1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Botërori 2014 në Brazil - Kampionat politik

Astrid Prange / ilma Filaj-Ballvora29 Maj 2014

Kampionati Botëror në Brazil po kthehet në ngjarje politike. Në prag të tij priten valë protestash kundër stadiumeve të shtrenjta e mungesës së investimeve për shkollat dhe spitalet.

https://p.dw.com/p/1C8fh
Fotografi: Tânia Rêgo/ABr

Një skenë e pazakontë, kur ekipi kombëtar brazilian u ul në aeroportin ndërkombëtar të Rio de Zhaneros. Në vend të tifozëve entuziastë veshur me fanella të gjelbra dhe të verdha ekipi u prit nga një grup mësuesish të zemëruar që thërrisnin: "Më besoni, arsimi është me i vlefshëm se Neymar-i", apo "Ne nuk kemi nevojë për Botëror".

I çuditur prej pritjes nuk ishte vetëm ylli brazilian i futbollit Neymar. Zakonisht "Seleção", ekipi kombëtar brazilian, mezi çan rrugën mes tifozëve që i brohorasin, kurse tani u gjendën të rrethuar nga mësues dhe njerëz të pastrehë që protestonin. Madje që autobusi i ekipit të çante korridorin e demonstruesve, futbollistëve iu desh edhe mbështetja dhe mbrojtja e policisë.

Kampionat politik

Pak para fillimit të Kampionatit Botëror në Brazil po bëhet gati një valë e re proteste kundër stadiumeve të shtrenjta dhe mungesës së investimeve për shkollat dhe spitalet. Në greva duan të marrin pjesë jo vetëm mësuesit, por edhe shoferët e autobusëve dhe policët.

Bus Streik in Rio 13.05.2014
Fotografi: Reuters

"Në fakt, futbolli dhe politika nuk kanë të bëjnë asgjë me njëri-tjetrin, por kjo po ndryshon tani", thotë studiuesi Valeriano Mendes Costa Ferreira nga Universiteti Unicamp në qytetin Campinas. "Për Brazilin, ky është kampionati i parë vërtet politik." Entuziazmi për Botërorin me sa duket është zhdukur dhe nga euforia e vitit 2007 nuk ndihet më asgjë. Kjo lidhet edhe me faktin se shumë nga shpresat që lidheshin me Botërorin si një mjet për rritjen ekonomike dhe zgjerimin e infrastrukturës kombëtare të transportit tani janë reduktuar në minimum.

Kolumnistja Dora Kramer e së përditshmes "O Globo" mendon se: "Në rast se gjithçka do të shkojë mirë, atëhere kjo do të shihet si meritë e qeverisë. Në rast se jo, atëhere presidentja Dilma Rousseff do ta ketë të vështirë në zgjedhjet që zhvillohen në tetor."

Brasilien Christusstatue
Fotografi: Getty Images

Kryesisht tifozë brazilianë

Sipas Ministrisë së Turizmit në Brazilia 80 për qind e sportdashësve që do të ndjekin ndeshjet në stadiume janë vendas. Nga 2,7 milionë biletat e shitura deri tani, vetëm 500.000 janë blerë prej turistëve të huaj. Sipas llogaritjeve nga jashtë pritet të vijnë rreth 600.000 vizitorë. Për krahasim: për Kupën e Botës në Gjermani erdhën rreth 1,3 milion sportdashës nga jashtë.

"Për shkak se për këtë Botëror nuk do të vijnë shumë vizitorë ndërkombëtarë, presioni që çdo gjë të funksionojë si duhet nuk është aq i madh", thotë Valeriano Costa. Brazilianët janë mësuar me kaosin e përditshëm dhe nuk çuditen nëse infrastruktura nuk funksinon mirë. Sipas tij në të ardhmen FIFA do t'u shmanget vendeve ku priten protesta, sepse nuk do t'u hyjë më rreziqeve.