1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bombardimet që i dhanë fund vuajtjes

Bahri Cani24 Mars 2014

Më 24 mars mbushen 15 vjet nga fillimi i bombardimeve të NATO-s kundër bazave të forcave serbe në luftën e Kosovës. Ndërhyrja e NATO-s si atëherë edhe sot has në reagime kontradiktore.

https://p.dw.com/p/1BV84
Bildergalerie Kosovo Krieg 15 Jahre 01.04.1999 Flüchtlinge
Fotografi: picture-alliance/dpa

Ish - kancelari gjerman Gerhard Schröder pohon se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë nuk ka pasur për bazë mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB, sepse Rusia ka qenë kundër ndërhyrjes. Por Schröder dhe kabineti i tij qeveritar vendosën që Gjermania për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore të bëhet pjesë e një ndërhyrjeje ushtarake jashtë vendit. Ndërhyrja në Kosovë e forcave perëndimore u quajt në atë kohë si "ndërhyrje humanitare" dhe kishte për qëllim shpëtimin e shqiptarëve nga represioni i forcave serbe.

Tribunali i Hagës për krimet e luftës në ish - Jugosllavi, ka konstatuar më vonë në vendimet për dënimin e ish-krerëve të Serbisë dhe ish-Jugosllavisë se forcat serbe kanë bërë përpjekje pës spastrim etnik në Kosovë, përmes vrasjeve dhe dëbimeve masive të shqiptarëve.

Krahasimet me Krimenë

Debati për ndërhyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë është riaktualizuar në Gjermani dhe qarqet perëundimore pas krahasimeve të presidentit të Rusisë Vlladimir Putin mes Krimesë dhe Kosovës. Shumica e analistëve gjermanë janë të mendimit se këto ndërhyrje nuk mund të krahasohen dhe se mes tyre s'ka asnjë ngjashmëri veç faktit, se për to s'ka pasur mandat nga Këshilli i Siguritmit. Në dallim nga Kosova dhe shqiptarët, në Ukrainë nuk ka pasur dëbime dhe dhunë masive ndaj rusëve. Ukraina në dallim nga Jugosllavia e dikurshme nuk ndodhet në proces shpërbërjeje. Nga ana tjetër nërhyrja në luftën e Kosovës nuk kishte synim aneksimin e saj nga një vend tjetër as nga SHBA-ja, as nga Gjermania apo ndonjë vend tjetër. Ndërsa ndërhyrja ruse në Krime ka për qëllim shkëputjen e këtij territori nga Ukraina si shtet sovran dhe bashkimin e tij me Rusinë.

Bildergalerie Kosovo Krieg 15 Jahre Staatsfernsehen Belgrad
Sulmi i NATO-s ndaj televizionit shtetëror në BeogradFotografi: picture-alliance/dpa

Bilanci i sulmeve

Mediat kujtojnë edhe bilancin e sulmeve të NATO-s, të cilat kanë zgjatur 78 ditë. Bombardimet filluan pas aksioneve të shumta të forcave serbe, djegieve dhe dëbimeve masive në vitin 1998 dhe pas dështimit të Konferencës së Rambujesë për një marrëveshje paqësore me Beogradin. Pasi dështuan edhe përpjekjet e fundit të ndërmjetësueit të atëherëshëm amerikan Richard Holbrooke, bombardimet filluan më 24 mars 1999 në orën 20:00. Sulmet ndaj forcave serbe u ndërprenë më 10 qershor 1999, pasi një ditë më parë u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës, me të cilën presidenti i atëhershëm i Republikës Socialiste të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, pranoi t'i tërheqë trupat nga Kosova.

Nga bombardimet janë vrarë, sipas vlerësimeve serbe, rreth 1.200 - 2.500 ushtarë dhe civilë serbë. Janë shkatërruar në masë infrastruktura dhe objektet e ekonomisë serbe. Por janë goditur edhe ura, godina të mediave dhe objekte të tjera civile, si dhe kolona të civilëve, që në atë kohë u cilësuan si "dëme kolaterale".

