1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

061210 Elfenbeinküste Krise

6 Dhjetor 2010

Për shkak të shkallëzimit të konfliktit për pushtet në Bregun e Fildishtë Bashkësia e Shteteve Afrikanoperëndimore Ecowas thirri për nesër një samit krize në kryeqytetin nigerian Abuxha.

https://p.dw.com/p/QQby
Përpjekje për ndërmjetësim në Bregun e FildishtëFotografi: AP

Rreth 20 milionë banorët e Bregut të Fildishtë e nisin këtë javë të re me dy presidentë. Në vend të unitetit zgjedhjet e mezipritura sollën ndasi të re, thelluan ndarjen. Nga frika prej ekseseve shumë pronarë as nuk do t'i hapin kioskat e tyre, shumë vetë do të druajnë rrugën për punë. Në vend të kësaj ata do të ngjiten pas aparateve të radios dhe televizorit për të ndjekur zhvillimet.

Por në to iu jepet vetëm një version i së vërtetës, si në fundjavë, kur Laurent Gbagbo u zgjodh në transmetim të drejtpërdrejtë si president: "Para popullit sovran të Bregut të Fildishtë betohem solemnisht për nder, se do të respektoj dhe mbroj besnikërisht kushtetutën, liritë dhe të drejtat e shtetasve, që më dhanë besimin. Të më godasë gjithë fuqia e ligjit nëse tradhëtoj mandatin tim."

Elfenbeinküste Wahl Laurent Gbagbo
Ceremonia e betimit të Laurent GbagbosFotografi: AP

Televizioni shtetëror e transmetoi drejtpërdrejt ceremoninë e organizuar me nxitim - kësisoj të gjithë mund të shihnin, që salla e madhe e pallatit presidencial ishte mbushur kryesisht me përkrahës të Gbabgos, pjesa më e madhe e trupit diplomatik mungonte. Ky ishte një sinjal i qartë, se sa shumë është izoluar Laurent Gabgbo nga bashkësia ndërkombëtare. Pas Kombeve të Bashkuara, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në fundjavë pretendimi i tij për pushtet u kundërshtua edhe prej partnerëve të tij afrikanë. Bashkimi Afrikan paralajmëroi prej konsekuencave të pallogaritshme: fjala është për një luftë të re civile. Edhe Bashkësia e Shteteve Afrikanoperëndimore Ecowas nuk e njeh Gabgbon si fitues të zgjedhjeve të fundit presidenciale.

Dossierbild Elfenbeinküste 1
Lideri i opozitës Alassane OuattaraFotografi: AP

Bashkimi Afrikan për të Drejtat e Njeriut i bëri atij thirrje në stacionin radiofonik francez RFI, të respektojë vullnetin e zgjedhësve. Kryetari i saj Ibrahim Koné tha: "I bëjmë thirrje Laurent Gagbgos, të tregohet i përgjegjshëm, të ruajë respektin duke ia dorëzuar pushtetin Alassane Dramane Ouattara-ës, i cili u zgjodh prej popullit ivorian dhe gëzon mbështetjen e gjithë bashkësisë ndërkombëtare."

Por këtë mesazh nuk e merr njeri, para së gjithash jo në jugun e Bregut të Fildishtë, ku vendosin forcat e sigurisë të Gbagbos. Atje radioja RFI është e mbyllur, BBC-ja britanike është e kufizuar në valët e shkurtra, stacioni televiziv popullor France 24 nuk shihet. Ndërkaq Ouattara theksoi pretendimin e tij për pushtetin dhe iu bëri thirrje organeve shtetërore, që ta ndjekin.

Autor: Stefan Ehlert / Elert Ajazaj
Redaktor: Pandeli Pani