Rusia atëherë kuptoi se kishte nevojë për fqinj me stabilitet dhe se një "zonë neutrale sigurie" mes BE dhe Rusisë nuk ishte më e mundur. Rusisë iu bënë edhe të gjitha ofertat e mundshme për bashkëpunim, thotë Verheugen. "Zgjerimi në vitin 2004 dhe 2007 nuk ka shkaktuar dëme në marrëdhëniet evropiano-ruse. Këto probleme erdhën shumë më vonë kur ishte fjala për qendrimin ndaj vendeve fqinje në lindje të Evropës dhe natyrisht, në veçanti ndaj Ukrainës."

Radhë të gjata pritje për anëtarësim në BE

Rruga e mëtejshme e zgjerimit të BE-së është e paracaktuar. Të gjithë shtetet e Ballkanit Perëndimor në parim e kanë në xhep premtimin që do të pranohen në BE. Koha megjithatë është e paqartë.

Të mërkurën (30.04.2014) komisioneri Füle i dha shpresë Shqipërisë se këtë verë do të marrë statusin zyrtar të kandidatit. Me Serbinë negiociohet tashmë për anëtarësimin. Turqia është që prej vitit 2005 kandidate për anëtarësim. Por negociatat prej vitesh kanë mbetur në vend. Islanda e ka tërhequr kandidaturën e saj. Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia synojnë gjithashtu një lidhje më të ngushtë me BE-në. Nëse këto shtete të "fqinjësisë lindore" do të bëhen ndonjëherë anëtarë të plotë, është e kontestuar. Politologu Janis Emmanouilidis nga "European Policy Centre", mendon se popullsia në Ukrainë duhet të shprehet vetë me shumicë nëse dëshiron të hyjë në BE apo jo. "Vendi është mjaft i përçarë nga brenda. Për shumë ukrainas Evropa është shpresa, për të tjerë më pak. Dhe krahas problemeve në vend ka edhe më të mëdha, pikërisht sjellja me fqinjin tonë të madh, me Rusinë. Këtu duhen sqaruar ende shumë gjëra, në mënyrë që të mund të vendosim se si të sillemi në një moment të caktuar."

Praga feston me fishekzjarre hyrjen në BE, 2014
Praga feston me fishekzjarre hyrjen në BE, 2014Fotografi: picture-alliance/dpa

"BE duhet të mbetet tërheqëse"

Pra nga aktualisht 28 shtete anëtare, BE mund të rritet vitet e ardhshme në 35 ose më shumë shtete. Kështu nuk ai do të bëhet më i lehtë për t'u drejtuar. Marrja e vendimeve do të bëhet më e ndërlikuar por jo e pamundur, beson komisionieri Stefan Füle. BE vazhdon të jetë një kornizë orientimi për shtetet në tranzicion dhe demokracitë e reja. Ai është tërheqës. BE duhet të fillojë të shqetësohet kur asnjë vend të mos dëshërojë më të anëtarësohet, thotë Füle. "Tani janë shtatë ose tetë vende që trokasin në dyert e BE-së. Ata trokasin në një kohë kur brenda Unionit disa kanë filluar të kenë dyshime. Unë mendoj se kjo trokitje është jashtëzakonisht e vyer. Nëse trokitja një ditë do të merrte fund mund të ishte shumë vonë për t'i rënë këmbanave të alarmit, që në BE diçka nuk po shkon si duhet".

Forca të mëdha centrifugale

Ish komisioneri Günter Verheugen shqetësohet se BE në gjendjen aktuale ndoshta nuk do të jetë në gjendje në të ardhmen të pranojë anëtarë të rinj. Para dhjetë vjetësh, thotë Verheugen, mbizotëronte mendimi se Evropa është një projekt paqeje me një premtim për mirëqënie. Sot janë të shumtë ata që e shohin këtë përkufizim të vjetëruar. "Për herë të parë jam i shqetësuar për të ardhmen e këtij projekti. Forcat centrifugale janë shumë, shumë të forta", analizon Günter Verheugen. Nuk ka më një mendim unanim për destinacionin e udhëtimit. Për fat të keq shtetet anëtare me zhvillimet kombëtare politike dhe ekonomike, po largohen gjithnjë e më shumë nga njëri-tjetri. "Deri tani BE qendron i bashkuar por dëgjohen e ndjehen rënkimet", thotë Verheugen.

Gëzimi i polakëve për anëtarësimin - festë në sheshin Zamkowy, 2014
Gëzimi i polakëve për anëtarësimin - festë në sheshin Zamkowy, 2014Fotografi: picture-alliance/dpa

LINK: http://www.dw.de/dw/article/0,,17603825,00.html