1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bushi i lë pasardhësit të vet trashëgimi të rëndë

17 Janar 2009

Shtypi gjerman i ditës mbi bilancin e presidentit Bush para largimit nga posti dhe grizën e gazit me Rusinë.

https://p.dw.com/p/GaIJ
Barack Obama looks dhe George W. Bush
Barack Obama looks dhe George W. BushFotografi: AP

„Frankfurter Allgemeine Zeitung": Kur Bill Clinton-i tha lamtumirë tetë vjet më parë, nuk ishin të paktë amerikanët që nuk do ta kishin kundërshtuar qëndrimin e tij në post. Kjo pavarësisht periudhës së dytë legjislative të dëmtuar për fajin e Clintonit vetë. Shumica, përjashtuar bërthamën e fortë të përkrahësve të tij, mezi e pret fundin e erës Bush. Edhe në qoftë se historia do ta gjykonte më butë sesa shumica dërrmuese sot dhe pavarësisht faktit që në sulmet transkontinentale kundër Bushit përzien shumë gjëra që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Në fillim të presidencës Bush ishte shoku i „11 shtatorit", në fund të saj qëndron Amerika në një krizë të thellë ekonomiko-financiare, luftimi i së cilës do t’i dëmtojë edhe më shumë financat e shtetit. Bushi i lë pasardhësit të vet në detyrë një trashëgimi të rëndë. (...)

"Pforzheimer Zeitung": Në përfundim të presidencës së Bushit nuk mund të dallosh më shumë prej vendit të madh e të lirë që pranoi dikur përzemërsisht imigrantë, që i bëri pjatalarësit milionerë dhe që punoi për paqen në botë. Bushi e shfrytëzoi pa turp frikën prej terrorit pas 11 shtatorit dhe bëri një luftë kundër Irakut në shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Ky mund të jetë afërsisht bilanci i evropianëve liberalë. Duke tërhequr gjithë antipatinë e Evropës kontinentale Bushi krijon tani shpresën, që pa të mëkati mund të bëhej i kthyeshëm.

"General Anzeiger": Zemërimi dhe pafytyrësia janë reflekse të kuptueshme, por në marrëdhëniet edhe tani të ngarkuara me Moskën ato nuk arrijnë të zëvendësojnë konceptet politike për trajtimin e një gjendjeje sa vjen e më jokomode. Kremlini, sikurse Ukraina, është i gatshëm ta humbasë emrin e vet të mirë si furnizues me energji i Evropës Perëndimore. Ai vë në pikëpyetje edhe statusin e vet si partner i besueshëm politik.

"Coburger Tageblatt": Prej kohësh është vënë në lëvizje diçka për të cilën Brukseli pothuajse i kishte humbur shpresat: Serbia ka marë kurs nga Bashkimi Evropian. Përgjegjës për këtë është grindja e gazit. Sepse qëkurse vendi ballkanik mbërdhin si pasojë e ndalimit të furnizimeve, e ndien veten me të drejtë të mashtruar prej aleatit rus. Gaz solidariteti Beogradi po merr tani nga Gjermania dhe Hungaria. Fakti që pikërisht Moska, mbështetësja e Beogradit në mosmarrëveshjen për Kosovën, po i përgatit pjesërisht terrenin Serbisë për në BE mund të cilësohet si ironi e fatit.