1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Aventura somaleze

10 Maj 2012

Ujërat para bregut somalez mbeten të rrezikshme. Misioni Atalanta ka pasur përparime të vogla, të cilat nuk janë të mjaftueshme. Tani misioni duhet të zgjerohet. Për këtë voton sot parlamenti gjerman, Bundestag.

https://p.dw.com/p/14shT
Misioni Atalanta në Bririn e Afrikës
Misioni Atalanta në Bririn e AfrikësFotografi: picture-alliance/dpa

Misioni Atalanta i BE-së në ujërat e Gjirit të Afrikës, duhet të ndjekë dhe kapë piratët. Mandati i misionit që kontrollon rrugën ujore më të lundruar para bregdetit të Somalisë, është dhënë më 2008-ën me dy objektiva:

Dërgimin e ndihmave në vendin e trazuar politikisht dhe të prekur rëndë nga thatësira dhe mbrojtjen e anijeve tregtare ndërkombëtare nga sulmet e piratëve. Vitin e kaluar pati 230 sulme të tilla. Kryetari i misionit Atalanta, kundëradmirali britanik Duncan Potts, bëri para pak kohësh një bilanc pozitiv të misionit duke shpjeguar se vitin e kaluar ka patur piratët kanë pasur sukses vetëm në tre sulme. Megjithë sukseset misioni duhet zgjeruar.

"Kërkesa për zgjerimin e misionit ka ardhur kryesisht nga partnerët tanë britanikë. Kundëradmirali që drejton misionin është i mendimit se zgjerimi i misionit do të ketë edhe efekt psikologjik mbi piratët", thotë zëdhënësi për politikën e Mbrojtjes, të fraksionit socialdemokrat në parlament, Rainer Arnold.

Sipas kundëradmiralit, shpenzimet dhe kostot do të rriten për piratët. "Këtë nuk e kuptoj", thotë Arnold.

Edhe Të Gjelbërit dhe Të Majtët nuk mund t`i kuptojnë dëshirat për zgjerimin e misionit Atalanta, kështu që pritet që opozita të mos japë mbështetje me votën e saj ditën e enjte (10 maj 2012) gjatë votimit në parlament. Ministri gjerman i Mbrojtjes,Thomas de Maizière iu lut edhe një herë opozitës në fund të muajit prill për të dhënë votën, sepse ka të bëjë me mbajtjen e përgjegjësisë. Me mandatin e ri, ushtarët që marrin pjesë në mision, mes të cilëve edhe ushtarë gjermanë do të kenë të drejtë të ndjekin piratët jo vetëm në ujë, por edhe në ajër, mbi bregdet.

"Bëhet fjalë për një zonë dy kilometra të gjerë, në të cilën BE mund të veprojë kundër impianteve të piratëve, për shembull kundër rezervuarëve të karburantit ose varkave. Në këtë mënyrë synohet që piratëve t`u merren përfitimet logjistike në afërsi të plazhit, argumenton politikani kristiandemokrat, Philipp Missfelder: "Ka informacione, që vijnë pjesërisht nga spiunazhi në ajër, se në plazhin e Somalisë ka pozicione dhe anije të piratëve."

Nga pikëpamja ushtarake është e kuptueshme pse strategjia e deritanishme nuk ka pasur efekt të qëndrueshëm dhe nuk i ka shkatërruar strukturat e piratëve.

Në plan afatgjatë, Somalia duhet të zhvillohet në një shtet me strukturë. BE ka dhënë që prej vitit 2008 gati 400 milionë euro për programe zhvillimi afatgjatë në Somali. Kështu financohen ndër të tjera programe për sistemin e arsimit dhe ngritjen e shtetit juridik.

Autor: Sabine Hartert-Mojdehi/Aida Cama

Redaktoi: Auron Dodi