1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përfundon raundi i gjashtë

4 Mars 2013

Raundi i gjashtë e negociatave mes kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë Hashim Thaçi dhe Ivida Daciq përfundoi pa ndonjë marrëveshje konkrete.

https://p.dw.com/p/17qMh
Catherine Ashton, Ivica Daciq dhe Hashim ThaçiFotografi: DW

„Bisedimet kanë shënuar një përparim dhe kanë qenë konstruktive“, kumtoi pas takimit shefja e diplomacisë evropiane, ndërmjetësuesja në dialog, Catherine Ashton. „Për bisedime konstruktive“ folën edhe kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë Hashim Thaçi dhe Ivica Daciq, por raundi i gjashtë i negociatave mes përfaqësuesve të ekzekutivit të Kosovës dhe Serbisë ka përfunduar pa marrëveshje konkrete.

„Kemi biseduar për gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës“, theksoi Thaçi. Sipas tij, në takim është arritur përparim sa i përket përcaktimit të palëve për domosdoshmëinë e vendosjes së rendit dhe ligjit edhe në veri të Kosovës. Është arritur marrëveshje gojore për „zhbërjen e të gjitha organeve serbe të sigurisë dhe për funksionimin e rendit dhe ligjit“. Po ashtu palët janë dakord që në veri të mbahen zgjedhjet e lira dhe demokratike, ku serbët mund të zgjedhin përfaqësuesit e tyre por nuk ka marrëveshje përfundimtare për çështjen më të rëndësishme. „Natyrisht që kemi biseduar edhe për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili mund të krijohet sipas ligjeve dhe kushtetutës së Kosovës. Por në asnjë rrethanë nuk do të ketë mundësi që ky asociacion të ketë kompetenca legjislative dhe ekzekutive dhe nuk do të ketë ndonjë Ahtisari plus“, theksoi kryeministri i Kosovës. Sipas tij, secila zgjidhje duhet të jetë në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës si dhe me standardet evropiane. „Qëllimi është që serbët e pjesës verore të integrohen në institucionet e Kosovës dhe për këtë ceshtje do të vazdojmë të bisedojmë“, theksoi Thaçi.

EU-Außenbeauftragte Catherine Ashton Ivica Dacic Hashim Thaci
Përfundon raundi i gjashtëFotografi: European Union

Mungesën e marrëveshjeve konkrete dhe përfundimtare konfirmoi edhe kryeministri Daciq. „As pas këtij raundi nuk kemi gjetur ndonjë zgjidhje përfundimtare për problemet e hapura. Tema kryesore ishte asociacioni i komunave serbe. Por përveç marrëveshjes që ajo duhet të formohet dhe që ajo duhet të përfshijë të paktën nëntë komuna me shumicë serbe, ndonjë marrëveshje tjetër konkrete nuk është arritur“, theksoi ai.

Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë kanë pasur qëndrime të kundërta sa i përket strukturave të asociacionit të komunave me shumicë serbe, përgjegjësive dhe karakterit të tij.

„Ne duam që problemet të zgjidhen përmes dialogut. Ky dialog nuk po zhvillohet për shkak të datës për negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ka mbetur edhe pak kohë deri në hartimin e raportit për progresin, por ne nuk do të heqim dorë nga interesat tona kombëtare, për shkak të mundësisë së anëtarësimit në BE“, theksoi Daciq. Ai u shpreh i bindur se palët mund të merren vesh mes vete, „në veçanti në qoftë se pala kosovare është e gatshme për kompromise“.

Hashim Thaci, Cathrin Asthon und Ivica Dacic
Hashim Thaçi, Cathrin Asthon dhe Ivica DaciqFotografi: Christos Dogas/ European Commission

Daciq theksoi se palët deri tani kanë shënuar përparim sa i përket organeve që duhet të ketë ky asociacion i komunave, por palët nuk janë dakord për përgjegjësitë e këtyre organeve. „Ne mendojmë se marrëveshjet e deritanishme nuk sigurojnë, që ky asociacion të bëhet një faktor i rëndësishëm në Kosovë“, tha ai duke konstatuar: „Në këtë moment nuk ka ndonjë marrëveshje, por ekziston mundësia që javët e ardhshme të bëhet ndonjë hap tjetër, i cili do të mundësonte ndonjë kompromis“.

Mundësia tjetër për afrimin e qëndrimeve dhe për marrëveshje mes kryeministrave Thaçi dhe Daciq do të jetë me 20 mars kur do të zhvillohet raundi i shtatë i dialogut me ndërmjetësimin e baroneshës Ashton.


Autore: Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama