1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Burokracia në BE pengon financimin e projekteve për demokracinë

Conor Dillon / Amarildo Topi1 Mars 2013

Në kulmin e një kryengritjeje është gati e pamundur që aktivistë ose grupe opozitare të marrin fonde nga BE për zhvillimin e demokracisë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. EED synon ta ndryshojë këtë situatë.

https://p.dw.com/p/17omW
Fotografi: AAMIR QURESHI/AFP/Getty Images

Agjencia e lajmeve Activist News Agency (ANA) e krijuar në kohën e trazirave që u kthyen në luftë civile në Siri nën drejtimin Rami Jarrah po e zhvillon tani aktivitetin jashtë vendit. Ndërkohë që informacionet vijnë në formën e videove, audio, tweets dhe teksteve nga pjesë të ndryshme të Sirisë, Jarrah dhe ekipi i tij i verifikojnë të dhënat  dhe më pas formulojnë lajmet e vërteta që mund të përdoren nga organizata të tjera mediatike.  Agjencia e lajmeve është duke trainuar 300 qytetarë të thjeshtë si gazetarë për të krijuar një rrjet radiofonik dhe për të krijuar një faqe online si Wikipedia, ku do të jepen të dhëna për poltikanët sirianë. Zyrat qendrore të agjencisë janë në Kajro dhe Turqi.  "Jam duke u përpjekur. Ne kemi një ekip prej 12 vetësh. Unë dua të punësoj dikë që të kujdeset për marketingun dhe dikë tjetër për pajisjet logjistike, por nuk kam fonde", thotë Jarrah  për DW.

Jo shumë kohë më parë ANA mori një ndihmë prej 10.000 eurosh nga Hivos, një fondacion holandez për demokracinë. Transmetimet wireless nga Siria kushtojnë më shumë se 7 euro për megabajt. Jarrah atëherë kontaktoi me SIDA, Agjensia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim. Me ndihmën e një OJQ-je egjiptiane Jarrah aplikoi për fonde, të cilat më pas u kaluan përmes një tjetër OJQ-je në Jordani. "Kemi pasur shumë probleme. Një pjesë e fondeve janë vjedhur nga bashkëpunëtorë", thotë Jarrah.

Blogger - Rami Jarrah
Bloggeri - Rami JarrahFotografi: CC-BY-SA-Neogeo5656


Ai nuk është duke aplikuar direkt për fonde në Bashkimin Europian, sepse në mes të revolucionit Jarrah nuk ka as kohë, por edhe nuk i plotëson të gjitha kushtet burokratike që kërkohen nga BE-ja. Agjencia mund të kishte marrë një copë nga fondi 107 milion eurosh i Instrumentit Europian për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut (EIDHR). "Njerëzit në Siri janë duke u bërë shumë cinikë. Ata e urrejnë Perëndimin. Shumë gjëra të këqija ndodhin e zgjidhje nuk ka", thotë Jarrah. Kjo mangësi në fondet e BE-së është një nga fazat më kritike të demokracisë thotë Jerzy Pomianowski, i cili është drejtori i ri i Ndihmës Europiane për Demokraci (EED).

Ndihma Europiane për Demokraci

"Ndihma për ata që nisën revolucionin shkoi vetëm disa muaj më pas", thotë Pomianowski në një intervistë për DW. "Jam takuar me një egjiptian dhe më tha: 'Revolucioni ynë u grabit!'. Unë mendoj se ata nuk u mbështetën sa duhet për të konsoliduar pozitat e tyre."

"Çështjet burokratike e bëjnë shumë të vështirë punën e OJQ-ve dhe vetëm ato që janë të konsoliduara mund të kenë mundësi për të marrë fonde. Delegacionet e Bashkimit Europian nuk janë duke rënë dakort për të lejuar financimin e OJQ-ve të paregjistruara në vendet e treta", thuhet në një raport të PASOS, Shoqata për një Shoqëri të Hapur. Vende të treta quhen vende si Gjeorgjia, Moldavia, Ukraina dhe Bjellorusia, që sipas Pomianowskit do të jenë në prioritetin e EED. Pomianowski së shpejti do të japë dorëheqjen nga pozicioni i Ministrit të Jashtëm të Polonisë, për të marrë drejtimin e EED. Për të, tranzicioni demokratik është një problem që mund të zgjidhet.  "Me më pak procedura burokratike, EED do të japë mbështetje për projekte një ose dy vjeçare. Atëherë partenri do të jetë i konsoliduar dhe do të jetë gati për të gjetur burime të tjera më afatgjatë", thotë ai.

