1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Brukseli: dialogu Prishtinë-Beograd nuk vazhdon nesër

17 Prill 2013

Në Bruksel po zhvillohet raundi i nëntë i negociatave Prishtinë -Beograd. Zëdhënësja e Ashtonit, Maja Kocijancic pohon se nga epilogu i bisedimeve sot varet se cilat do të jenë vlerësimet në raportin e baroneshës Ashton.

https://p.dw.com/p/18HNg
Fotografi: Reuters

E ngarkuara e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri Chaterine Ashton ka ndërprerë vizitën e saj në vendet e Evropës Juglindore dhe ka ftuar në Bruksel kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic për një përpjekje të fundit për arritjen e marrëveshjes për veriun e Kosovës. Ashtoni është takuar fillimisht me delegacionin e Kosovës e më pas edhe me delegacionin nga Beogradi. Më pas palët do të takohen në një takim trilateral, ku do të vendoset nëse do të nënshkruhet ndonjë marrëveshje apo jo.

Kocijancici nuk deshi të flasë për epilogun e mundshëm të këtij dialogu dhe hapat që do të ndërmirren pas ditës së sotme, por shtoi se Ashtoni i ka ftuar kryeministrat për mbajtjen edhe të këtij raundi me shpresë se dialogu do të rezultojë me sukses. Zonja Ashton mbetet e përkushtuar që të gjitha problemet të zgjidhen përmes dialogut, por palët janë ato të cilat duhet të bien dakord, theksoi Kocijancic.

Ajo bëri të ditur se nga epilogu i bisedimeve të sotme varet se cilat do të jenë vlerësimet në raportin e baroneshës Ashton, i cili zyrtarisht do të prezantohet ditën e hënë. Nga ky raport varet nëse Serbia do të marrë datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evopian. Kocijancic përjashtoi mundësinë që dialogu të vazhdojë edhe nesër, sepse shefja e diplomacisë evropiane do të udhëtojë sonte në Sarajevë ku të enjten në mëngjes do të ketë takime me krerët e Bosnjë e Hercegovinës.

Delegacioni i Kosovës kryesohet nga kryeministri Thaçi, i cili tha se pala kosovare, për Asociacionin e komunave me shumicë serbe nuk do të pranojë asnjë zgjidhje e cila nuk është në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Sipas tij, ligjet dhe Kushtetuta ofrojnë mundësi të mjaftueshme për mbrojtjen e interesave të të gjithë qytetarëve. Kemi ardhur për të arritur një marrëveshje paqeje e cila do t'u jepte fund konflikteve shekullore mes palëve dhe do të mundësonte paqën dhe stabilitetin në rajon, theksoi Thaçi para takimit bilateral me zonjën Ashton, duke shtuar se marrëveshja e tillë do t'i hapte perspektivën evropiane të dyja vendeve - Kosovës dhe Serbisë. Në delegacionin kosovar gjenden edhe zëvendëskryeministri Hajredin Kuci, Blerim Shala etj.

Pala serbe po përfaqësohet nga Dacici dhe zëvendësi i tij Aleksandar Vucic. Ata kanë bërë të ditur në Beograd se nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të ketë përgjegjësi dhe kompetenca shtesë në pushtetin ekzekutiv, në vecanti në polici dhe gjykata. Dacic tha se ushtria e Kosovës nuk do të mund të futet në veri. Ndëra në prag të takimit në Bruksel nuk u deklaruan.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Auron Dodi