1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bullgarizimi i detyruar i pakicës turke

Tatiana Vaksberg/Alexander Andreev23 Dhjetor 2014

Para 30 vitesh udhëheqja komuniste në Sofje startoi aksionin e asimilimit të pakicës turke në Bullgari. Turqit duhet të ndryshonin emrin dhe nuk duhej të flisnin gjuhën turke në publik.

https://p.dw.com/p/1E94I
Eksod masiv i turqve bullgarë, 1989
Fotografi: BTA

Bahtiyar Karaali nuk do ta harrojë atë mëngjes, kur dy policë me kallashnikov në duar i trokitën në derë. Njëri prej tyre ishte fqinji i tij: "Na falni miku në, tha ai, tani do të vish me ne. Do të të ndryshojmë emrin, zgjidh një të ri" kujton Karaali, pjesëtar i komunitet turk në Bullgari. "Si mund ta bëj këtë, kundërshtoiva unë. Emrin ma kanë dhënë prindërit, nuk mund ta ndryshoj unë."

Më 24 dhjetor 1984 njësitë e policisë dhe ushtrisë rrethuan lagjen Kardshali në jug të Bullgarisë, ku jetonte pjesë më e madhe e pakicës turke. Rrugët u bllokuan, lidhjet telefonike u ndërprenë dhe u vendos ndalimqarkullimi. Në lagje hyjnë tanket dhe ujëhedhëset, popullsia civile bullgare armatoset. Me urdhër nga Sofja i gjithë personeli i zyrave të gjendjes civile u dërgua në Kardshali për të bërë gati dokumentet e rinj për pakicën turke. Nën presionin e ligjit të luftës, pjesëtarët e pakicës detyrohen të ndryshojnë emrat dhe të "bullgarizohen". Letërnjoftimet e reja jepen menjëherë. Turqishtja nuk lejohet të flitet në ambientet publike. Të gjitha të drejtat, që gëzonin pakicat, shfuqizohen.

Ceremoni përkujtimore në Mogiljane. Këtu kujtohen viktimat e asimilimit.
Ceremoni përkujtimore në Mogiljane. Këtu kujtohen viktimat e asimilimit.Fotografi: BGNES

Një viktimë telefonoi në Deutsche Welle

Protestat nuk vonuan. Vetëm në ditët e para në to morën pjesë 11.000, gjithçka u zhvillua në mënyrë paqësore. Sipas të dhënave zyrtare organet e rendit siguruan vetëm një thikë dhe shkopinj drurë. Megjithatë shumë demonstrues u arrestuan dhe u internuan në kampin e ndëshkimit në ishullin e Danubit, Belene. Mastin Essirov ishte njëri prej tyre. "Shumica morën arratinë nëpër pyll, të tjerë u fshehën nëpër qilarë, apo shkurre kopshtesh. Por në fund u kapën të gjithë. Në fund edhe unë u detyrova të ndryshoj në mënyrë absurde, jo vetëm emrin tim, por edhe atë të gjyshit, megjithëse ai kishte ndërruar jetë 16 vjet para lindjes sime."

Kufiri me tela me gjemba ndërmjet Bullgarisë dhe Turqisë
Kufiri me tela me gjemba ndërmjet Bullgarisë dhe TurqisëFotografi: picture-alliance/dpa

Aksionet e policisë qëndruan sekret deri në janar 1985, por pas kësaj lajmet depërtuan jashtë kështjellës komuniste. Bahtiyar Karaali iu drejtua Deutsche Welles. "Telefonova në Deutsche Welle për të raportuar se çfarë po ndodh këtu. Numrin e telefonit e mësova përmendësh, fillonte me 0049."

Sulmet e qeverisë bullgare kundër pakicës turke u bënë publike, kur presidenti francez, Francois Mitterand, anulloi vizitën shtetërore në Sofje në shenjë proteste. Menjëherë pas kësaj qeveria deklaroi se aksioni në Kardshali u përmbyll me sukses dhe se do të vazhdojë në rajone të tjera. Më 31 mars 1985 pushtetmbajtësit komunistë deklaruan se të gjithë emrat turq janë ndërruar.

Eksod masiv i turqve bullgarë

Paralelisht me aksionin e ndërrimit të emrave u zhvillua edhe një fushatë ideologjike. Shkelja e të drejtave të njeriut me urdhër shtetëror mori emrin e bukur "Rilindja". Me këtë propagandohej dogma se pakica turke përmes masave asimiliuese ka rigjetur rrënjët bullgare. Udhëheqja komuniste përpiqej të bindte popullatën se asimilimi ishte një vendim me vullnetin e lirë të turqve bullgarë. Por propaganda dështoi përballë rritjes së rezistencës. Në mars 1985 terroristë proturq bënë atentat kundër një treni pasagjerësh. Shtatë vetë humbën jetën.

Në filim të vitit 1989 udhëheqja e Sofjes vëren se situata po del jashtë kontrolli dhe se vetëm eksodi në drejtim të Turqisë mund të reduktojë presionin e krijuar. Në maj 1989 kreu i shtetit bullgar, Todor Zhivkov, i bën një ofertë popullatës; ata që duan të largohen nga vendi, lejohen ta bëjnë këtë. Shumë turq bullgarë shesin tokë e shtëpi për të shkuar në Turqi. Shitjet e përshpejtuara krijojnë një gjendje kaotike. Vuajtjen e pakicës turke e shfrytëzuan shumë bullgarë, që blenë shtëpi me çmime shumë të lira.

Por për shumë vetë Turqia mbeti vetëm një ëndërr. Martin Essirov kujton. "Ne i kishim mbushur makinat me gjithçka, mall, televizor. Pasaportat i kishim në xhep. Por Turqia mbylli kufirin dhe nuk mund të largoheshim nga vendi. Pas eksodit të 300.000 qytetarëve bullgarë, Turqia e sheh veten të detyruar të mbyllë kufirin. Qeveria në Sofje u përpoq ta quajë më cinizëm këtë eksod si "ekskursionin e madh". Zhivkovi i diskredituar largohet më 10 nëntor 1989 nga posti.

Partitë nacionaliste kundër pakicës turke

Një nga masat e reja të qeverisë ende komuniste ishte rivendosja e të drejtave të pakicës së turqve bullgarë. Në vitin 1990 krijohet partia e pakicës turke. Përçarja u zbut me partinë e re, një proces gjyqësor kundër funksionarëve të lartë komunistë dhe demokratizimi i shpejtë të vendit. Dy presidenti bullgarë dhe një kryeministër kanë kërkuar falje tek pakica turke për eksodin. 20 vite bashkëjetese funksionoi pa probleme. Por vitet e fundit sociologët paralajmërojnë për një qëndrim refuzues kundër kësaj pakice dhe shpërthim të armiqësisë kundër turqve. Disa parti nacionaliste të vogla zhvillojnë fushata nxitëse kundër qytetarëve të pakicës turke dhe luftojnë kundër të drejtave të minoriteteve. Rreziku për shkallëzimin e tensioneve është real.