1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bisedë me ish shefin e UNMIK-ut Soren Jessen Petersen

22 Shkurt 2010

Petersen: Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. Progresi çalon në disa fusha kyçe. BE-ja duhet të demonstrojë me vepra konkrete se ardhmëria Ballkanit është BE. Liberalizimi i vizave duhet parë edhe për Kosovën

https://p.dw.com/p/M8GH
Søren Jessen PetersenFotografi: UN

Së pari ish-shefi i UNMIK-ut bën një vlerësim të situatës në Kosovë dy vjet pas pavarësisë.

Petersen: "Para së gjithash duhet theksuar se të gjitha paralajmërimet, që bëheshin mbi kolapsin, dhunën dhe tensionet mes grupeve të ndryshme, nuk ndodhën. Petersen shton se meritë kanë autoritetet në Kosovë, por para së gjithash populli kosovar, pavarësisht nga përkatësia etnike, pra si ata shqiptarë, ashtu edhe serbët, apo të tjerët. Peterson shton se situata gjatë këtyre dy viteve ishte e qetë dhe Kosova ka ecur përpara në disa fusha. Por progresi çalon në disa sektorë kyç si në ekonomi, krijimin e vendeve të punës, si dhe sundimin e ligjit. Kur është fjala për ekonominë, Petersen thotë se arsyeja qëndron në pasigurinë e vazhdueshme lidhur me statusin e Kosovës. Ai thotë se Kosova është e pavarur dhe kjo pavarësi është pakthyeshme. Për investuesit akoma ekziston pasiguri dhe kjo sjell deri te mungesa e investimeve më të mëdha, që do të krijonin vende pune.

I pyetur nëse për këtë pasiguri kontribuon numri i vendeve, që akoma nuk njohin pavarësinë e Kosovës, veçmas fakti se në mesin e tyre janë edhe disa vende të BE-së, Petersen thekson vetë rolin e Kombeve te Bashkuara.

Petersen: Madje para se të arrijmë tek BE-ja pasiguria është krijuar para së gjithash nga dështimi i Kombeve të Bashkuara, që të njohë shpalljen e pavarësisë me anë të një rezolute. Peterson shton se meqë kjo është para së gjithash çështje evropiane, problem krijon fakti se BE-ja edhe njëhere dështoi të përgjigjet me një zë unik. Nga ana tjetër ka shumë më rëndësi që EULEX-i ndodhet në rajon. Kjo do të thotë se BE-ja, përkundër disa ndarjeve të brendshme, është e angazhuar fuqimisht në sundimin e ligjit në Kosovë. Petersen thotë se ai beson se BE-ja do të bashkohet dhw vendet, që akoma po hezitojnë do të heqin dorë nga kundërshtimi i tyre. “Unë besoj se ata do të bëjnë këtë në interes të kohezionit dhe progresit rajonal”. “Rajoni duhet të ecë përpara. Rajoni ka ardhmëri rajonale. Por rajoni nuk mund të ecë përpara, nëse e lini një vend që gjendet në mes të rajonit, pra Kosovën, jashtë procesit të integrimit”.

I pyetur pikerisht lidhur me të ardhmen e Ballkanit në BE, më saktësisht shpejtësinë e këtij procesi dhe rrezikun nga vonesat e mundshme në këtë rrugë Petersen përgjigjet:

Petersen: Para së gjithash, nuk duhet vënë në dyshim e ardhmja e tërë rajonit. Kjo u vendos nga ana e BE-së më 2003 dhe u riafirmua në disa raste. Sa i përket tempos së këtij procesi, Kroacia mund të lëvizë përpara shumë shpejt, ndoshta vitin e ardhshëm. Maqedonia gjendet para vendeve tjera, por çeshtja e emrit mbetet e pazgjidhur. Por është me rëndësi që BE-ja të përdorë të gjitha mjetet e veta për të njohur dhe demonstruar se këto vende janë anëtare të ardhshme. Peterson përmend liberalizimin e vizave. Sa më shpejt që BE-ja të shikojë vendet, që nuk u përfshinë në këtë liberalizim perfshirë këtu Kosovën, aq më mirë. Një gjë e tillë dërgon sinjal të qartë se Kosova do të hyjë një ditë në BE. Pra ne duhet të njohim dallimin në tempon e procesit, por BE-ja duhet vazhdimisht të dërgojë jo vetëm mesazhe verbale, por mesazhe me vepra konkrete mbi ardhmërinë këtyre vendeve në BE.

Autor: Kimete Bytyci

Redaktoi: Angjelina Verbica