1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

140711 Merkel Afrika

15 Korrik 2011

Vizita ishte shenjë pozitive se Gjermania nuk e sheh Afrikën vetëm si kontinent krizash. Kancelaren e shoqëronin përfaqësues të shumtë të ekonomisë gjermane.

https://p.dw.com/p/11vhm
Kancelarja Merkel në Nigeri, Abuja (14.07.11)
Kancelarja Merkel në Nigeri, Abuja (14.07.11)Fotografi: dapd

Aeroporti i kryeqytetit të Nigerisë Abuja është tridhjetë kilometra larg qendrës së qytetit. Por nga muaji në muaj kilometrat pakësohen. Ngastrat e tokave janë shitur të gjitha tashmë. Abuja është qyteti, që ka rritjen më të shpejtë në Afrikë.

Edhe në kryeqytetet e Kenias dhe Angolas mund të shohësh në çdo hap bumin ekonomik. Kudo ndërtohet dhe përveç lagjeve të të varfërve, që ekzistojnë ende, mund të shohësh edhe shenjat e para të mirëqënies.

Interesimi i ekonomisë gjermane

Kancelarja Angela Merkel dhe presidenti i Angolës, Jose Eduardo dos Santos, (13.07.11) në Luanda.
Kancelarja Angela Merkel dhe presidenti i Angolës, Jose Eduardo dos Santos, (13.07.11) në Luanda.Fotografi: picture alliance/dpa

Megjithëse janë ende vende në zhvillim, thotë Hermann Rodler, anëtar i bordit të kompanisë të telekomunikacionit Nokia / Siemens: "Tani po bëhet shpërndarja e tregjeve. Kush nuk është tani aty, do ta ketë shumë të vështirë më vonë, për të marrë pjesë tregu kundër lojtarëve të vendosur tashmë në treg."

Rodler bënte pjesë në delegacionin ekonomik, që kancelarja kishte marrë me vete në Afrikë. Udhëtimi i Merkelit kishte për qëllim në rradhë të parë të hapte dyert për ekonominë gjermane. Mesazhi: „Ekonomia gjermane, këtë mund t'jua them, ka interes të madh për më shumë bashkëpunim, bashkëpunim më të ngushtë."

Marrëveshje e diskutueshme për shitjen e armëve në Angola

Kancelarja Merkel para studentëve në Nairobi, Kenia
Kancelarja Merkel para studentëve në Nairobi, KeniaFotografi: dapd

Sa larg mund të shkojë oferta në raste të veçanta, u bë e qartë në Angola. Merkel tha që Angola mund të blejë anije patrulluese gjermane për të mbrojtur bregdetin e saj. Kritika për marrëveshje të tilla armatimi Merkel nuk deshi t'i pranojë. Angola angazhohet për stabilitetin, tha kancelarja. Dhe qëllimi është që konfliktet rajonale të mund të qetësohen nga forcat rajonale. Oferta e gjermanëve për t'u angazhuar më fort ekonomikisht në Afrikë, hasi në interes të madh në të tre vendet. Kështu presidenti Kibaki i Kenias tha se vendi i tij ka nevojë për më shumë investime gjermane.

Interesi për vizitën e kryetares së qeverisë gjermane ishte i madh. Mediat afrikane raportuan gjerësisht. Konferencat e shtypit u transmetuan në shumicën e rasteve live në televizion dhe radio.

Kur Merkel mbajti një fjalim në Kenia, në Universitetin e Nairobit, auditori ishte i mbushur deri në vendin më të fundit. Studentët i bënë të qartë gjermanes se çfarë duan. Që vendi i tyre të qëndrojë në këmbët e veta: "Gjermania importon kafenë tonë. Dhe ajo është kafe e mirë. Por ajo nuk përpunohet këtu, por në Gjermani. Nuk prodhohet në vendin tonë." i tha një student kancelares.

Mungesë e shtetit ligjor

Merkel me presidentin e Kenias, Kibaki
Merkel me presidentin e Kenias, KibakiFotografi: dapd

Problemi nga perspektiva e shumë kompanive gjermane: Në vendet e Afrikës që ndodhen në zhvillim ekonomik, mungon shteti ligjor: "Pra A-ja dhe O-ja këtu në Afrikë është që ne të gjejmë një bazë të arsyeshme për investim", shpjegon Joachim Engelke, anëtar i bordit të gjigantit të ndërtimit Bilfinger-Berger. Edhe kancelarja nuk i kurseu kritikat. Merkel kërkoi veprime të vendosura kundër korrupsionit. Ajo arriti transparencë në dhënien e tenderave dhe theksoi rëndësinë e respektimit të të drejtave të njeriut dhe lirinë e mendimit.

Autor: Michael Gëtschenberg/Angjelina Verbica

Redaktoi: Elert Ajazaj