1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BND-ja shërbim i keqpërdorur

Monika Griebeler/Bahri Cani5 Dhjetor 2013

Pak pas themelimit të BND-së shërbimi sekret ka spiunuar edhe politikanët, shkencëtarët dhe gazetarët brenda Gjermanisë. Spiunimi është bërë me kërkesën e atij, që është dashur t'i kontrollojë ato, kancelarit Adenauer.

https://p.dw.com/p/1ATSR
Fotografi: picture-alliance/dpa

Shërbimet sekrete duan që gjërat të mbeten sekrete. Ato veprojnë në fshehtësi dhe pa zgjuar vëmendjen e opinionit. Kjo është natyra e tyre. Rreshtat në vijim, të shkruar nga shefi i dikurshëm i Shërbimit Informativ Federal BND, Reinhard Gehlen, në fillim të viteve 1960, nuk është dashur të bëhen publik kurrë: Politikani i SPD Willy Brandt është "një punëtor i madh por edhe tepër i ambicionuar". "Por si kryetar i bashkisë së Berlinit ai u është imponuar berlinezëve nga aleatët e jashtëm", shkruante Gehlen.

Klaus-Dietmar Henke megjithatë ka mundur t'i lexojë këto shënime. Historiani 66-vjeçar dhe zëdhënësi i "Komisionit të Pavarur të Historianëve për Hulumtimin e Historisë së BND" (UHK) është duke zbardhur me kolegët e tij punën e shërbimit sekret. Për shembull, sa nazistë kanë mbetur në shërbimin sekret edhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore? Ose sa befasuese ishte për shërbimin kryengritja në Gjermaninë Lindore (DDR) me 17 qershor 1953?

Kontrollet nga miqtë dhe armiqtë

Së fundi janë bërë publike edhe të dhënat për keqpërdorimin e shërbimit nga qeveria e kancelarit Konrad Adenauer (CDU), i cili ka qeverisur në Gjermani në periudhën prej 1949 - 1963. Zyra e kancelarit është dashur ta mbikqyrë BND. "Tërë kohën ka ekzistuar dyshimi se në kohën e Adenauerit është keqpërdorur BND-ja nga qeveria, por kjo nuk ka mundur të dëshmohet", thotë Henke. "Tani e shohim se - të them kështu - prezenca e BND në skenën e brendshme politike ka qenë shumë më e fuqishme, se sa është menduar në atë kohë."

Ish kancelari gjerman Konrad Adenauer
Ish kancelari gjerman Konrad AdenauerFotografi: picture-alliance/Judaica-Sammlung

Adenaueri e ka shfrytëzuar shërbimin për informim të jashtëm për qëllimet e brendshme poltike: Ai ka kërkuar mbledhjen e informacioneve për miqtë dhe armiqtö, opozitën dhe koalicionin - si për shembull për politikanin e SPD Brandt, por edhe për ministrin konservator Franz Josef Strauß. Disa qindra informantë, të cilët kanë qenë në të gjithë sektorët e rëndësishëm të shoqërisë dhe politikës, kanë qenë sipas Henke, bashkëpunötorë të shërbimit sekret. Shefi i BND Gehlen ia ka dhënë këto informata zyrës së kancelarit. "Shumica e gjërave nuk shënohen në letër. Por kemi disa dokumenta, ku shihet qartë që Adenauer kërkon: bëni këtë apo atö".

Kështu janë bërë të paktën 210 dosje të politikanëve, shkencëtarëve, apo gazetarëve, ku janë mbledhur të dhëna nga gazetat, bisedimet, dokumentat dhe deklaratat dhe janë përmbledhur në dokumente me rreth 500 faqe. Këto dokumente nuk janë tepër të rëndësishme, por me rëndësi është vetö fakti që është kërkuar spiunimi i tyre, për shkaqe "mbrojtjeje nga spiunazhi".

Loja dhe rregullat

Institucionet, që punojnë në mënyrë sekrete, i shfrytëzojnë të gjitha mundësitë për veprim edhe në shtetet demokratike. Detyrat si "mbrojtja nga spiunazhi", apo "lufta kundër terrorizmit" përdoren si legjitimim për veprimtarinë e zgjeruar të tyre, thotë Bodo Hechelhammer.

Zbulimet si këto të historianëve shkaktojnë debate të gjëra, si ajo për influencën dhe kontrollin nga shërbimet sekrete. BND edhe sot konotrollohet prej zyrës së kancelarit. Historiani Klaus-Dietmar Henke kërkon ndryshime. "Mundësia e vetme është që të emörohet një i ngarkuar i posaçëm për kontrollin e shërbimit, që nuk i përgjigjet qeverisë, por parlamentit."

Ish shefii BND-së, Reinhard Gehlen
Ish shefi i BND-së, Reinhard GehlenFotografi: AP

Edhe Gerhard Robbers nga Universiteti i Trier-it mendon se keqpërdorimet duhet të evitohen. Sipas tij parakushtet për kontroll ekzistojnë edhe tani: "Kushtetuta thotë shumë qartë se parlamenti duhet të krijojë një komision parlamentar, i cili i kontrollon shërbimet sekrete federale."

Ky organ kontrolli mblidhet çdo ditë në mënyrë sekrete. Anëtarët obligohen të heshtin edhe në kontakt me deputetët e tjerë. "Ky organ ka të drejtë të kërkojë akte të ndryshme, takime me bashkëpunötorë dhe drejtues të shërbimeve sekrete, ministra dhe autoritete të tjera. Ka shumë pak përjashtime", shpjegon Robbers. Por ai shton: "Ka pasur gjithmonë grindje për informacionet, që qeveria duhet t'ia japë këtij organi parlamentar". Duket se ka nevojë për përmirësimin e bashkëpunimit në disa faza.

Një sekret mbetet

Por një gjë mbetet sekrete. Dosjet e brendshme politike të BND-së për periudhën pas viteve 1969/1970 ende nuk ekzistojnë. Ka mundur të rikonstruktohet vetëm një pjesë e vogël e akteve nga ajo kohë. Deri tani nuk dihet, nëse edhe kancelarët e tjerë pas Adenauerit e kanë keqpërdorur BND për qëllimet e veta. Historianët aktualisht mund të bëjnë publike vetëm hulumtimet e tyre për periudhën prej vitit 1945 deri 1968.