"Burime të tjera" përfshijnë BE dhe EIDHR, fondet e të cilave shpërndahen në të gjithë botën. Këto fonde kanë më shumë natyrën e mbështetjes politike dhe të asaj sociale. Në Egjipt EIDHR ka nidhmuar fëmijët e rrugëve, femrat e dhunuara dhe viktimat e torturave.

Të hiqen dorezat qeveritare

Koert Debeuf, një europarlamentar, bloggu i të cilit për reformën politike egjiptiane u diskutua së fundi nga presidenti egjiptian Mohamed Morsi në televizionin egjiptian, i përshëndet objektivat e shpallura nga EED. "Unë mendoj se Evropa duhet të përpiqet të gjejë një mënyrë për t'i dhënë fund të pasurit frikë," thotë ai për DW. "Ka organizata [në Egjipt], për shembull, që  japin trainim në fushën e medias për partitë politike dhe politikanët. Këto organizata ekzistojnë, por askush nuk dëshiron t'i financojë ato." Debeuf u detyrua ta regjistrojë profesionin e tij si "gazetar" dhe jo si politikan në mënyrë që të hynte në Egjipt tek këto qendra me seli në Kajro.  Debeuf dhe një pjesë të e kolegëve të tij u kanë ndihmuar me trainime politikanëve në vende si Libia, pas rënies së diktatorit Moamar Gadafit. "Ne s'mund të ankohemi që salafistët i kanë fituar zgjedhjet dhe njëkohësisht të kritikojmë partitë laike, se nuk janë të organizuara", thotë ai.  Në Evropë druajnë, se përmes trainimit mund të financohen fushatat elektorale, por jo siguron Debeuf, nuk është kështu: "Në Afrikën e Veriut asnjë nga partitë nuk ka staf të paguar. Asnjë nga këto parlamente nuk ka ndonjë asistent. Eshtë një mendim i përgjithshëm, se nëse ju punoni në një parti duhet të thoni të njëjtin mesazh." Angazhimi i Debeuf ishte thjeshtë në dobi të së mirës së përgjithshme, për diçka me efekt të qëndrueshëm. Ai është i entuziazmuar nga perspektiva se ndihmat si ajo e EED-së mund të mbështesin aktivitete si të tij dhe të përhapin idealet europiane përmes aksionit politik. EED sipas Debeuf është "ideja e duhur", ndonëse detajet janë të paqarta. "T'i shpenzosh shpejt paratë në një biznes me risk?" - po thotë ai - "Jam absolutisht në favor të kësaj". 

Kritikat

Në Europë sidoqoftë, Pomianowski përballet ende me vështirësi. Detyra e tij e parë është të fitojë simpatinë e qeverive në kohë krize, qytetarët e të cilave në forma të ndryshme paguajnë për nisma të tjera për demokracinë. Gjermania përshembull kontribuon përmes fondacioneve politike gjermane, OJQ-ve, kontributeve në BE dhe OKB.

Ndërkohë që EED ka arritur të mbledhë 16 milionë dollarë nga qeveritë europiane, por jo nga ajo gjermane, britanike, franceze, italiane dhe spanjolle. "Do të thoja se kontributi gjerman është ai që mungon më shumë, por jam duke marrë sinjale pozitive, thotë Pomianowski. Detyra e dytë e Pomianowskit ka të bëjë me disa çështje themelore. Si do të veprojë në mënyrë praktike EED? Cilave organizata do t'u jepen fonde? Si do të nisë t'i kërkojë ato? Derisa EED të gjejë përgjigje për këto pyetje, edhe fondet do të mbeten të ngrira. Rami Jarrah thotë se EED duhet të kontaktojë me njerëz si ai. "Unë nuk mund të them, se cili grup do të bëjë punën më të mirë, por e di se cilit grup duhet t'i jepet një mundësi", thotë ai.  Pomianowski, i cili ka qenë dëshmitar i tranzicionit demokratik të Polonisë, parashikon një të ardhme që funksionon në një tjetër drejtim. "Nëse keni frikë, atëherë kontaktoni me ne", përfundon ai.

http://www.alde.eu/alde-group/units-working-groups/secretariat/personal-info/debeuf-koert/
Koert DebeufFotografi: ALDE
Jerzy Pomianowski
Jerzy PomianowskiFotografi: DW/B.Dudek
Syrien Explosion in Damaskus 23. Dezember 2012
Shpërthim në DamaskFotografi: picture alliance/abaca