1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bora deri në 3 m bllokon veiun e Shqipërisë

Vilma Filaj-Ballvora12 Shkurt 2012

Acari i egër, ngricat dhe temperaturat e ulta, kanë izoluar mijëra banorë dhe kanë bërë të pakalueshme të gjitha akset rrugore nacionale në veriun e Shqipërisë.

https://p.dw.com/p/1426f
Borë dhe kaos
Borë dhe kaos gjithandej në EvropëFotografi: AP

Uljet e ndjeshme të temperaturave dhe ngricat po shkaktojnë probleme duke e vështirësuar edhe më shumë situatën e krijuar prej valës së të ftohtit dhe borës së ditëve të fundit në të gjithë pjesën veriore të Shqipërisë. Autoritetet lokale të këtij qarku njoftojnë, se situata nuk konsiderohet problematike, kjo edhe për shkak të masava paraprake që janë marrë nga të gjitha strukturat e pushtetit lokal. Sipas Kryetarit të Këshillit të Qarkut Shkodër Maxhid Cungu, shtabi i emergjencave civile ka krijuar grupe të gatshme pune, në bashkëpunim edhe me drejtuesit e komunave, për tu ardhur në ndihmë banorëve në zonat e prekur nga bora: "Janë marrë të gjitha masat për përballimin e kësaj situatë si nga drejtoria rajonale e rrugëve, e policisë, e qarkullimit, e shëndetit, ajo e arsimit, si dhe të gjitha drejtoritë e tjera përkatëse. Kjo flet për një angazhim dhe ndërgjegjësim mjaft të mirë të të gjitha këtyre strukturave, të cilat në mënyrë operative kanë filluar punën për të vënë në dizpoziçion të gjitha kapacitetet e nevojshme."

Të ftohtit në Maqedoni.
Si të shpëtohet nga të ftohtit.Fotografi: picture-alliance/dpa

Zonat e thella malore të Kukësit, Dibrës dhe Shkodrës, konsiderohen si më problematiket, pasi pjesa më e madhe e akseve kryesore rrugore janë të bllokuara plotësisht. Nënkryetari i Komunës së Shalës në Dukagjin, Pal Shytani thotë se banorët këtu po përballen me vështirësi nga më të ndryshmet për shkak të  mungesës së komunikimit dhe të transportit: "Komuna Shalë është e izoluar tërësisht që nga data 1 shkurt. Problemet më të mëdha paraqiten në fshatin Gimaj, pasi ka katër ditë, që këtu ka një të vdekur dhe nuk kemi asnjë mundësi për ta varrosur. Gjithashtu janë edhe katër të tjerë të sëmurë. Banorëve këtu u mungon energjija elektrike, uji, ushqimet dhe ilkaçet. Prandaj kërkojmë ndihmë  sa ma parë nga pushteti lokal."

Në disa zona trashësia e borës arrin deri në 3 m

Për Kryetarin e Partisë Socialiste të Rrethit Shkodër, Genc Uruçi, situata e krijuar po keqmenaxhohet nga Shtabi i Emergjencave Civile i ngritur enkas për këtë punë. Sipas tij kjo qeveri nuk është e aftë për përballimin e situatave emergjente: "Ne po përpiqemi, thotë ai, që të bëjmë diçka, por realisht duhet ndërhyrja e shtetit. Është e njëjta situatë siç ishte vjet nga përmbvytjet, nuk është bërë asgjë për t'i ardhur në ndihmë popullit të vet."

Pamje në Gjermani.
Acari ka përfshirë edhe Gjermaninë.Fotografi: picture-alliance/ZB

Infermieret e zonës Vitore Toma dhe Pina Martini, bashkë me një sasi të konsiderueshme ilaçesh janë përgatitur për t'u nisur me qëllim që t'u shkojnë në ndihmë banorëve, të cilët kanë mbetur të izoluar në zonën malore të Dukagjinit: "Situata parashëndetësore paraqitet në kontroll sepse në atë zonë kemi infermierët tonë të turnit, të cilët nuk mund të lëvizin pasi bora shkon në rreth 2 m.

"Ne kërkojmë që edhe populli të marrë masa brenda të gjitha mundësive që kanë."

Ndërkohë që rreshjet e borës bien pa ndërprerje dhe trashësia e saj në disa vende arrin deri në 3 m,  e vetmja ndihmë që mund t'u jepet banorëve të zonave të bllokuara është ajo nëpërmjet ajrit. Një helikopter dhe disa punonjës janë në gatishmëri për të gjitha rastet e emergjencave shëdetësore si dhe për dërgimin e ndihmave ushqimore në ato vende, ku ajo do të jetë e domosdoshme.

Autor: Lekë Plani

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora