1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bullgaria një stacion i ndërmjetëm për refugjatët?

Marya Ilcheva29 Prill 2016

Më shumë se 4.500 refugjatë janë regjistruar këtë vit në Bullgari. Por shumica prej tyre nuk duan të qëndrojnë aty. Marya Ilcheva vizitoi kampin më të madh bullgar, Harmanli, pranë kufirit bullgaro-turk.

https://p.dw.com/p/1IerF
Bulgarien Flüchtlingslager Harmanli
HarmanliFotografi: DW/M. Ilcheva

Përafërsisht 60 kilometra e ndajnë Harmanlinë, kampin më të madh bullgar nga kufiri me Turqinë. Para dy vitesh këtu gjeti strehë edhe 37-vjeçari kurd, Rasheed Allaui nga Siria. Një rast tipik gjatë valës së emigracionit: Ai është i shkolluar, flet anglisht dhe punonte më parë në Damask si shoqërues turistësh. Në tetor 2013 lufta e bëri të largohet, fillimisht në Turqi, ku qëndroi disa kohë, pastaj ai i mblodhi të gjitha kursimet dhe bëri pazar me kontrabandistët për 500 euro të vinte në Europë. Por paratë mjaftuan vetëm për të qëndruar në Bullgari.

Ndërkohë Allaui ka marrë statusin e azilantit politik dhe jeton në Stara Zagora - një gjysmë ore me automjet larg nga kampi i tij i dikurshëm, Harmanli. Atje ai shkon rregullisht, pasi Rasheed Allaui punon si ndërmjetësues për gjuhën e kulturën për Kryqin e Kuq, kjo punë i sjell 500 euro në muaj. Nuk duket shumë në vështrim të parë, por është dyfishi i një rroge mesatare bullgare.

Bulgarien Harmanli Flüchtlingsunterkunft
Jordan Malinov, drejtor i kampitFotografi: DW/M. Ilcheva

Gjëja kryesore - ikja nga Bullgaria

Një refugjat të tillë kaq shembullor nuk e gjen shpesh në Bullgari. Vendi konsiderohet si një itinerar i mundshëm drejt Europës, por shumica e migrantëve devijojnë nga ky itinerar. Ata që hyjnë në Bullgari largohen për një kohë të shkurtër. Në fillim të vitit 2016 u regjistruan në të gjitha kampet e pranimit në Bullgari rreth 4.500 refugjatë, por në vend kanë qëndruar vetëm 700 syresh. Një nga arsyet është edhe imazhi negativ i vendit, ku "trupa mbrojtëse" qytetare "përndjekin" refugjatët dhe ku një refugjat u godit për vdekje në përpjekjen për të kaluar kufirin. Por po ashtu shumë emigrantë ëndërrojnë për Europën edhe si "shtet social".

Joardan Malinov, drejtor i kampit të refugjatëve në Harmanli thotë se "emigrantët e dinë shumë mirë, se në Gjermani, Danimarkë, Suedi marrin ndihma të mira sociale, ndërsa tek ne vetëm një çati mbi kokë dhe ushqim." 33 eurot në muaj, të ofruara më parë, janë fshirë nga lista e trajtimit.

Bulgarien Harmanli Flüchtlingsunterkunft
Një familje siriane në HarmanliFotografi: DW/M. Ilcheva

Me avionët e linjave të leverdisshme në Gjermani

"Në Gjermani çdo gjë është më mirë", ëndërron Uarda Hossein, një 28 vjeçare siriane shtatzënë. Prej gjashtë muajsh ajo jeton në Siri me bashkëshortin e shtatë fëmijët. Për të ardhur nga Turqia në Gjermani ata i paguan 9000 euro kontrabandistëve. "Ditën që po udhëtonim përmes Bullgarisë binte një shi me rrebesh", rrëfen Uarda. "Kur po kalonim me makinë nëpër një pyll, papritur shoferi na tha të zbrisnim, se do të na merrte një automjet tjetër që do të na çonte në Serbi. Por nuk erdhi askush." Pas shumë orësh pritjeje familja nëntëanëtarëshe u nis vetëm, por u kap nga policia rrugës. Rrugëtimi përfundoi pak para Sofjes.

Familja Hossein ka marrë azil dhe pasaporta bullgare, me të cilat mund të lëvizin në Europë. Ëndrra për Gjermaninë nuk ka përfunduar: "Po qe se ia dalim të shkojmë në Gjermani dhe të gjejmë punë brenda tre muajsh, me këto dokumente mund të qëndrojmë", thotë Uarda. Por familjes i mungojnë paratë për biletën e avionit. Ata janë në pritje të të afërmve nga Frankfurti që të dërgojnë diçka e pas kësaj të gjithë do të gjejnë një linjë të leverdishme fluturimi për të ardhur në Gjermani.

Dëshirë për siguri sociale

"Shumica e refugjatëve qëndrojnë vetëm një javë në Harmanli", vëren Jordan Malinov. Kush ka para largohet. "Natën ata largohen nga ndërtesa dhe nuk kthehen më kurrë." Për Malinov situata është e qartë. "Për sa kohë që në vendet e BE-së kanë standarte të ndryshme trajtimi dhe pranimi të refugjatëve, atëherë ata do të kërkojnë vendet e pasura." Sipas drejtorit të kampit edhe profili i refugjatëve ka ndryshuar. Në fillim kishte shumë familje që kërkonin një strehë të sigurtë, më vonë në vitin 2013 dhe 2014 erdhën shumë sirianë të shkolluar, si Rasheed Allaui. "Ndërsa sot vijnë më së shumti të rinj irakianë dhe afganë, të cilët me gjasë ikin prej "Shtetit Islamik". Gati 90% e tyre i kanë hedhur pasaportat, thotë Malinov. Ndërkohë që për punë e integrim janë shumë pak vetë të interesuar.

Bulgarien Harmanli Flüchtlingsunterkunft
Ambientet e brendshme të kampitFotografi: DW/M. Ilcheva

Pengesa në integrimin në Bullgari

Së fundmi refugjatëve që kanë qëndruar më shumë se tre muaj në Bullgari iu ofrohen oferta konkrete pune. "Do të punosh si kuzhinier apo bukëpjekës?", e pyet punonjësja sociale, Svetlana Karazogjova një irakian 23 -vjeçar, që do të jetë anonim për mediat dhe do të merrte si rrogë rreth 450 euro në muaj. "Nuk e di", përgjigjet ai. "Deri më tani askush nuk ka pranuar diçka", thotë Karazogjova. "Të gjithë duan të vazhdojnë rrugën për në Gjermani."

Në tetor 2015 kampi i Harmanlisë rejistronte 2000 vetë, një gjysmë viti më vonë aty ndodhen 130 vetë. Aktualisht në kamp regjistrohen 1 deri në 2 azilkërkues në javë. "Na mungojnë refugjatët", thotë punonjësja sociale që mund të humbasë vendin e punës, ashtu si kolegët e saj. Edhe tregtarët e vegjël në qytet i duan refugjatët, sepse në kohën e tyre ata shënuan fitime më të mëdha, ndërkohë që tani tregtia ka rënë.

Ndërmjetësuesi kulturor, Rasheed Allaui qëndron ndërkohë në Bullgari. Ndoshta përgjithmonë. Nuk ka rëndësi për të që jeton në vendin më të varfër të BE-së. "Ky vend më pëlqen dhe nuk dua të largohem për në Gjermani", thotë ai. "Mentaliteti i sirianëve nuk dallon shumë nga ai i bullgarëve." Një vend i bukur dhe një jetë në paqe. "Në fund të fundit këtë kam kërkuar", përfundon Allaui.