Serbia ka vlerësuar se dëmet e sulmeve të NATO-s kanë qenë rreth 29,6 miliardë euro. Humbjet nga ana e shqitparëve të Kosovës kanë qenë shumë të mëdha. Varësisht prej vlerësimeve thuhet se kanë humbur jetën rreth 15 vetë. Me mijëra njerëz edhe më tej llogariten si të zhdukur. Ndërkjohë që forcat serbe kishin dëbuar me dhunë nga Kosova më shumë se 860.000 kosovarë.

Më 12 qershor u futën në Kosovë trupat ndërkombëtare. Në fillim kishte rreth 37.200 ushtarë nga 36 vende - 30.000 nga vendet e NATO-s. Ndërkohë numri i ushtrëve të huaj në Kosovë është zvogluar në rreth 5.000.

Bildergalerie Kosovo Krieg 15 Jahre Pancevo Raffinerie
Sulmi i NATO-s ndaj rafinerisë në PançevëFotografi: picture-alliance/dpa

Jahjaga: Përvjetori më i rëndësishëm

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, thotë se 24 marsi shënon përvjetorin më të rëndësishëm në historinë e re të Kosovës. “Po shënojmë 15 vjetorin e sulmeve ajrore të NATO-s mbi objektivat serbe, një intervenim thellësisht humanitar, që shpëtoi qindra mijëra jetë të qytetarëve të Kosovës dhe që ofroi mundësinë e re për një jetë të lirë, në një shoqëri demokratike e të zhvilluar. Në këtë 15 vjetor, shprehim mirënjohjen tonë të thellë për SHBA-në dhe vendet anëtare të BE-së, për Aleancën e NATO-s, që parandaluan spastrimin etnik të Kosovës dhe që përmes sulmeve ajrore në mbrojtje të popullit të Kosovës i dhanë fund një regjimi shtypës, për të mundësuar një jetë të re”, thuhet në deklaratën e Presidentes Jahjaga.
Presidentja e Kosovës pohon se "15 vjet më pas Kosova është shtet i lirë dhe i pavarur i të gjithë qytetarëve të tij pa dallim".

Ndërsa kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi pohon se 24 marsi paraqet ditën e fillimit të "fitores së madhe". "Kjo është një ditë e madhe për Republikën e Kosovës, për qytetarët e saj dhe për të gjithë shqitparët", theksoi ai. Kryeministri ka falënderuar të gjitha vendet, që kanë marrë pjesë në ndërhyrjen ushtarake, në veçanti SHBA-në dhe vendet e BE-së, sepse kjo ndërhyrje ka mundësuar ndërtimin në Kosovë të një shoqëri civile, liridashëse që respekton vlerat e përgjithshme njerëzore.

Bildergalerie Kosovo Krieg 15 Jahre Aviano Stützpunkt
Avionët e NATO-s që kryenin sulmet ndaj bazave në Serbi ishin dislokuar në bazën ushtarake në Aviano të ItalisëFotografi: Usaf/Getty Images

Nikoliq: Nuk do ta harrojmë ndërhyrjen

Presidenti i Serbisë Tomisllav Nikoliq mori pjesë në ceremoninë përkujtomore të organizuar tek ura e Varvarinit. "Do ta kishim më lehtë sikur pranë emrave të mijëra viktimave të pafajshme të dinim edhe emrin e ndonjërit prej atyre që kanë urdhëruar apo i kanë kryer këto krime", theksoi Nikoliq.

Në Varvarin më 30 maj 1999 u vranë dhjetë vetë dhe u plagosën dhjetra civilë. "Ne e kemi për detyrë që të mos e harrojmë kurrë këtë padrejtësi dhe vrasjen e njerëzve të pafajshëm. Duam të vërtetën", theksoi ai duke shtuar se "shumica e serbëve nuk i ka harruar dhe nuk do t'i falë këto krime, sepse nuk e kemi dëgjuar kurrë asnjë kërkim falje për këto krime ndaj njerëzve të pafajshëm".

Nikoliq vitin e kaluar ka kërkuar falje për krimet e serbëve në Bosnje-Hercegovinë. Por për krimet e bëra ndaj shqiptarëve në Kosovë, deri tani askush nuk ka kërkuar falje. Falje nuk ka kërkuar askush as për viktimat e pafajshme në Serbi.