1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bisedime direkte mes Athinës dhe Shkupit për emrin e Maqedonisë

Niko Anagnosti / Athinë20 Shtator 2008

Takohen ne Paris dy shefat e diplomacisë. Bakojani: “Diskutojmë vetëm emrin”. Milososki: “Zgjidhje vetëm me njohjen e etnosit dhe gjuhës maqedonase”-

https://p.dw.com/p/FLlA
Dy shefat e diplomacisë greke dhe maqedonase, Bakojani dhe Milososki
Dy shefat e diplomacisë greke dhe maqedonase, Bakojani dhe MilososkiFotografi: MIA

Retorika e ngurtë e ditëve të fundit në mbrojtje të pozitave gati
diametralisht të kundërta të njeri-tjetrit nuk penguan Athinën dhe Shkupin që të kalojnë në nivel më të lartë bisedimesh dhe bile direkte për zgjidhjen e çështjes së emrit.

Dy shefat e diplomacisë Bakojani-Milososki biseduan pasditen e djeshme për një orë në Paris, në një takim që sipas ministres së jashtme greke “ishte i hapur dhe u mbajt në klimë të mirë”. Çështja e emrit hyn kështu në fazën e bisedimeve direkte, siç insistohej deri më sot dhe nga Uashingtoni dhe ishte tentuar pa sukses në prag të samitit të Bukureshtit me veton e njohur greke.

Fryt i një presioni të tillë me sa duket ishte edhe takimi Bakojani-Milososki, fillimisht i programuar për të henën e ardhshme në Nju Jork, ku siç u tha bashkëbiseduesit e Parisit pas “matjes së djeshme të pulsit” nga njëri-tjetri “do të gjejnë kohën për një takim tjetër” në kuadrin e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme.

Nga deklaratat për shtyp u duk qartë se ashtu si edhe në takimet me ndërmjetësin ndërkombëtar Nimetz të dyja palët shkuan secila me propozimin e saj edhe në bisedimet direkte për të cilat nuk munguan të theksojnë, veçanërisht zonja Bakojani, se “nuk zëvendësojnë proçesin e bisedimeve që mbahen nën egjiden e OKB-së”. “Greqia vjen në këto bisedime me vullnet të mire, e vendosur të bëj gjithçka është e mundur nga ana e saj për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme nga të dyja palët në kuadrin e qëndrimit të njohur grek: një emër me përcaktim gjeografik dhe për të gjitha përdorimet” deklaroi Bakojani që në Athinë akuzohet nga opozita për “tërheqje të rrezikshme” nga kursi i njohur grek para insistimit të pales tjetër që kushtëzon zgjidhjen me pranimin e “etnosit dhe gjuhës maqedonase” dhe nëpërmjet kryeministrit Gruevski kërkon “njohjen e minoritetit maqedonas në Greqi”.

“Qëndrimi i Maqedonisë është i qartë. Zgjidhja duhet të përmbushë interesat tona kombëtare, respektimin e së drejtës së vetëvendosjes, respektimin e etnosit dhe gjuhës” deklaroi Milososki duke bërë kështu dhe një herë të qartë vijën e demarkacionit të vendit të tij në këto bisedime.

E ndodhur në pozitën e saj më të vështirë të brendshme, që kur erdhi në pushtet para 5 vjetesh, qeveria e Karamanlis vështirë se mund të ngrejë koston e një kompromisi të tillë në rrugën e të cilit ecen, siç duket, edhe ndërmjetësi ndërkombëtar Nimetz. Kështu që Athina ashtu siç bisedon i përmbahet qëndrimit të saj dhe nuk e fsheh mos hezitimin e saj për një veto të dytë në Bashkimin Evropian kur gëzon përkrahjen e plotë të presidencës franceze. “Mbështesim Greqinë” deklaroi edhe një here qartë ministri i jashtëm franzez Kushner pas takimit me homologen e tij greke Bakojani.