1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bisedime të fshehta ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë?

17 Gusht 2010

Zyrtarë të qeverisë së Kosovës dhe të qeverisë së Serbisë nuk pranojnë që ndërmjet dy qeverive të zhvillohen takime të fshehta. Por, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thotë se ka fakte se po zhvillohen biseda të fshehta.

https://p.dw.com/p/OpFc
Ministri i Jashtëm i Kosovës Hyseni dhe ai i Serbinë, Jeremiç.
Ministri i Jashtëm i Kosovës Hyseni dhe ai i Serbisë, Jeremiç.Fotografi: AP Graphics/DW Fotomontage

Ka apo nuk ka bisedime të fshehta ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Ky debat u nxit nga AAK-së, parti kjo në opozitë e cila tha se ka fakte që qeveria e Kosoves ka patur kontakte të fshehta me qeverinë e Serbisë. Mirëpo, zëvëndëskryeministri, Hajredin Kuçi, hedh poshtë këto pohime duke thënë se me qeverinë e Serbisë mund të ketë vetëm biseda të hapura dhe në cilësinë e dy shteteve fqinjë. ”Nëse dikush mendon se duhet të ketë biseda, duhet patur një mandat dhe duhet të caktohen temat. Qeveria e Kosovës është shumë komode në këtë drejtim, komoditetin e kemi që nga koha e shpalljes së pavarësisë por në veçanti nga mendimi i GJND-së. Bisedime mund të ketë vetëm të karakterit ndërshtetëror dhe të bashkëpunimit rajonal“, thotë zëvëndskryeministri Kuçi.

Hajredin Kuçi
Hajredin KuçiFotografi: DW

Kërkohet transparencë

Avni Arifi, anëtar kryesie i AAK-së, këmbëngul se qeveria e Kosovës ka patur kontakte të fshehta me qeverinë e Serbisë, mirëpo nuk pranon të jap asnjë fakt duke kërkuar nga qeveria e Kosovës që të jetë transparente me opinionin. “Qeveria e Kosovës në asnjë moment nuk e ka refuzuar vërtetësinë e takimeve që kanë ndodhur, mirëpo kanë bërë tërheqje taktike se nuk do të bisedojmë kurr për veriun apo për tema të ngjashme“, thotë Avni Arifi.

Mundësia që të ketë takime të fshehta ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, ndërkaq hidhet poshtë nga ministri i punëve të brendshme të Serbisë Ivica Dacic, i cili dy ditë më parë ishte për një vizitë në Kosovë. “Jo. Me aq sa di unë. Ju e dini që Serbia angazhohet që të vazhdojnë bisedimet. Që të jem plotësisht i qartë dhe i hapur. Shqiptarët nuk duan të jetojnë në Serbi. Serbët që jetojnë në kushte specifike, në enklava apo në veriun e Kosovës, thjeshtë nuk duan të jetojnë në njëfarë shteti të pavarur të Kosovës. Një numër i shteteve të mëdha, të zhvilluara e të fuqishme e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Nga ana tjetër një numër shtetesh pa pajtimin e të cilave Kosova nuk mund të jetë pjesë e OKB-së, nuk e kanë njohur. Pra krijohet situata që bisedimet duhet të vazhdojnë për atë se si do të shkohet më tutje dhe si do të zgjidhet kjo çështje”, thotë Ivica Dacic.

Avni Arifi
Avni ArifiFotografi: DW

Bisedimet të dëmshme?

Analistët e pavarur, nga ana e tyre thonë se qeverisë së Kosovës në këtë fazë nuk i duhen bisedimet me Serbinë qofshin ato të fshehta apo të hapura. Driton Lajqi, i cili ishte në studion e DW-së në Prishtinë thotë se bisedat me Serbinë para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së e cila mbahet me 14 shtator janë të dëmshme për Kosovën. “Mund të përdoren nga Serbia si argument politik se bisedimet po zhvillohen dhe në momente të caktuara e përdorin këtë argument dhe kjo e dëmton në një masë të konsiderueshme dhe reflekton në mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rreth ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës. Kjo ndikon edhe tek ato vende që janë të gatshme ta njohin pavarësinë e Kosovës”, thotë Driton Lajqi.

Driton Lajqi
Driton LajqiFotografi: DW

Sidoqoftë pati apo nuk pati kontakte të fshehta ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë pajtohen se Kosova dhe Serbia duhet të fillojnë një fazë te re bisedash për çështje teknike të interesit të përbashkët. Por derisa Beogradi kërkon që në biseda të perfshihet statusi i Kosovës, Prishtina thotë se kjo çështje është tashmë e kryer dhe Serbia dhe Kosova mund të bisedojnë vetëm si dy shtete fqinjë.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama