1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Biznes i zakonshëm? - Çfarë kërkojnë rusët në Ballkan?

Zoran Arbutina6 Mars 2008

Po vijnë rusët! - kjo thënie tingëlloi gjatë në veshët e perëndimorëve si kërcënim. Ajo nënkuptonte tanket në Lindje gati për marshim në Evropën Perëndimore. Ky urdhër nuk erdhi kurrë. Por rusët erdhën vërtet në Evropë

https://p.dw.com/p/DJRF
Dmitri Medvedjev, i zgjedhur president i Rusisë dhe presidenti aktual i Rusisë Vladimir Putin.
Dmitri Medvedjev, i zgjedhur president i Rusisë dhe presidenti aktual i Rusisë Vladimir Putin.Fotografi: AP

Aktivitetet më të reja ekonomike të Rusisë në Ballkan nuk mund të kalojnë pa u vënë re, të paktën përsa i takon sektorit të energjisë. Me Bullgarinë dhe Greqinë është rënë dakort për ndërtimin e një tubacioni nëntokësor nafte, në Serbi industria e naftës i është shitur koncerneve ruse Gasprom, Neft dhe Lukoil dhe të tria vendet marrin pjesë në projektin e sistemit të ardhshëm South-Stream për tranzitin dhe lëvrimin e gazit nëntokësor rus në BE. Edhe rafineria Bosanski Brod që ndodhet në pjesën serbe të Bosnjës bën pjesë ndërkohë në koncernin rus NeftegazInKOr. Një zhvillim i kuptueshëm dhe logjik nga pikëpamja ekonomike mendon Roland Gëc (Götz), ekspert për Rusinë në Fondacionin Shkencë dhe Politikë nga Berlini:

"Eshtë fare normale që një vend si Rusia kujdeset për marrëdhëniet me fqinjët e afërt dhe të largët. Dhe nuk është rastësi që investimet e Rusisë bëhen në rradhë të parë në sektorin e energjisë. Firmat energjitike ruse janë nga më të fuqishmet dhe mund të investojnë pasi kanë mjetet e nevojshme financiare. Ato kanë interes në rradhë të parë në sektorë ku bëhet fjalë për ngritje sistemesh tubacioni, linjash përçuese dhe rezervuarësh. Kjo ka të bëjë me faktin që Ballkani ka një lloj funksioni tranziti për firmat ruse të sektorit të energjisë, për naftë dhe gaz."

Kush i druhet varësisë nuk duhet të harrojë se veçanërisht sektori i energjisë ka dy aspekte: pasi janë ngritur tubacionet e naftës apo gazit ato janë statike dhe nuk mund të ndryshohen lehtë, thekson Gëc (Götz). Pasi një tubacion ka gjithmonë dy skaje:

"Kompanitë ruse janë të varura shumë fort prej tregut evropian pasi ai është tregu kryesor i shitjes për naftë dhe gaz. Ashtu siç janë të vendosura tubacionet tani bëhet fjalë për një varësi shumë shumë të fortë reciproke."

Por në vendet e Ballkanit këto zhvillime shpesh gjykohen në mënyrë kontradiktore: nga njëra anë fondet e freskëta që sjellin investuesit rusë janë të mirëpritura dhe mbizotëron gëzim për pjesëmarrjen në biznesin e madh në sektorin e energjisë. Nga ana tjetër shtohet shqetësimi për rrezikun e ushtrimit të presionit politik.

Që tani shumë vende të Europës Juglindore si p.sh. Kroacia, Bosnjë-Hercegovina apo Serbia janë shumë të varura nga furnizimet ruse me naftë dhe gaz, tendenca është në rritje. Që tani Rusia është një nga tregjet më të mëdha të shitjes për shumë vende të rajonit. A mos do të pasojnë së shpejti edhe kërkesat politike?

Oliver Vik, manaxher i Komisionit të Ekonomisë Gjermane për Vendet e Lindjes nuk është i këtij mendimi:

"Natyrisht Gasprom-i është pjesërisht i zotëruar nga shteti dhe bëhet fjalë për një sektor strategjik siç ndodh edhe në shumë vende të tjera ku këto ndërmarrje janë në disa raste plotësisht në duart e shtetit. Dhe është e kuptueshme që ka një koordinim për këtë politikë. Kjo ndodh edhe në vende si Franca apo Italia, ku këto firma janë pronë shtetërore."

Rusia thotë më tej Oliver Vik nuk duhet parë si kërcënim, por si partner ekonomik dhe politik.

"Asnjë vend nuk ka interes të shkatërrojë tregjet e tij më tërheqëse duke ushtruar një politikë që çon në fund në shkatërrimin e partnerit apo tregut ku vepron."