1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bilanc pozitiv - Përfundon punimet konferenca për fenë islame në Berlin

26 Qershor 2009

Ministri i Brendshëm gjerman Wolfgang Schäuble ka nxjerrë një bilanc pozitiv të punës trevjeçare të Konferencës për fenë Islame në Gjermani. Por me këtë bilanc nuk pajtohen të gjithë.

https://p.dw.com/p/Ibm0
Pjesëmarrësit e konferencës për fenë islame në BerlinFotografi: AP

Ministri i brendshëm gjerman është i kënaqur me konferencën për fenë islame. "Myslimanët e kanë gjetur veten në Gjermani". Ky është rezultati në të cilin arrin ministri Wolfgang Schäuble.

Kjo konferencë luan një rol të rëndësishëm edhe përtej kufinjve të Gjermanisë, tha kristiandemokrati në takimin e fundit nga katër takimet e zhvilluara që nga shtatori i vitit 2006. Në takime kanë marrë pjesë 15 përfaqësues të myslimanëve dhe shtetit gjerman.

Konferenca për fenë islame ka nxitur besimin dhe respektin reciprok, tha Schäuble. Pranimi i shumëllojshmërisë është me rëndësi për ta ndjerë veten si në shtëpi:"Qëllimi ynë nuk është që ne të jemi të një mendimi për të gjitha çështjet. Për më tepër qëllimi ynë është që ne të mund të jetojmë me njëri-tjetrin me pikëpamje të ndryshme, zgjidhje të ndryshme, dëshira dhe mendime të ndryshme" - theksoi ai.

Ende shumë konflikte të pazgjidhura

Bundesinnenminister Wolfgang Schäuble
Ministri i brendshëm gjerman, Wolfgang SchäubleFotografi: picture-alliance/ dpa

Ministri i brendshëm Schäuble angazhohet që konferenca për fenë islame në të ardhmen të ndërthuret më shumë me landet dhe komunat. Megjithatë mbeten ende disa konflikte për t´u zgjidhur, si për shembull në fushën e arsimit. Konkretisht politikani kristiandemokrat përmendi mbajtjen e shamisë së kokës si edhe pjesëmarrjen në orët mësimore të sportit dhe edukatës seksuale si edhe eksursionet shkollore.

Qysh në mars të vitit të kaluar në konferencë është rënë dakord që feja islame të futet si lëndë e rregullt mësimore në shkollat gjermane. Parakusht për këtë është pranimi i islamit si bashkësi fetare në Gjermani, tha Schäuble.

Ayyub Axel Köhler, kryetar i Këshillit Qendror të myslimanëve në Gjermani, theksoi se dialogu është shoqëruar nga 'ballafaqime të forta por të frytshme' si në politikë ashtu dhe në shoqëri. Andaj Köhler pret që dialogu të vazhdojë edhe brenda organizatave të ndryshme islamike dhe në rrafshin politik: "Dua të nënvizoj se është përmirësuar dialogu i brendshëm islamik. Dhe ne të gjithë kemi dalur më të fortë nga konferenca për fenë islame" - tha presidenti gjerman.

Gjermania do të zhvillojë më shumë dialog me myslimanët

Bundeskanzlerin Angela Merkel in Potsdam
Kancelarja gjermane, Angela MerkelFotografi: AP

Para fillimit të takimit të katërt të konferencës për fenë islame pjesëmarrësitë janë pritur në selinë e kancelares gjermane Angela Merkel. Me këtë rast Merkeli e ka pranuar se për vite të tëra shteti gjerman ka biseduar shumë pak me muslimanët. Sipas Merkel-it nuk është vetëm Islami por edhe rrymat e ndryshme të tij: "Në këtë mes Turqia është partneri ynë më i rëndësishëm për dialog. Kjo nuk do të na shihet për të madhe nga të tjerët. Por ne natyrisht që dimë si është gjendja në Iran, Irak, Afganistan, Pakistan, Liban dhe Afrikën Veriore. Po ashtu unë them për palën gjermane: duke u marrë me Islamin ne natyrisht që mësojmë më shumë edhe për rrymat, rrënjët dhe kështu edhe për këto vende".

Rezultate të reja ka sjellë një studim aktual i kërkuar nga ministria e brendshme për 'jetën myslimane në Gjermani'. Në bazë të këtij studimi befason e dhëna se me 4,3 milionë myslimanët nga 49 vende të ndryshme në Gjermani jetojnë më shumë myslimanë se sa mendohej më parë. Gati gjysma e tyre kanë nënshtetësinë gjermane. Por vetëm një pjesë e vogël e tyre e ndiejnë veten të përfaqësuar nga organizatat islamike.

Dialogu - kusht kryesor për mirëkuptim

Necla Kelek me profesion sociologe e cila ka marrë pjesë në konferencë është e mendimit se dialogu duhet të vazhdojë pa pjesëmarrjen e shoqatave të organizuara myslimane. Sipas Kelek shoqatat nuk mund të lirohen nga Islami politik.

Nga ana tjetër kancelarja Angela Merkel i rekomandoi të gjithë pjesëmarrësitë qëtë vazhdojnë të diskutojnë me njëri-tjetrin.

Autorë: Marcel Fürstenau/ Bahri Cani

Redaktoi: Sonila Harasani