1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bisedimet Serbi- Kosovë: Vetëm për çështje teknike apo edhe politike?

2 Mars 2011

Autoritetet e Kosovës dhe Serbisë kanë emëruar udhëheqësit e delegacioneve të tyre dhe po përgatiten me nxitim për dialogun e ardhshëm shqiptaro-serb.

https://p.dw.com/p/10SSY
Fotografi: AP/Montage DW

Beogradi pohon se në dialog do të preket edhe çështja e statusit, ndërkohë që Prishtina kundërshton këtë dhe thotë se mund të bisedohet vetëm për çështjet teknike. Në Bruksel nuk përjashtohet mundësia që në rend dite të gjenden edhe çështje politike.

Udhëheqësja e delegacionit kosovar në dialogun e ardhshëm me Beogradin, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri disa herë ka theksuar se Prishtina nuk do të kalojë "vijat e kuqe në këto bisedime" dhe se "statusi i Kosovës është një çështje e mbyllur". Ndërkohë që shefi i delegacionit serb Borko Stefanoviq, pret që pas zgjidhjes së disa prej çështjeve teknike, në rend dite të vendoset edhe vet statusi i Kosovës. Sipas tij, "çështjet që kanë të bëjnë me sovranitetin, do të bisedohen në fazën e mëvonshme të dialogut". Përfaqësuesit e Grupit Ndërkombëtar të Krizave (GNK) në Bruksel pohojnë se të dy palët mund të kenë të drejtë.

Edita Tahiri Kosovo
Edita TahiriFotografi: DW

"Zonja Tahiri ka të drejtë, sepse në rend dite janë vetëm çështjet teknike. Por të drejtë ka edhe Beogradi, sepse kur në një vend takohen përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë, patjetër që do të preken edhe çështje shumë më serioze se ato teknike", pohon Marko Prelec, drejtor i programit për Ballkan në GNK. Sipas tij, bisedimet për çështjet teknike mund të jenë të dobishme edhe për krijimin e atmosferës së mirëbesimit mes palëve, sepse pa mirëbesim nuk mund të zgjidhen problemet esenciale të raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit.

Ekspertët në Bruksel janë të mendimit se situata aktuale e tendosur në Prishtinë, ku opozita konteston legjitimitetin e zgjedhjes së presidentit të ri Behgjet Pacolli, nuk do të influencojë shumë dialogun me Beogradin. Është shumë e mundur që raundi i parë i bisedimeve të mbahet javën që vjen në Bruksel, kanë bërë të ditur palët. Ndërsa ekspertët mendojnë se dialogu për çështjet tenike mund të fillojë menjëherë. Por, sipas tyre, Kosova dhe Serbia kanë para vetes edhe probleme shumë serioze, të cilat mund të ngarkojnë dialogun.

„Fjala është për shembull për veriun e Kosovës, i cili nuk është në rend dite, por do të jetë një temë e pashmangshme. Është shumë me rëndësi që rreth këtyre çështjeve shumë të ndjeshme, palët në bisedime të kenë mbështetjen e plotë nga kryeqytet e tyre. Prandaj është edhe e domosdoshme që të pritet deri në stabilizimin e plotë të situatës në Prishtinë", pohon Marko Prelec.

Përparimi i dialogut me Prishtinën është shumë me rëndësi për Beogradin, i cili shpreson se deri në fund të këtij viti do të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në GNK janë të mendimit se për këtë shkak, Beogradi do të detyrohet të bëjë lëshime në negociatat me Kosovën. Por Prelec pohon se këto lëshime nuk do të jenë patjetër në dëm të Beogradit.

Symbolbild EU und Slowenien, Kroatien, Bosnien-Herzegowina, Serbien Montenegro, Mazedonien, Kosovo Flash-Galerie
BE dhe vendet e dala nga shpërbërja e ish JugosllavisëFotografi: DW

"Është interesante të theksohet që në Bruksel po mendohet që të bëhet presion ndaj Beogradit pikërisht tani në momentin kur Serbia gjendet në fazën më të ndjeshme të procesit të afrimit me BE. Ky presion mund të shfrytëzohet për arritjen e përparimit për çështjen e Kosovës."

Nga ana tjetër, Prishtina është e interesuar për shumë çështje teknike, si udhëtimet nëpër territorin e Serbisë me dokumentat dhe targat e Kosovës, shfrytëzimin e hapsirës ajrore, njohjen e dokumentave etj. Por interesi më i madh i Kosovës është që përmes zgjidhjes graduale të problemeve të arrihet edhe deri tek akti formal i njohjes së pavarësisë së Kosovës, pohon Prelec.

Autor: Marina Maksimoviq/Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama