1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të rinjtë britanikë mbështesin BE-në

Joanna Impey / Eliana Xhani19 Janar 2013

Pikërisht kur dukej se në Britani kishte ardhur koha e euroskeptikëve, një vrojtim i ri konstaton dallime mes brezave në qendrimin ndaj BE-së.

https://p.dw.com/p/17NSH
Fotografi: lightpoet/Fotolia

Dy të tretat e të rinjve britanikë nga 18 deri 24 vjeç do të votonin pro anëtarësimit në BE. Ky është rezultati i një sondazhi të fundit të kryer nga agjencia për studime tregu, YouGov, në Britani të Madhe.

Megjithatë në përgjithësi ata që duan të largohen nga BE kryesojnë me 12 për qind. Mes britanikëve më shumë se 60 vjeç ky numër është veçanërisht i lartë, me 61 për qind. Po përse është kaq predominues euroskepticizmi mes të moshuarve në Britani? Dhe përse brezi i ri e mbështet më shumë projektin evropian?

Përfitimet për rininë

Logo e organizatës YouGov.
Logo e organizatës YouGov

Duket se të rinjtë mendojnë shumë me tepër se kanë përfituar personalisht nga anëtarësia e Britanisë në BE, se sa më të moshuarit. Shumë prej tyre sipas vrojtimit, pëlqejnë avantazhet e lëvizjes së lirë në Evropë si dhe të drejtat sociale dhe të punësimit. Vetëm një në pesë të rinj të grupmoshës nga 18-34 vjeç ka deklaruar në anketim, se nuk ka përfituar personalisht nga anëtarësimi i Britanisë, ndërkohë që tek britanikët mbi 60 vjeç kështu mendon gjysma.

Mbretëria e Bashkuar hyri në BE në vitin 1973 por janë britanikët më të rinj ata që kanë korrur përfitimet më të mëdha. John Wastnage është një nga të rinjtë britanikë që ka shfrytëzuar gjithçka që Evropa ka për të ofruar. Ai ka studiuar gjuhë evropiane në universitet dhe tani është president i Lëvizjes së të Rinjve Evropianë, një organizatë e drejtuar nga të rinjtë, për të rinjtë që janë të interesuar të zbulojnë më shumë rreth BE-së.

"Unë kam përfituar nga fakti që Evropa është bërë kontinent më liberal dhe ndërkombëtar. Kam përfituar nga liria e lëvizjes, nga mundësia për të studiuar në Sorbonë në Paris dhe nga mundësia për të jetuar në Spanjë dhe Milano. E dashura ime është gjermane dhe bashkë jemi njohur në Spanjë", tregon ai për Deutsche Welle-n.

Karakteri ndërkombëtar e bën shumë tërheqës për të rinjtë Londrën
Karakteri ndërkombëtar e bën shumë tërheqës për të rinjtë LondrënFotografi: picture-alliance/Jane Legate/Robert Harding

"Shumë prej miqve të mi në Londër janë nga vende të tjera evropiane. Karakteri ndërkombëtar i Londrës e bën atë një qytet interesant për të jetuar."

"Vizioni i ri" i Cameron-it për Evropën

Rezultatet e vrojtimit u publikuan në një kohë kur qeveria britanike po shkon drejt raporteve më të distancuara me Evropën. Në Partinë Koservatore në pushtet janë të shumtë zërat nga kampi i djathtë, që kërkojnë daljen e plotë të Britanisë nga BE-ja.

Kryeministri i Britanisë David Cameron, kishte planifikuar të mbante një fjalim vendimtar mbi këtë çështje të premten, por u detyrua ta shtyjë për shkak të krizës së pengjeve në Algjeri. Kur më në fund ta mbajë fjalimin, duket se nuk do të ketë mundësi të mbështetet tek votuesit e rinj: "Unë besoj se shumë prej problemeve me të cilat përballemi në Britani dhe në botë duhet të zgjidhen duke bashkëpunuar me vendet e tjera dhe jo duke u izoluar dhe duke u përpjekur t'i zgjidhim vetë", thotë Wastnage.

Kryeministri britanik Cameron pritet të mbajë një fjalim mbi qendrimin e Britanisë në BE
Kryeministri britanik Cameron pritet të mbajë një fjalim mbi qendrimin e Britanisë në BEFotografi: Reuters

"Të rinjtë janë rritur në një mjedis më të globalizuar, veçanërisht ata afër të 18-ve. Atyre nuk u kujtohet koha kur interneti nuk ka qenë i gjithëpranishëm dhe kjo është diçka e rëndësishme: ata e shohin veten më shumë si qytetarë të globit", shpjegon Joe Twyman, drejtor i kërkimeve politike dhe sociale në organizatën YouGov.

Çështje shifrash

Por Twyman shton se duke pasur parasysh demografinë në Britani, pushteti votues është në duart e popullsisë më të moshuar, pra përkrahësit e Evropës duhet t'i shohin me kujdes shifrat.

"Më të moshuarit janë ata që shkojnë më shumë për të votuar dhe kjo mund të jetë vendimtare nëse mbahet një referendum. Pra megjithë qendrimin pro-evropian të vendit, veçanërisht të të rinjve, në rast të një referendumi njerëzit që do të votonin do të ishin ata më të moshuar, më pak evropianë. Kështu për shkak të pjesëmarrjes së ulët në votim, mund ta shihnim veten jashtë Evropës", thotë Twyman për Deutsche Welle-n.