1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria Merkel vetëm në detyrë

R. Kiesel / V. Filaj Ballvora23 Tetor 2013

Bundestagu i ri zhvilloi mbledhjen konstitutive, ndërkohë që qeveria zyrtarisht shkarkohet nga detyra, por deri në krjimin e qeverisë së re koalicioni konservatoro-liberal do të vazhdojë të ushtrojë detyrën qeveritare.

https://p.dw.com/p/1A4lM
Fotografi: Reuters

Presidenti i dorëzoi kancelares Angela Merkel dekretin e shkarkimit të kabinetit të saj. Gjatë ceremonisë së shkurtër në rezidencën presidenciale në kështjellën Bellevue Joachim Gauck gjeti fjalë inkurajuese për pesë ministrat nga partia liberal-demokrate (FDP), e cila pas zgjedhjeve nuk do të përfaqësohet në parlament: "Unë e di që rezultati i zgjedhjeve ishte i hidhur për ju“, tha ai – dhe i inkurajoi politikanët liberalë që t'i bëjnë ballë konkurrencës demokratike „sipas traditës së mirë liberale“.

Gjatë paradites presidenti i kërkoi kancelares, që pas konstituimit të parlamentit të vazhdojë të qëndrojë në detyrë deri në krijimin e qeverisë së re. Në bazë të nenit 69 të ligjit themelor mandati i kancelarit ose i një ministri federal përfundon me mbledhjen e parlamentit të ri.

Norbert Lammert rizgjidhet president i Bundestagut
Norbert Lammert rizgjidhet president i BundestagutFotografi: Reuters/Fabrizio Bensch

Lammert rizgjidhet presidenti i Bundestagut

Në mbledhjen konstitutive të Bundestagut u rizgjodh Norbert Lammert si kryetar parlamenti. Me 95 vota pro u rizgjodh 65 vjeçari, i cili e ushtron këtë detyrë qysh nga viti 2005. Ai e konsideron besimin që iu dha si „inkurajim dhe detyrim“. Grupit të tij parlamentar ai i shprehu falenderimin, ndonëse vuri në dukje, se „ka mirëkuptim që me detyrën që ka ai jo patjetër ngjall entuziazëm brenda radhëve të partisë së tij“.

Në fjalimin e tij Lammert shprehu keqardhjen, që shumë pika të rendit të ditës në të kaluarën janë trajtuar pa debate: "Ne kemi nevojë ose për më shumë disiplinë ose për më shumë javë seancash plenare“- tha ai duke shtuar - "Demokracia është forma e shtetit, në të cilin nuk qeverisesh më mirë, nga sa e meriton ".

Ekologjistët dhe të majtët të shqetësuar për të drejtat e tyre

Rezerva të mëdha ka në radhët e 64 deputetëve të partisë „E Majta“ dhe 63 deputetët e partisë ekologjike „Aleanca 90/Të Gjelbërit“. Ato shprehin shqetësimin, nëse do të mund ta përmbushin si duhet rolin e opozitës në rast të krijimit të një koalicioni me bazë të gjerë mes konservatorëve (CDU/CSU) dhe socialdemokratëve (SPD). Lammert qysh në fillim është përpjekur ta shmangë këtë përshtypje duke e trajtuar çështjen e raporteve disproporcionale mes grupeve parlamentare të mazhorancës dhe të opozitës në parlamentin e ri. "Rezultet e qarta të votimeve janë konform kushtetutës, por shtoi ai, kultura e një demokracie nuk shprehet aq prej mazhorancave që krijohen, por më shumë nga të drejtat ligjore që gëzon minoranca, të drejta këto që nuk kanë nevojë të miratohen prej mazhorancës.“

Merkel vetëm në detyrë deri në krijimin e qeverisë së re
Merkel vetëm në detyrë deri në krijimin e qeverisë së reFotografi: Odd Andersen/AFP/Getty Images

Në rast të krijimit të një koalicioni qeverisës me bazë të gjerë mes CDU/CSU dhe SPD të dyja këto parti kanë së bashku 80 përqind të mandateve në parlament. Ndaj parlamenti nuk mund të kërkojnë kundër vullnetit të qeverisë as komisione hetimore dhe as komisione ekspertësh apo të ngrejë ankimime kundër ligjeve të reja. Nga radhët e partnerëve të mundshëm qeveritarë u sinjalizua, se të dyja partive të vogla do t'u bëhen lëshime. "Ne kemi nevojë edhe për një opozitë efektive“, tha sekretari i përgjithshëm parlamentar i SPD-së ,Thomas Oppermann. Kryetari i grupit parlamentar të ekologjistëve Anton Hofreiter në bisedë me ARD shprehu kërkesën që politikanëve të opozitës gjatë detabeve duhet t'i lihet më shumë kohë referimi. Deri tani koha e referimit është në përpjestim të drejtë me madhësinë e fraksionit.